Qeveria nuk diskutoi për “Jugohromin”, Ahmeti: Ende nuk e dimë kur do mbyllet

E PËRDITËSUAR

Portalb.mk njofton se mbledhja e Qeverisë ka mbaruar ndërsa askush nga ministrat e BDI-së nuk ka ngritur çështjen e mbylljes së fabrikës së “Jugohromit”.

Kjo fabrikë vazhdon të punojë.

************************

Mbyllja e fabrikës së “Jugohromit” në një afat të caktuar deri sa t’i vendose filtrat mund të bëhet vetëm me vendim të Qeverisë së Maqedonisë, e cila sot mban mbledhjen por ende nuk e ka vendosur në rend të ditës këtë çështje njofton Portalb.mk.
Madje ende nuk dihet se a do të vendoset dhe kush do ta vendojë këtë çështje në rend të ditës. Të kontaktuar nga Portalb.mk disa nga ministrat e Bashkimit Demokratik për Integrim nuk ishin të koordinuar dhe nuk u përgjigjën cili nga ata do ta ngrejë këtë çështje para kolegëve të VMRO-së.
Ndërkaq, ministri i mjedisit, Bashkim Ahmeti madje shprehet për Portalb.mk se nuk ka çfarë të diskutojë Qeveria sepse Inspektorati ka sjellë vendim për ndalimin e punës së kombinatit, deri në plotësimin e standardeve ekologjike.

Vendimin e tillë thotë ai e ka bërë publik duke vizituar sot qytetin e Tetovës dhe Jegunocën – komunën ku gjendet kjo fabrikë. Megjithatë, në bazë të ligjit për Ambient jetësor të vitit 2005, pa marrë parasysh vendimet e tilla të Inspektoratit, Qeveria është ajo e cila mund ta mbyll këtë fabrikë.

Biseda e plotë e kryeredaktores së Portalbit, Elida Zylbeari me Ministrin e mjedisit jetësor, Bashkim Ahmeti.

AHMETI: Ka skaduar afati për vendosje të filtrave të “Jugohromit” dhe përderisa deri mbrëmë Qeveria nuk ka sjellë vendim për prolongim të këtij afati, sot puna e “Jugohromit” është e paligjshme sipas vendimit të Inspektoratit për Mjedis Jetësor.

PORTALB: Megjithatë, e dimë që Inspektorati i mjedisit është i pafuqishëm para Qeverisë. A do të ketë vendim sot Qeveria? Kush do ta vendos në rend të ditës këtë çështje?
AHMETI: Për vendimin që do ta sjellë Qeveria nuk mundem të ju flas se ende nuk ka sjellë asnjë lloj të vendimit.

PORTALB: Nuk ju pyesim për ndonjë institucion ku nuk jeni pjesë, por pikërisht pse jeni anëtarë ju pyesim në lidhje me vendimin e Qeverisë. Gjithçka varet prej Qeverisë, ndërkaq ju si inspektorat merrni një vendim që nuk është i zbatueshëm?!
AHMETI: Ky vendim është ligjor dhe duhet të zbatohet.

PORTALB: Si do të zbatohet, kush do ta mbyllë “Jugohromin” pa vendim të Qeverisë pasi që e dimë se nuk mund të bëhet asgjë pa lejen e saj?
AHMETI: “Jugohromin” do ta mbyllin punëtorët operativ që punojnë aty. Kanë shkuar inspektorët i kanë njoftuar me vendimin dhe ata e kanë pranuar të njëjtin dhe ata do të duhet ta mbyllin. Edhe pse jam pjesëtar i Qeverisë pa u sjellë një vendim s’mund të prejudikojmë. Deri më tani kjo çështje nuk është në rend dite dhe nuk ka arsye që të jetë, nuk shoh arsye për këtë punë të diskutohet pasi që është kryer puna e “Jugohromit”.

PORTALB: Kur do të mbyllet “Jugohromi” na e thoni saktë dhe konkretisht?
AHMETI: Ditët në vijim do të dalim me informata shtesë. Nuk kemi informatë saktë se kur do t’i vendoset dryni, por iniciativa ime është që të sillet vendimi dhe ajo është bërë, dorëzuar dhe pranuar. E kam njoftuar kryetaren e Komunës së Tetovës, do e njoftoj edhe kryetarin e Jegunocit.

Portalb.mk ka kontaktuar edhe drejtorin gjeneral të fabrikës së “Jugohromit”, Vasko Skenderovski i cili për redaksinë tonë tha që nuk njeh asnjë vendim të Inspektoratit pasi vendimet e tilla i sjell vetëm Qeveria, në bazë ligjore.

