Ministri Saraçini fton kompanitë turke për te investuar në Maqedoni

Ministri i Ekonomisë Valon Saraçini sot qëndroi në një vizitë pune në Bursë, Republika e Turqisë, ku mori pjesë në Samitin ekonomik ndërkombëtar të vendeve të Ballkanit, që organizohet për herë të dytë, nën patronazhin e Qeverisë së Republikës së Turqisë.

Para zëvendës-kryeministrave të Republikës së Turqisë dhe Republikës së Kosovës, Bulent Arënç dhe Edita Tahiri, ministrave të ekonomisë të vendeve të rajonit, si dhe rreth 800 biznesmenëve nga rajoni, Ministri Saraçini prezantoi gjendjen ekonomike në Maqedoni dhe mundësitë për investimeve, duke theksuar klimën e favorshme për të bërë biznes, reformat e vazhdueshme që zbatohen me qëllim të tërheqjes së investimeve të huaja dhe përfitimet që ofrohen në zonat zhvillimore industriale teknologjike. 

Përveç Ministrit Saraçini, nga Republika e Maqedonisë në Samit mori pjesë edhe ministri pa portofol Hadi Nezir dhe 10 përfaqësues nga komuniteti i biznesit, të cilët realizuan B2B takime me kompanitë turistike, ndërsa interes më të madh për të investuar treguan industria e tekstileve, ajo automobilistike, e turizmit dhe energjetikës. 

“Maqedonia është tërheqëse për investitorët turq kryesisht për shkak të vendndodhjes së saj të mirë gjeostrategjike dhe afërsisë me tregun evropian, politika e qëndrueshme monetare dhe makroekonomike, si dhe bashkëpunimi tradicional miqësor dhe kulturor mes dy vendeve”, tha Ministri Saraçini, duke shtuar se taksat më të ulëta në rajon, përfitimet nga zonat zhvillimore, kostoja e ulët e prodhimit, fuqia punëtore e arsimuar,  politika e mbrojtjes së investimeve dhe mbështetja e investitorëve nga Qeveria, që është e orientuar drejt biznesit, janë arsyet kryesore se pse kompanitë turke investojnë në Maqedoni. 

Lajme të ngjashme

Back to top button