Alarmohen prindërit, GTA-ja po i prish fëmijët

Fëmijët po imitojnë skenat e drogës dhe të përdhunimeve nga videoloja e famshme Grand Theft Auto gjatë lojës në oborre, ka paralajmëruar drejtori i një shkolle fillore në Uells.

Nxënësit e shkollave fillore britanike, që nga mosha 6-vjeçare, po imitojnë skenat e konsumimit të drogës dhe të përdhunimeve nga videoloja e famshme Grand Theft Auto gjatë lojës në oborre, ka paralajmëruar drejtori i një shkolle në Britani të Madhe, sipas The Daily Mail.

Fëmijët e vegjël po krijojnë loja me “përdhunime dhe marrëdhënie seksuale”, si dhe po flasin me njëri-tjetrin për “përdorim droge”, ka treguar drejtori i shkollës Coed-y-Brain, Morian Morgan.

Stafi edukativo-arsimor në shkollën fillore në fshatin Llanbredak ka thënë se sjelljet e fëmijëve janë ndikuar nga seria e videolojërave të dhunshme dhe të ndaluara për nën 18-vjeçarë, Grand Theft Auto, në të cilat lojtarët e marrin rolin e kriminelëve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Videoloja më e re nga seria në fjalë, GTA V, besohet të jetë një videolojërave më të shitura të të gjitha kohërave, pasi deri në këtë ditë ka shitur më shumë se 32 milionë kopje në mbarë botën.

Një letër që i është dërguar prindërve ka thënë se fëmijët “po imitojnë skena nga videoloja, e cila përmban disa prej fjalëve më të rënda sharëse të natyrës seksuale”, se ata “po bisedojnë” për akte seksuale dhe se ata “po luajnë loja të dhunshme që nganjëherë rezultojnë në lëndime të vërteta”.

Duke folur për South Wales Argus, Morgan ka insistuar se letra ka qenë thjesht një mënyrë që ai ka përdorur për t’i paralajmëruar prindërit e nxënësve për këtë trend, dhe jo për t’i kritikuar ata.

“Unë e kam dërguar letrën me njëfarë shqetësimi, por jam i lumtur që e kam dërguar atë, meqë të gjitha reagimet, nga sa jam i informuar, kanë qenë mjaft përkrahëse”, ka thënë drejtori i shkollës.

“Para se të eksploroja në internet dhe të shikoja përmbajtjen e kësaj videoloje, unë mendoja se ajo përmbante vetëm pak sharje dhe të shtëna me armë, dhe besoj se disa prindër do t’ju thonë se kanë qenë po aq naivë sa unë. Por, dua që të theksoj se me këtë nuk po i kritikoj prindërit aspak”.

Stafi i shkollës fillore i ka ftuar disa fëmijë për t’i pyetur ata se ku i kanë parë sjelljet që i kanë imituar. Morgan ka thënë se “ne kemi vërejtur shtimin e këtyre sjelljeve. Por, ato janë bërë më shqetësuese pasi që versioni më i ri i GTA-së duket të jetë më tronditës sesa të mëparshmit”.

“Fëmija më i vogël që ka bërë këso sjelljesh ka qenë një gjashtëvjeçar, por kjo është e pazakontë. Ka qenë një numër i vogël i fëmijëve që kanë imituar këto akte”, ka treguar drejtori i shkollës.

Këshilli i fshatit ka thënë se kjo është çështje e brendshme, të cilën duhet ta zgjedhë vetë shkolla./ Tribuna

Lajme të ngjashme

Back to top button