Shoqata e të përndjekurve padit Maqedoninë në Strasburg

Të burgosurit politik kanë ngritur paditë e para për diskriminim ndaj Maqedonisë në Gjykatën e Strasburgut. Seanca e parë për padinë e ngritur nga kreu i shoqatës së të burgosurve dhe të përndjekurve politik Shpëtim Pollozhani, pritet të mbahet në fund të muajit. Shoqata fton të gjithë të përndjekurit, t’i bashkëngjiten nismës, dhe të mos manipulohen nga pushteti, transmeton televizioni Alsat. 

 “Momentalisht, numri i padive që janë nisur për në Strasburg janë 10 por ne kemi marrë përgjigje vetëm për 3 se janë në procedurë. Ne në Strasburg i drejtohemi dhe padisim Maqedoninë për diskriminim, bazuar tek Konventat Ndërkombëtare që ka nënshkruar Maqedonia kundër diskriminimit. Këtu ka diskriminim të hapur pasi ka ligj për zhdëmtimin e ish të burgosurve politikë maqedonas, ka ligj edhe për sigurimin social dhe pensional të tyre. Këto ligje ne i kemi deponuar atje, dhe ato janë argument i fortë për ta fituar, në kontestin në Strasburg. Ne nga këto dy ligje konkrete jemi shpallur si inekzistentë”, u shpreh Shpëtim Pollozhani, kryetar i  shoqatës së të burgosurve dhe të përndjekurve politikë shqiptarë.

Pollozhani njoftoi se ndaj ish të burgosurve politikë shqiptarë po ushtrohet presion dhe kërcënim nga të gjitha llojet për të mos kërkuar dëmshpërblim nga shteti.

 “Ne kemi kërkuar dëmshpërblim 10 mijë denarë, pra 161 euro për gjithë kohën që kemi qëndruar në burg. Ne deshëm sadisfaksion moral, jo material dhe shteti nuk u dakordua me asnjë mënyrë me këtë.. Një pjesë e paditësve edhe janë mashtruar, u kanë thënë, ju në padit tuaja kërkoni 161 euro dëmshpërblim po ju jeni të mashtruar, të manipuluar ju duhet t’i tërhiqni paditë për arsye se kur do të sillet ligji atëherë ju nuk do të merrni asgjë, që nuk është e vërtetë aspak. Ka presione, manipulime, mashtrime, matrapazllëqe prej të gjitha llojeve”, tha  Shpëtim Pollozhani, kryetar i  shoqatës së të burgosurve dhe të përndjekurve politikë shqiptarë.

Vendimet e Gjykatës Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut, i dorëzohen Këshillit të Ministrave të BE-së, të cilët i rekomandojnë Maqedonisë zbatimin e vendimit. Nëse Maqedonia nuk e zbaton vendimin atëherë Këshilli i Ministrave të BE-së sugjeron realizimin e të drejtave për ish të burgosurit politik të cilët në Maqedoni janë mbi 20 mijë.

Lajme të ngjashme

Back to top button