Mjerimi i merituar me heshtje

Kur në fillim të vitit 2003, banorët e Maqedonisë janë pyetur nëse janë të gatshëm të protestojnë kundër krizës ekonomike dhe papunësisë, 76% janë shprehur pozitivisht. Në hulumtimin e organizuar nga UNDP, gjysma e të intervistuarve kanë thënë se gjendja ekonomike do të mbetet e njëjtë ose do të përkeqësohet më tej, së këndejmi 40% kanë pritur trazira sociale. 

Dhjetë vite më vonë, numrat nuk përputhen me realitetin. Pas kolapsit të vitit 2008, që trajtohet si goditja më e madhe globale në gjysmëshekullin e fundit, vështirë mund të flitet për ngritje ekonomike. Papunësia në Maqedoni ende sillet rreth 30%, që mbështetet edhe nga të dhënat zyrtare sipas të cilave një e treta jeton në varfëri. Edhe ata që punojnë – kryesisht në administratën publike si punëdhënës kryesor – nuk qëndrojnë më mirë. Sipas indeksit GINI të Bankës Botërore, Maqedonia ka pabarazi më të lartë sociale në mbarë rajonin, e krahasueshme vetëm me ekstremet e Rusisë.  

Gjendja shkon keq e ma keq, ndërkohë që gatishmëria e deklaruar për protesta nuk është materializuar brenda dhjetë viteve. Pse?

Lehtësisht mund të ceken arsyetimet e nivelit të ultë arsimor, korrupsionit dhe politizimit të shoqërisë. Por, Kosova dhe Bosnja nuk dallojnë pothuajse aspak në këtë aspekt. Megjithatë, zgjedhjet lokale e ndryshuan rrënjësisht hartën politike të Kosovës, të ndjekura me zgjimin e studentëve, ndërkohë që edhe Bosnja e stërndarë i tregon shenjat e para të dëshpërimit kolektiv nga mënyra e qeverisjes. 

Ndonëse duket e vështirë për ta kapërdirë, shihet qartë që këtu nuk ka masë të mjaftueshme kritike e cila do të luftojë për mirëqenien e vet. Kjo mund të shpjegohet edhe me faktin që në historinë bashkëkohore të Maqedonisë, ka pak gjëra të cilat qytetarët i kanë fituar vetë. Këtu nuk mund të llogaritet as pavarësia e vendit, që mund të jetë arsye pse shtetasit nuk kanë ndjenjë pronësie dhe përkatësie ndaj vendit; konflikti i armatosur i 2001 mund të trajtohet si tentim për avancim vetëm kur të qartësohen rrethanat reale dhe ecuria e ngjarjeve, që deri sot mbeten të panjohura. 

Vite me radhë, qetësia sociale gjallëron me kombinimin e ndarjes etnike, pushtetit të monopolizuar dhe medieve të kontrolluara. Por, kjo nuk i amniston qytetarët që heshtin para mjerimit të tyre. Edhe në historinë e vendeve më të izoluara, ndryshimet kyçe kanë ardhur vetëm nën trysni të fuqishme të popullit. Nëse rastësisht ndodh që ne të përmirësohemi përmes muhabeteve, revolucioneve në Facebook dhe filmave kilometrikë turk, do të njihemi si rasti i parë i ndryshimit pa veprim konkret. 

Si pasojë e zhgënjimit prej temave etnike, që instrumentalizohen me mjeshtëri për fragmentim, ka kohë që mungojnë edhe protestat për çështje nacionale. Anash organizimeve partiake ose nismave nga demek OJQ-të, ka pasur vetëm disa angazhime sociale (për shembull, kundër shtrenjtimit të rrymës ose protesta e mjekëve për rroga) ose në mbrojtje të interesit të përgjithshëm (si protestat për ajër të pastër). Te kjo e fundit edhe u dëshmua mosinteresimi i gjerë i qytetarëve për mirëqenien dhe shëndetin e  tyre – shumë më dëshpëruese se të gjitha kanosjet dhe idiotësitë e kundër-protestuesve. 

Në një vend ku partia kontrollon gjithçka përmes rrogave dhe medieve, mungesa e mobilizimit vjen edhe si pasojë e mosekzistimit të autoriteteve shoqërore që ushtrojnë ndikim përtej ndarjeve politike dhe etnike. Në afat të shkurtër, gjërat duken mirë dhe qetësia sipërfaqësore perceptohet si pozitive. Por, pikërisht kjo mungesë e autoriteteve mund të tregohet fatale në momentin e shpërthimit të mllefit të akumuluar. Në rastin e Maqedonisë, ku përplasjet sociale mund të dalin kontrollit dhe të marrin ngjyrë etnike, vështirë mund të gjendet ndonjë katalizator i besueshëm për zbutjen e gjendjes. 

Kjo detyrimisht duhet të konsiderohet edhe nga Bashkimi Evropian, që nuk tregon aftësi për stabilizim afatgjatë të pikave kritike: Bosnja, Maqedonia dhe Kosova. Kolegët amerikanë përtej Atlantikut tashmë e kanë identifikuar Bosnjën dhe Maqedoninë si vende ku gjendja e thyeshme mund të shpërthejë papritmas. Sot mund të duket si gjë jorelevante, por heshtja e mllefit nuk e zgjidh problemin. Përkundrazi, shkakton ortek social që  mund të kalojë në etnik, me pak gjasa për kontrollin e turmave.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Shiko edhe
Close
Back to top button