Maqedoni, kush proteston quhet tradhtar

Nëse në Maqedoni je aktivist dhe ngrit zërin me protesta kundër ndonjë padrejtësie kolektive do të etiketojnë se je me opozitën apo i paguar nga grupe të dyshimta me qëllim të “prishjes së shtetit”. Është ky një nder konkluzionet e debatit të sotëm në Shkup me temë aktivizmi qytetar në Maqedoni të organizuar nga Qendra Maqedonase për Edukim Evropian.

“Qeveria e tanishme ka zhvilluar një sistem të përsosur sa i përket shuarjes së zërit të popullit. Ata që dalin në protesta përmes mediave të afërta me pushtetin etiketohen si tradhtarë, pjesëtarë të opozitës ose klane të ndryshme si: homoseksual, njerëz të Brankos, njerëz të paguar nga organizata të dyshimta..Këtë e kemi parë gjatë protestave AMAN, Kundër brutalitetit policor si dhe kundër kishës në Qendër” tha Dimitar Nikollovski, autor i një hulumtimi për aktivizmin në Maqedoni të prezantuar sot në këtë debat.

Gjithashtu, një mënyrë ende më perfide për ti devijuar protestat dhe për t’ua zhveshur legjitimitetin protestuesve janë organizmi i kundër-protestave.

“Frika nga humbja e punës zakonisht përdoret nga ky pushtet autoritar për ti aktivizuar kundër-protestuesit, ushtarët partiak të cilët do të dalin kundër protestuesve për “ta mbrojtur shtetin”. Ata janë njerëz që obligohen të dalin në rrugë me shantazhe dhe mënyra të tjera.” tha profesori Petar Atanasov.

Ai prezantoi hulumtimin e bërë nga Instituti për kërkime sociologjike, politike dhe juridike në Shkup rezultatet e të cilit tregojnë se tani jetojmë më keq se prindërit tanë ndërsa mosbesimi se mund të ndryshojnë diçka i paralizon qytetarët dhe ata nuk dalin në protesta.

“Qeveria përmes mediumeve që i kontrollon ka mbjellë një mendim se asgjë nuk mund të bëhet kundër saj. Qeveria në mënyrë shumë efikase e ka larguar debatin publik nga Maqedonia. Nuk debatohet nuk flitet publikisht për çështjet me rendësi. Nuk tregohet publikisht sa është borxhi i shtetit, sa është numri i administratës, e gjithë kjo ndikon që mos kërkohet përgjegjësi nga ata” tha Atanasov.

Në Maqedoni ende nuk mund të ketë trazira si në Bosnjë pasi që ne ngulfatemi në propagandë ndërsa edhe ata pak aktivistë dhe organizata që protestojnë nuk janë solidar mes tyre dhe nuk bashkohen në një për çështjet madhore.

“Në Maqedoni është më keq se në Bosnjë sa i përket varfërisë, atje rroga mesatare është 410 euro ndërsa te ne është 345 euro. Dallimi mes të varfërve dhe të pasurve në Maqedoni është më i madh në tërë Evropën, kështu që ne jemi ende më keq dhe kemi më shumë arsye për revoltim. Por dallimi është në atë se populli është vetëdijesuar atje dhe kërkojnë përgjegjësi ndërsa te ne ende nuk është ngjallur kjo vetëdije. Te ne as studentët nuk reagojnë” tha Xhelal Hoxhiq, aktivist. 

Kur organizohen protesta Qeveria bën çmos dhe në mënyra të ndryshme i manipulon ata sa që duket se populli ka dalë kundër popullit e jo kundër padrejtësisë. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button