Mehmeti kundër Trajçevskit: Llatasi raporton në mënyrë fashiste

Agjencia për Shërbime Audio-Vizuale, përkatësisht kryetari i këtij institucioni Zoran Trajçevski, ka konstatuar sot se Llatasi nuk ka përdorur fjalor urrejtjeje dhe nuk ka nxitur ndasi mes dy komuniteteve më të mëdha në vend. 

“Ky qëndrim nuk është vetëm i Këshillit për Radio-Difuzion, se këtu nuk ka fjalor të urrejtjes, por edhe vetë Prokurori Publik në mënyrë të qartë tha se këtu nuk ekziston fjalor urrejtjeje”, deklaroi  Zoran Trajçevski, kryetar i Agjencisë për Shërbime Audio-Vizuale.

Konstatimi i Trajçevskit nxiti reagim të ashpër të anëtarëve shqiptarë në këtë institucion. Zamir Mehmeti e quajti fashist raportimin e Llatasit.

Mehmeti thotë se nuk pajtohet me analizën e bërë.

“Pajtohem se fjalimi i urejtjes në të gjitha shtetet ndryshe shihet, por njëri nga elementet e rëndësishme të fjalimit të urrejtjes, në të gjitha shtetet madje edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, është nxitja. Unë në analizën që është bërë shoh nxitje të një etniteti ndaj etniteti tjetër. Për shkak se ne jemi shtet post-konfliktuoz, ndërsa kemi shoqëri multi-etnike. Ky njeri me vite e vite, vazhdon të njoftojë në këtë mënyrë, në të cilën gjithçka mund të ketë në të, por nuk mund të thuhet se është gazetari profesioniste ose objektive”, thotë Zamir Mehmeti. 

“Unë jam i vetëdijshëm se në ligj nuk mundemi asgjë të bëjmë më shumë për këtë, por jam i vetëdijshëm dhe thellë i bindur në vete se duhet një herë e përgjithmonë të bëhet një kumtesë në të cilën do të dënohet kjo që është gjithçka por jo gazetari profesionale dhe etike”, thotë Mehmeti.

Ndërkohë raportimi i Llatasit nuk kaloi pa u komentuar edhe nga anëtarët e tjerë të kësaj agjencie.

“Ne do të shpëtojmë nderin e institucionit tonë, pasi Llatasi do të vazhdojë kështu edhe më tej. Prej vitesh ai është i njëjti, dhe siç duket, ne nuk kemi mekanizma adekuat që ta kanalizojmë këtë gjë. Unë do të apeloj që të paktën ne të dalim me atë që kemi në kompetencë, vërejtje me shkrim!” , theksoi Milaim Fetahi, nënkryetar i Agjencisë për Shërbime Audio-Vizuale.

Lajme të ngjashme

Back to top button