Siri, forcat opozitare ndërmarrin goditje të rënda për forcat e Asadit në Halep

Forcat e opozitës siriane kanë vazhduar operacionet e thyerjes së rrethimit të qytetit të Halepit dhe gjatë 24 orëve të fundit u kanë shkaktuar humbje të reja forcave besnike të regjimit të presidentit sirian Bashar al-Asad, raporton Anadolu Agency (AA).

Ditën e tretë të operacioneve luftëtarët e opozitës siriane kanë marrë kontrollin e disa vendbanimeve në distriktin al-Hamdaniya përgjatë hyrjes perëndimore në qendër të Halepit që është në unazën e ushtrisë siriane. Qendrën e Halepit e kontrollon opozita, por ky është rajon me rreth 300.000 civilë ku tashmë disa muaj është nën rrethim të forcave të Asadit.

Qëllimi i operacioneve aktuale të opozitës siriane është thyerja e rrethimit të ushtrisë siriane rreth Halepit.

Forcat opozitare momentalisht gjenden tre kilometra nga qendra e qytetit. Duke arritur vetëm në disa qindra metra deri te kompleksi i akademisë ushtarake, me sulme artilerike opozita i shkaktoi goditje të rënda këtij bastion të fuqishëm dhe strategjik të forcave të Asadit.

“Operacionet tona kanë për qëllim thyerjen e rrethimit të Asadit në Halepi dhe çlirimin e tërë qytetit. Operacioni ka filluar të premten dhe tashmë kemi marrë disa bastione të rëndësishme të ushtrisë siriane”, tha komandanti i forcave opozitare Ammar Saqar.

Duke theksuar se opozita siriane lufton kundër fuqive botërore ngjashëm si ushtria siriane, Rusia dhe militantët e mbarë botës, Saqar tha se operacioni ka filluar në kohën e ndërprerjes së sulmeve artilerike dhe ajrore të forcave siriane dhe ruse. Ai pohon se ndërprerja e sulmeve ajrore ndaj bastioneve opozitare ka ardhur për shkak të kushteve klimatike.

Siria është skenë e luftës së tmerrshme në të cilën nga marsi i vitit 2011 kanë humbur jetën afër gjysmë milion njerëz. E gjithë golgota dhe përleshjet e tmerrshme në Siri mund të përshkruhen përmes skenave nga Halepi, dikur metropol tregtar dhe turistik, ndërsa sot simbol i luftës në këtë vend.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button