“Ne punojmë për vendosjen e filtrave, dhe kemi kërkuar edhe 18 muaj shtesë që ta mbarojë këtë proces që e filluam nga 1 korrik të vitit 2016. Për katër muaj deri më tani kemi bërë shumë punë por kërkojmë sërish nga Qeveria edhe pak afat që ta mbarojmë sepse ka shumë punë. Presim të aprovohet ky vendim, nëse jo atëherë do ta mbyllim fabrikën deri sa ti vendosim filtrat” tha për Portalb.mk, Skenderovski.

Dje organizata joqeveritare “Eco Guerilla”, publikoi një material në lidhje me prolongimin e afateve për vendosjen e filtrave dhe deklaratave të funksionarëve të cilët kanë premtuar vazhdimisht.

“Jugohrom ka pasur më shumë se dy vite kohë për ta zgjidhur këtë problem, sepse ligji që kërkon nga fabrikat të kenë filtra është nga viti 2005. Fakti që Jugohrom ka shpërfillur gjitha afatet deri tani dhe nuk është ndëshkuar nga Ministria e Ekologjisë dhe Qeveria, fakti që Prokuroria Publike e Tetovës nuk ka pranuar të procesojë asnjë padi penale ndaj këtij ndotësi si dhe heshtja e shumë institucioneve mbi këtë problem, na humb shpresat se problemi i ndotjes që i bëhet qytetarëve të Tetovës do të zgjidhet. Ajo që shohim në terren është se nuk ka as F nga filtrat. Çdo tentativë për t’i dhënë afat tjetër këtij ndotësi na jep dyshime serioze për një aferë të madhe korruptive në të cilën mund të jenë përfshirë të dy partitë qeveritare. Ne, kërkojmë vetëm dhe vetëm respektimin e Kushtetutës së RM e cila në mënyrë shumë të qartë përcakton të drejtën themelore për një ambient të pastër. Asnjë vendim qeveritar nuk guxon të vihet mbi Kushtetutën. Toleranca duhet të jetë zero, ndërsa shëndeti i qytetarëve është mbi të gjitha”, thanë nga “Eco Guerilla”.

Para dy javëve, kryetarja e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi, propozoi dhe tha që qëndron fuqishëm pas faktit që nëse nuk janë përmbushur kushtet dhe nuk janë vendosur filtrat mbrojtës në ndotësin “Jugohrom” me të cilat do të reduktohej emetimi i gazrave të dëmshëm, ky kapacitet industrial duhet të ndalojë me punë deri në fund të muajit mars 2017, pasi që sipas saj, vetë fakti që gjatë këtyre muajve kritik treguesit e ndotjes së ajrit në Tetovë arrijnë shifra alarmante, transmeton Portalb.

Arifi gjithashtu theksoi se Qeveria e Republikës së Maqedonisë duhet të ofrojë zgjidhje të qëndrueshme për problemin e lartpërmendur dhe urgjentisht të marrë përgjegjësi për dëmshpërblim dhe kompensim e të punësuarve në këtë kapacitet industrial, për periudhën përderisa ky kapacitet industrial të qëndrojë mbyllur”, tha Arifi.

Përndryshe, Kombinati i “Jugohromit” deri më tani ka shkelur disa herë afatet e qeverisë për ndërtimin e sistemit të filtrave, e cila do të duhej të kryhet në prill të vitit 2014, por ndaj këtij metalurgjiku asnjëherë nuk janë marrë masa. Sipas hulumtimeve, “Jugohrom” në ditë lëshon 30 tonë pluhur.

Prania e substancave kancerogjene PM10 në ajrin e Tetovës vazhdon të jetë e lartë.  Nga viti 2009 e këtej, Tetova dhe fshatrat për rreth po thithin ajër të ndotur, që është shumë më i lartë së sa kufiri i lejuar të PM grimcave. Nga gjithsejtë 365 ditë të vitit vetëm në 2015-tën, ajri i ndotur në Tetovë është prezentë plot 260 ditë, njofton Portalb.mk.

Megjithatë Qeveria që nga viti 2005 vite me radhë aprovon “Jugohromin” ta shtyejë afatin e vendosjes së filtrave dhe aprovon helmimin e mëtejmë.

Sipas Entit Shtetëror të Statistikës, mosha mesatare e jetës në Maqedoni është 75 vite, ndërsa mesatarja e viteve që njerëzit vdesin nga sëmundjen malinje si rezultat i ndotjes së ajrit, është 65 vjet. Nëse u referohemi këtyre të dhënave të ESHS-së, atëherë në vendet lindore të rajonit të Mediteranit, ku bënë pjesë dhe Maqedonia, në 100.000 persona – 42 prej tyre vdesin nga ndotja e ajrit”, thuhet në analizën “Politikat për uljen e ajrit të ndotur në Tetovë”, përgatitur nga Shoqata për zhvillim dhe aktivizim “AKVA” nga Struga dhe shoqata “IKT për ndryshime” nga Tetova, në kuadër të projektit FISCAST, realizuar nga “Finance Think” dhe përkrahur nga Ambasada Britanike në Shkup.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button