Deputetja nga Çairi a kaq shpejtë i ka harruar kumanovarët që ia dhanë votën?!

Shkruan: Fitim Elezi

Deputete e nderuar mandati juaj katër vjeçar po iu afrohet fundi, por mua më lindi pyetja si do vini prapë në Kumanovë të kërkoni votën për një mandat të ri, kur e dini të gjithë ne kumanovarët që pas mandatit të fituar nga ne vizita juaj e parë dhe e fundit në këtë zonë ka qenë tubimin në zgjedhjet lokale në Komunë të Likovës. Që nga ajo ditë nuk ke gjetur kohë që të vizitosh Kumanovën, as për të mirë e as për të keq!

Me çfarë “rrena” do kërkoni mandat të ri? Jo deputete e nderuar, jo nuk “hamë” më bari ne kumanovarët, se gjithmonë NE e kemi marrë “bajrakun” për të mirën e qyteteve tjera, ndërsa për ne askush nuk po kujtohet së paku 5 minuta të mendojë për NE. Si i kanë hallet familjet e dëshmorëve? Si të hapim vende të reja pune në Kumanovë? Si të zhvillojmë infrastrukturën, arsimin, ekonominë në këtë zonë? Apo ndoshta nuk keni kohë të merreni me kumanovarët sepse keni dertin tek kontesti i emrit me Greqinë apo ndoshta tek presidenti konsenzual?

Ju të gjithë politikanët që kërkuat vota, mos harroni që buka që të ushqen ajo bukë do të vret një ditë!

A kaq shpejt e harrove se ku gjendet Kumanova?

Kumanova shtrihet në pjesën veriore të Maqedonisë, rrëzë Malit të Zi të Shkupit, mes kufirit me Serbinë në veri dhe Kosovën në veri-perëndim (këtu ku jemi te Kosova, patët premtuar nga Sheshi i Kumanovës që do të hapni kufirin me Kosovën, por si duket Haxhi Iseni kishte të drejtë!)

Në pjesën perëndimore të qytetit, rrëzë maleve të Karadakut shtrihet një numër i madh i fshatrave të banuara kryesisht me popullsi shqiptare. Malet e larta përreth dhe fusha e gjërë pjellore i japin një pamje të bukur dhe tërheqëse këtij rajoni.

Kumanova ka pozitë gjeostrategjike shumë të rëndësishme, ku kryqëzohen rrugët automobilistike që lidhin Selanikun me Beogradin, pastaj Shkupin me Qustendillin, si dhe hekurudha që lidh Athinën me Vjenën.

Kumanova lidhet edhe me disa rrugë regjionale si Kumanovë–Shkup (Udha e Shkupit) si dhe Kumanovë-Preshevë (Udha e Preshevës).

Të gjithë ju që jeni të kyçur në politikë dhe që kërkoni pushtet nga populli, MOS HARRONI SE POPULLI TË JEP PUSHTET, POR EDHE POPULLI TA MER ATË PUSHTET!

Lajme të ngjashme

Back to top button