Qeveria krijoi kushte që 53% e të rinjve të duan të dalin jashtë vendit (VIDEO)

Në tubimin në Çair të Shkupit, kreu i BDI-së i porositi të rinjtë të “shkruajnë histori me laps e me dije”, pasi partia në pushtet sipas tij, është përpjekur të krijonte kushte që rinia ta shohë ardhmërinë në vend. Megjithatë hulumtimet e fondacionit “Fridrih Ebert” në Shkup kanë nxjerrë në pah se 53% e të rinjve në Maqedoni dëshirojnë të largohen nga vendi, njofton Portalb.mk.

“…Jeni ju ata dhe në çdo kohë dhe moment përkrahjen time dhe të gjithë institucioneve të BDI-së do ta keni. Ne do të jemi ata të cilët do ju qëndrojmë pas, ne do të jemi ata gardianë të juaj që në çdo kohë. Në çdo moment ju të ecni përpara, ju të çani rrotën e historisë, por tanimë me laps e me dije!”-porositi kreu i BDI-së, Ali Ahmeti.

“Ne jemi përpjekur që të krijojmë kushte që rinia jonë të mos shohë ardhmëri në vende të huaja, por të ardhmen ta bëjë e ta ndërtojë në vendin e vet.”-theksoi Ahmeti.

Këto fjalë mund ti dëgjoni në videon e mëposhtme, prej min. 36:12- 37:10.

Enti Shtetëror i Statistikave nuk ka të dhëna të sakta sa është numri atyre që janë larguar nga vendi, ngase regjistrimi i fundit në Maqedoni është realizuar në vitin 2002, por sipas entit në fjalë vetëm në gjashtë vitet e fundit, krahasuar me vitin 2011, këtë vit në bankat e shkollave fillore janë ulur rreth 13 mijë nxënës (1,1%) më pak, kurse numri i nxënësve në shkollat e mesme është ulur për 3.6%.

Organizata ndërkombëtare për migrim bën të ditur se gjatë vitit 2015, mbi 500 mijë qytetarë të Maqedonisë jetojnë jashtë vendit. Ndërsa hulumtimet e fondacionit “Fridrih Ebert” në Shkup kanë nxjerrë në pah se 53% e të rinjve në Maqedoni dëshirojnë të largohen nga vendi.

Përfaqësuesit e agjencive që ndërmjetësojnë në gjetjen e një pune në vendet e ndryshme të botës, thonë se është në rritje numri i të rinjve që shfrytëzojnë liberalizimin e vizave për t’u larguar nga vendi dhe më pas në formë ilegale ose gjysmëilegale, të punësohen në ndonjë vend të Evropës.

LEXO: Shfrytëzojnë liberalizimin për t’u larguar nga Maqedonia

“Liberalizimi i vizave ka bërë që të largohet një grup i madh i të rinjve, të cilët e them me shumë përgjegjësi, në mënyrë gjysmëilegale janë duke punuar në vendet ku mund të hyhet pa vizë ose me vizë turistike”, tha Zoran Koçovski, i cili drejton një nga agjencitë e shumta në Maqedoni që ndërmjetësojnë për gjetjen e një pune jashtë vendit.

Nga ana tjetër, Arben Hajrullahu drejtues i Organizatës studentore të shqiptarëve të Maqedonisë, tha se të rinjtë shqiptarë, të cilët nuk dëshirojnë të jenë pjesë e ndonjë strukture politike, e dinë se apriori me këtë janë të përjashtuar dhe nga mundësia që të zhvillojnë karrierën e tyre në institucionet shtetërore.

Madje, sipas Hajrullahut, ata kanë mundësi të limituara nëse përcaktohen për të zhvilluar një biznes privat, në këto rrethana dhe si alternativë e vetme u mbetet mërgimi.

Përderisa Dona Kosturanova nga Forumit Arsimor Rinor në Maqedoni tha se mungesa e një perspektive të qartë, bën që të rinjtë të vendosin për t’u larguar nga Maqedonia, pavarësisht se janë të vetëdijshëm se do ta kenë shumë të vështirë ambientimin në ndonjë nga vendet e Evropës./Portalb.mk

LEXO: Maqedoni, strategji të dobëta arsimore pa regjistrim të popullatës

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button