#Përgjegjësi është rrugë dhe rrugica pa gropa (VIDEO)

Nëpër rrugët e vendi tonë ka aq shumë gropa sa që vozitësit dhe qytetarët filluan t’i përdorin edhe rrjetet sociale për të komunikuar, për t’u informuar dhe për ta paralajmëruar njëri tjetrin për ndonjë gropë të re ose të vjetër, veçanërisht për ato më të thellat, njofton Portalb.mk.

Sa do që të kemi kujdes, vitet e fundit kjo sikur është e kotë – rrugët në Shkup por dhe qytetet e tjera sidomos të Maqedonisë perëndimore janë sikur kalon prej një krateri në tjetrin! I shmangesh një grope, përfundon në tjetrën. Ekspansioni ndërtimor është duke i rrënuar edhe rrugët sadopak të mira. Kohë pas kohe arnohet diçka, mirëpo kjo është e kotë – për një kohë të shkurtë bëhet edhe më keq. Më keq është kur bie shi dhe gropat mbushen me ujë, dhe pastaj nuk vërehen.

Siç shkruanin mediet, nga Ndërmarrja publike “Rrugët dhe rrugicat”, e cila e ka për detyrë t’i mirëmbajë rrugët e Shkupit, thonë se kanë pranuar padi civile për kompensim të dëmeve të veturave të dëmtuara.

Gjithnjë e më shumë padi ka edhe kundër komunave.

Përgjegjës për rrugët kryesore në Shkup është kryetari i Qytetit të Shkupit, ndërsa për rrugët anësore kryetarët e komunave të Shkupit. Komunat nëpër Maqedoni poashtu janë përgjegjëse në komunat e tyre, përveç për rrugët rajonale dhe autostradat, për të cilat përgjegjësinë e ka shteti.

Të gjitha ato, vitet e fundit më tepër vëmendje i kushtojnë “rregullimit kozmetik” të rrugëve, ngritjes së përmendoreve dhe mbjelljes së luleve sezonale, se sa rekonstruksionit të themeltë të rrugëve.

Jashtë rrugëve të qytetit përplot me gropa, vozitësit në Maqedoni thonë se për momentin relacioni i vetëm “normal” në vend është autostrada Shkup – Tetovë – Shkup, ndërsa të gjitha të tjerat janë të rrezikshme dhe kërkojnë kujdes të posaçëm, për shkak të vjetërsisë së tyre ose punëve të realizuara keq në to.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button