I’m with HER! Unë jam me Hillary-n!

Amerikanët sot më shumë se kurrë janë në sprovë me intelektin e doktrinës së tyre!!!

Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të zgjedhin sot në datën 08 Nëntor drejtuesin/sen e 45-të të vendit të tyre. Personalisht, do ta quaja një garë, një sfidë dhe një luftë vizionesh e kulturash, ku për herë të parë si në shumë pak raste në historinë e saj të zgjedhjeve presidenciale dhe jo vetëm, Amerika dhe amerikanët janë në një sfidë doktrinare dhe vizioni që vë në diskutim më shumë se kurrë inteligjencën e Doktrinës Themeluese të përcaktuar në vizionin e etërve të kombit më të fuqishëm të botës. A do të pranojnë amerikanët të vetëmbyllen apo do t’i hapen botës më shumë?

Ethet kanë filluar… jo prej ditësh, as prej javësh e as prej muajsh por prej më shumë se një viti tashmë. Spektakli nuk ka munguar e sot jemi në skenën e madhe… Përballë historia na ka nxjerrë dy figura: Republikanët, manjatin e suksesshëm Donald Trump dhe Demokratët zonjën e fortë të tyre Hillary Clinton. Kush sigël do të shfaqet në finalen e ekranit?, elefanti apo gomari?, kush ngjyrë do të mbizotëroje skenën?, bluja apo e kuqja?, cili do të ketë fatin të ngjitet në podiumin e fituesve pas orës 12:00 me orën shqiptare të mbrëmjes së sotme? dhe do t’i drejtohet kombit amerikan dhe botës mbarë me statusin e liderit të ri???

Për Hillary-n, ish Zonjën e parë të Shteteve të Bashkuara, me një eksperiencë të larmishme në fushën e marrëdhënieve publike, hyrja për të disatën herë në këtë lojë filloi që në Prill të vitit 2015 me një mision:

“Hillary kandidon për presidente të Shteteve të Bashkuara sepse çdo ditë amerikanëve iu duhet një kampion dhe këtë herë dëshiron të jetë ajo kampionia. Kur familjet janë të forta, Amerika është e fortë”, – deklaroi kandidatja demokrate në lançimin e parë të njoftimit se përse ajo po hynte në këtë garë.

Ashtu siç e ka treguar tashmë në të gjithë jetëshkrimin e saj, askush nuk ka dyshim se ajo është një zonjë e fortë që diti të mbante një familje të fortë. Personalisht Hillary-n e respektoj për vendimarrjet e saj në shumë momente por mbi të gjitha e respektoj sepse ka ditur t’u tregojë amerikanëve dhe të gjithë ndjekësve të saj në të gjithë botën se ajo di që në jetë të përplaset fortë dhe t’i fitojë gjërat vetë. Di të marrë atë që i takon.

E tregoi vizionin e saj që kur ishte një vajzë kolegji në Wellesley, e ka treguar në jetën publike por edhe në atë private. E tregoi se ka guximin për të marrë atë që do, qoftë kjo dhe në çështje të zemrës, siç ishte rasti kur në Pranverën e vitit 1971 guxoi t’i drejtohej hapur atij që në të ardhmen e afërt do të bëhej bashkëshorti i ardhshëm i saj dhe Presidenti i Shteteve të Bashkuara, por e tregoi edhe në përplasje publike e private edhe kur ishte Zonjë e parë.

“Të drejtat e grave janë të drejtat e njeriut dhe të drejtat e njeriut janë të drejtat e grave”, – guxoi t’u thoshte ajo drejtuesve të të gjithë botës në Konferencën Ndërkombëtare në Pekin.

Por askush nuk do ta mendonte që këtë herë në sfidën e disatë të saj për të qenë në krye të vendit, znj. Clinton do ta priste përballja më spektakolare që amerikanët mund të kenë parë në garat presidenciale. Ironikisht do të kishim një përplasje në të gjitha këndvështrimet.

