SHBA “paralizohet” nga akulli (FOTO)

Një stuhi vdekjeprurëse e të ftohtit ka vënë në rrezik qindra njerëz në SHBA. Stuhia e akullit po shkakton kaos në jug të SHBA-ve e ndërsa pritet të godasë edhe brigjet lindore të vendit.

Me mijëra vetë janë pa energji elektrike në Xhorxhia, Teksas, Karolinën e Veriut dhe atë të Jugut. Për shkak të akullit dhe erërave të fuqishme, avionët nuk janë ngritur nga pistat, e të paktën 2,600 fluturime janë anuluar.

Karolina e Veriut dhe Virxhinia po përgatiten për 30 centimetra borë; Uashington DC pret një shtresë të bardhë prej 20 centimetrash, dhe Nju Jorku, me të gjithë gjasat, do të mbulohet gjatë natës nga 25 centimetra dëborë.

Sipas mediave amerikane  të paktën 10 persona kanë vdekur nga acari. Shërbimi Meteorologjik Kombëtar foli për një stuhi të përmasave  apokaliptike.

Stuhia ka sjellë acar, shi të ngrirë e një stuhi akulli, që nga ekspertët përshkruhen si tepër të rrezikshme.

Autoritetet po përgatiten për një situatë të ngjashme me atë të 14 viteve më parë, kur më shumë se 500,000 shtëpi e biznese mbetën pa energji elektrike, ndërsa fatura totale e dëmeve kalonte 35 milionë dollarët. / Ora News

Lajme të ngjashme

Back to top button