Rama: Infrastruktura e Shqipërisë si ajo e Bangladeshit

Kryeministri Edi Rama gjatë fjalës së tij në Parlament ka akuzuar opozitën se gjatë 8 viteve që ka qenë në pushtet nuk ka bërë asgjë për transportin publik, ndërsa tani i kërkon qeverisë llogari për rrugët, që sipas tij i ka lënë rrugëve.

Rama ka theksuar se, opozita kërkon të nxjerrë përfitime politike, duke akuzuar qeverinë për transportin publik. Kryeministri tha se, infrastruktura e vendit tonë është jo vetëm copë-copë, por edhe e shëmtuar. Ai akuzoi opozitën se në kohën e qeverisjes, për afera korruptive ngriti rrugët më të pasigurta, si të ishin ndërtuar për periferinë e Bangladeshit

 “Keni pasur 8 vite kohë për ta bërë rrugë, që jo vetëm nuk i keni bërë ose e keni lënë të degjenerojë në rënie të lirë. Në 8 vite as që e keni çarë kokën ndonjëherë ta ktheni kokën nga qytetarët, pleqtë, të sëmurët që udhëtojnë çdo ditë në Shqipëri. Nga viti 2005 deri në 2013, janë vrarë në rrugët e Shqipërisë së ‘zhvilluar’ 2952 e janë plagosur mijëra të tjerë. E vërtetë është në fakt që keni hedhur lumenj parash në infrastrukturë dhe keni ndërtuar sot në Shqipëri, sistemin më të pasigurt, më të varfër në sinjalistikë, më antimjedisor”, u shpreh Rama.

Ai tha se qeveria paraardhëse, ka bërë sistemin me korsinë më të madhe të korrupsionit dhe me gropa të hatashme borxhesh. “Dhe sot ju keni gojë dhe flisni, kur na shikoni neve duke rregulluar rrugët që i keni lënë në rrugë. Keni bërë një tra në mes të rrugës, të trashë sa trotuari dhe trotuarin e keni bërë që burri të ecë para e gruaja pas. Dhe javën tjetër do të bëni atë ritualin e përshpirtjes, atë luftën me komunizmin që ekziston vetëm në kokën e njërit prej jush. Transportin e latë si mos më keq, sot doni të përfitoni edhe politikisht. Cilën rrugëdalje bëtë ju që dilni dhe akuzoni qeverinë sot. Zero, zero, zero argumente. Ndërtuat një sistem transporti publik sikur të ishte Shqipëria një periferi e Bangladeshit”, tha kreu i ekzekutivit. 

Rama gjithashtu, theksoi nevojën që transporti publik në vend të përbëjë siguri për udhëtarët. Kryeministri tha se, “transporti publik nuk mund të funksionojë më pa rend ligjor, pa konkurrencë të ndershme, pa kontroll teknik të besueshëm, pa stacione dhe pa drejtime”. Sipas kryeministrit mazhoranca paraardhëse e la transportin publik në ditën më të zezë. 

Më tej kryeministri theksoi se sistemi i transportit ndërurban duhet të riorganizohet, pasi furgonat kanë marrë jashtë ligjit rolin e shërbimit interurban, duke falimentuar kompani të tëra autobusësh. 

“Qeveria nuk do të lejojë më qarkullimin e mjeteve të palicencuara. Do t’u japë kohë për t’u riorganizuar të gjithë atyre që kanë një licencë të rregullt dhe që duhet të bëjnë një zgjedhje nëse do të kalojnë në shërbimin taksi normal, apo shërbimin urban brenda rrethit të përcaktuar nga autoriteti që jep licencën për ta. Qeveria do të ndërmarrë projektin për inovacionin dhe transformimin e gjithë sistemit të transportit tonë publik”,- deklaroi shefi i qeverisë./ Shekulli

Lajme të ngjashme

Back to top button