Spektakli dhe Show hynë në garë në Qershor të vitit 2015, atëherë kur biznesmeni e manjati i shquar Donald Trump vendosi të vërë në sfidë jo vetëm zgjuarsinë e tij por hyri në lojë fort duke sfiduar çdo hamendje e dyshim. Në fillim askush nuk e morri seriozisht, e injoruan dhe neglizhuan por vetëm një vit më pas në Korrik 2016, ai arriti të nominohej nga Partia Republikane si kandidati i rradhës për President të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. E pamundura kishte ndodhur. Trump arriti të nxirrte jashtë loje shkëmbijtë e vjetër të republikanëve, kam parasysh këtu Bush-ët e jo vetëm, dhe po u tregonte të gjithëve se ky njeri duhej marrë seriozisht.

Personalisht me hyrjen e Trump mendoj se loja arriti të marrë një tjetër kuptim. Trump erdhi nga poshtë e iu imponua Republikanëve jo vetëm me egërsinë e një lideri tregu por edhe me një filozofi që rrëzoi politikën e tyre prej vitesh. Vëmendja nga kjo, u bë më e madhe dhe si një njeri me inteligjencë dhe nuhatje të fortë në strategjitë e marketingut, Trump e kuptoi se me një strategji jepu atë që duan dhe merr atë që kërkon, do të arrinte të ngjitej lart në objektivin final të tij. Nuhatja nuk e la të gabonte. Rezultoi i suksesshëm. Jo vetëm kaq por ka arritur të nxjerrë përpara amerikanëve një Doktrinë të re. Po vë në sfidë vizionin e tyre. Janë tronditur ekuilibrat jo vetëm politik por të të katërt pushteteve. Tashmë çdo kush i trembet “Doktrinës Trump” dhe nuk ka kaluar pa e marrë seriozisht atë.

“Ta bëjmë Amerikën, të madhe edhe njëherë”, – thotë ai, dhe nuk ka asnjë dyshim se loja për të nuk ka mbaruar. Ai beson fort në këtë lojë dhe do të rezistojë deri në minutën e fundit, madje duke mos përjashtuar surprizat edhe aty. Kjo u theksua e qartë jo vetëm në tre debatet e fundit por këtë besim e bëri të qartë edhe në Konventën Republikane kur deklaroi: “Në fillim të kësaj gare askush nuk e besoi, por ja ku jemi sot…” – u tha ai të pranishmëve në fjalimin e nominimit si kandidat zyrtar për President.

Po a është Donald Trump ai që duket???

Personalisht do të më pëlqente të besoja se jo. Shpresoj se Trump nuk i mendon dhe as që nuk i ka objektiv ato që thotë, kjo do të ishte vërtet një fatkeqësi për ata që e kanë konceptuar ndryshe vizionin perëndimor.
Por a duhet neglizhuar ai? Mendoj se sot, më 08 Nëntor ka ardhur momenti që lojës t’i jepet fund.

Sot nuk kemi më një lojë.

Tek dëgjoja e konspektoja me vëmendje dy Konventat, atë Republikane e Demokrate në Korrik të këtij viti, absolutisht arrita në përfundimin se kemi përballë jo vetëm dy kultura por edhe dy Doktrina që janë tejskajshmërisht të kundërta me njëra tjetrën.

Njëra ka sigurinë, tjetra ka nervin. Njëra palë ofron qetësinë e tjetra dhunën.
Njëra forcën e tjetra llogjikën. Njëra vizionin për hapje përtej mureve, e tjetra mbylljen, izolacionin duke i ngritur muret.

Dëgjoni fjalimet e Hillary-t e Trump, shikoni qetësinë, fisnikërinë, vizionin politik të Chelsea-s në fjalimin e saj dhe fjalën plot ton të Ivankës. Dëgjoni Bill Clinton dhe Melania Trump. Mjafton të vendosni përballë njëra-tjetrës këto fjalime dhe do të shikoni që i ndajnë jo vetëm dy ngjyra, jo vetëm dy parti, jo vetëm dy kahe, e dy simbolika kafshësh por ato ndahen tejskajshmërisht nga dy vizione e doktrina krejt të kundërta.

