Rritja e çmimit të biletës së urbanëve, qytetarët në protestë

Ditën e sotme pritet që qytetarët të protestojnë para Ministrisë së Transportit.

Shkak për këtë protestë është bërë rritja e çmimit të biletës në 50 apo 70 lekë dhe e aboneve. Shumica e qytetarëve, që përdorin transportin publik shprehen se, është e papërballueshme rritja e çmimit të biletës së autobusëve urbanë.

Por veç protestës së qytetarëve, sindikata e punonjësve të transportit ka paralajmëruar se ditën e premte do të ketë grevë 24-orëshe e linjave të transportit urban në kryeqytet, pasi punëtorët vijojnë të mos marrin pagat. Veç të tjerash, të rinj të organizuar edhe në rrjetet sociale kanë dërguar një peticion në Ministrinë e Transportit, ku kërkojnë që çmimi i biletës dhe i aboneve të mos rritet, pasi protestat e tyre do të përshkallëzohen, transmeton shekulli.

Nga ana tjetër Shoqata e Transportit Urban Qytetas kërkon të vihet në zbatim dakordësia e tyre me Ministrinë e Transportit që bileta e urbanit të shkojë 50 lekë. Gjithashtu, ata kërkojnë të bëhet indeksimi i çmimit të biletës, plus kompensimi për personat që me ligj e përfitojnë shërbimin urban falas. Këto kërkesa i janë bërë të ditura me anë të një letre të hapur edhe kryeministrit Edi Rama. Institucioni që është shprehur kundër rritjes së çmimit të biletës, është Bashkia e Tiranës, e cila, kalimin e kompetencave vendorëve për ndryshimin e çmimit, nuk e ka konsideruar zgjidhje.

Lajme të ngjashme

Back to top button