Berisha: Me Gruevskin kemi bashkëpunuar, tani duhet të heq dorë nga lumi Radikë

Kryetari i Partisë Demokratike në Republikën e Shqipërisë, Sali Berisha thotë se e vërteta është se ka projekt ide e cila për çdo vepër përbën bazën e mjaftueshme për të gjitha vendimet politike, juridike, ekonomike, tenderuese, financiare po kështu edhe për devijimin e Radikës dhe ndërtimin e hidrocentralit të Lukovës.

Portalb: Si e vlerësoni Qeverinë Rama për çështjen e devijimit të lumenjve, Radika dhe Vjosa, dhe mendoni se do të jetë Pro këtij projekti famëkeq, gjegjësisht “Fusha e Lukovës”?

Sali Berisha: Lidhur me devijimin e lumit Radika qëndrimi i qeverisë Rama është  problematik , jo transparent. Në fillim qeveria mashtroi kur deklaroi se nuk është biseduar , se nuk ka projekt etj, qëndrime këto që janë tejet të dëmshme dhe shkojnë më shumë me politikën laisses faire (mosndërhyrje). E vërteta është se ka projekt ide e cila për çdo vepër përbën bazën e mjaftueshme për të gjitha vendimet politike, juridike, ekonomike, tenderuese, financiare po kështu edhe për devijimin e Radikës dhe ndërtimin e hidrocentralit të Lukovës. Ky projekt i është  dorëzuar prej kohësh Bankës Botërore për financimin e veprës. Qeveria Shqiptare ka biseduar me autoritetet maqedonase në vitin 2004 dhe në vjeshtë të vitit 2013 për këtë projekt , por ka mbajtur fshehtësi të  madhe për këto bisedime. Qëndrimi im ka qenë si vijon:”Kam kërkuar në mënyrë të përsëritur autoriteteve maqedonase fillimin e negociatave për një marrëveshje të re me ujërat. Por kjo kërkesë nuk është marr parasysh nga pala maqedonase .Nga ana tjetër për mua marrëveshjet e ujërave më ish Jugosllavinë janë të vdekura mbasi ato nuk janë ri konfirmuar nga palët edhe 20 vite pas shpërbërjes së RFSJ. Qeveria e Maqedonisë në asnjë rast nuk ka biseduar me qeverinë time për projektin e devijimit të lumit Radikë.

Portalb: Dibranët i kanë sytë tek ju në Shqipëri, a do të i ndihmoni  ju si opozitë e Qeverisë Rama?

Sali Berisha: Qëndrimet e mia  unë ja konfirmova edhe kryetarit te komunës së Dibrës, Ruzhdi Lata që janë në mbështetje të plotë të qëndrimit të drejtë të komuniteteve të Dibrës, dhe të tjera  që me shumë të drejtë e kundërshtojnë devijimin e lumit i cili si  të thuash e denatyralizon Dibrën, dëmton thellë Mavrovën. Ai është një projekt me qëllime të mbrapshta të vjetra gjeopolitike dhe ne mbështesim fuqishëm qëndrimet e drejta të komuniteteve që pa dallime etnike kundërshtojnë këtë projekt , sikundër ne që  do të  kundërshtojmë çdo mbështetje të projektit nga mazhoranca aktuale në Tiranë.

Portalb: Si e vlerësoni punën e kryetarit të komunës së Dibrës, Ruzhdi Lata që mbron Radikën dhe përmban anën e komunitetit dibran?

Sali Berisha:  Unë jam shumë mirënjohës Këshillit komunal për nderin që më ka bërë( Së shpejti Berisha do të shpallet qytetar nderi i Dibrës) . Mendoj se kryetari Lata mban anën që duhet të mbajë dhe po bën një punë të shkëlqyer për sensibilizimin e opinionit mbarë shqiptar dhe ndërkombëtar për çështjen e devijimit të lumit të Radikës dhe pasojat shumë të rënda të këtij projekti, Unë bisedova gjatë për këtë problem me Latën , argumentet e tij ishin të drejta dhe bindëse.

Portalb: Opinioni juaj për Gruevskin, ju keni pasur takime të shumta me kryeministrin, a mendoni se ai bën gjëra  në dëm të shqiptarëve të Maqedonisë?

Sali Berisha:  Me kryeministrin Gruevski kemi bashkëpunuar me sukses në të gjitha fushat. Për mua dhe qeverinë tonë marrëdhëniet me Maqedoninë kanë qenë gjithnjë të një rëndësie të veçantë. Stabiliteti i Maqedonisë është thelbësor për paqen dhe stabilitetin e rajonit. Mendoj se më shumë duhet të bëhet për marrëdhëniet ndëretnike , zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, qëndrimin ndaj luftëtarëve të lirisë. Janë lënduese për  shqiptarët simbolet e barbarive serbe ndaj tyre në Kumanovë, Shkup etj

Portalb: Mesazhi juaj për dibranët a do ketë shpresa të mbrojmë perlën tonë që na e ka dhuruar Perëndia, Radikën?

Sali Berisha: Unë kam besim të plotë se problemi i lumit Radika do të zgjidhet në përputhje me vullnetin e qytetarëve të  Dibrës dhe komuniteteve tjera. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button