Lufta e gjinive – e quanin mediat prestigjoze amerikane sot. Por personalisht mendoj se kjo e fundit, është vetëm një pikë e këndvështrimit të të parit të diapazonit të madh që historia ka vendosur përballë amerikanëve sot në këto dy paralele. Nuk është vetëm luftë gjinish, nuk është vetëm luftë ngjyrash, por është luftë mentaliteti. A do ta thyejnë amerikanët mentalitetin e tyre sot? A do të na tregojnë ato një hapje në mentalitet apo një mbyllje?

Mendoj se amerikanët nuk duhet ta shikojnë më këtë si lojë dhe as si spektakël. Sot ata kanë në sprovë inteligjencën e vizionit të tyre. Sot është një vendimarrje jo vetëm për Kombin Amerikan por për të ardhmen e gjeopolitikës botërore.

Amerikanët kanë përballë dy kultura, dy doktrina dhe dy vizione. A do të dijnë ato të zgjedhin të duhurin që nesër historia të mos i gjykojë? Kjo do të mbetet për t’u parë sot. Sot Amerikanët flasin.

Për ta mbyllur, pasi i kam dëgjuar e ridëgjuar pothuajse të gjitha fjalimet e dy kahëve, pasi kam ndjekur e po e ndjek me vëmendje e plot pasion këtë spektakël prej më shumë se një viti, sot nqse do të isha amerikan unë do të isha me atë. Unë do të votoja Hillary-n.

Sot jam me Hillary-n sepse jam me vizionin e demokratëve. “E vetmja gjë nga e cila duhet të kemi frikë është frika.” E sot frika që duhet të mposhtim, është frika nga rrëzimi i mureve, frika e hapjes, frika e ndryshimit të mentalitetit. Frika e të parit të gjërave me një vizion të ri. Frika është injorancë por edhe pengesë. Frika është paaftësi. E për ta mposhtur ka vetëm një ilaç, të qendruarit të bashkuar dhe të fortë sëbashku. Sot koha e vizioneve po thërret. Unë besoj se Amerika është e madhe por është e heshtur. A ka Amerika probleme? Absolutisht që po! A ka nevojë për reformime? Absolutisht që po! A ka ajo të paaftë në politikbërjen e saj kombëtare e ndërkombëtare? Absolutisht që po! Por a duhet të vetëizolohet ajo? Absolutisht që jo!

Amerika është e madhe sepse Amerika është e mirë. Amerika të jep mundësinë të sfidohesh, të hysh në lojë, madje dhe ta sfidosh, kjo është Amerika që etërit themelues vizionuan mbi 200 vjet më parë. Janë të paaftët, jo profesionistët, mediokrit, arrogantët, frikacakët dhe jo guximtarët ata që tentojnë ta bëjnë Amerikën e vogël.

Ndaj sot Amerika dhe Amerikanët kanë mundësinë e historisë. Unë jam me demokratët dhe dëshiroj t’iu drejtohem amerikanëve jo me gjuhën e një demokrati por me gjuhën e një Republikani të madh, vizionin e të cilit, mendoj se Donald Trump e hodhi poshtë me retorikën e murit.

“Z. Gorbaçov, rrëzoje atë mur!!!” – tha Ronald Regan dikur, e sot hija e tij shpresoj të hyj në vetndërgjegjen e kombit amerikan duke e thërritur fort atë me përgjegjësinë e vendimmarrjes përpara historisë: “TË NDERUAR ZGJEDHËS AMERIKAN, MOS E LEJONI TË NGRIHET AI MUR!!!”.

Unë jam me të!!!

Unë jam me Hillaryn!!!

Sigurisht janë amerikanët që vendosin, cilidoqoftë vendimi i tyre, mbetet për t’u respektuar.
Në fund Historia le t’i gjykojë!!!

 

Lajme të ngjashme

Një koment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button