Të rinjtë nuk u besojnë mediave!

Të rinjtë në Maqedoni dhe në Ballkan në përgjithësi shumë pak u besojnë përmbajtjeve mediale, tregojnë të dhënat e hulumtimit që është kryer në 11 vende të Ballkanit të prezantuara sot në Konferencën dyditore “e-Shoqëri” me temë “Të rinjtë dhe mediat” e cila mbahet në Shkup. E gjithë kjo si pasojë e informatave të dyshimta që plasohen nëpër to.

“47 % e të rinjve vlerësojnë se mediat plasojnë informata të rrejshme, 36 % e tyre mendojnë se mediat përdorin gjuhë që stimulon ndasi ndërsa 33% e tyre mendojnë se mediat i strukturojnë lajmet në mënyrë propagandistike” tregon hulumtimi  i cili është kryer si pjesë e projektit projekti njëvjeçar të Fondacionit Metamorfozis dhe Forumit arsimor rinor (FAR) në bashkëpunim me 11 organizata të tjera të regjionit. 

Sipas po të njëjtit burim, të rinjtë më së shumti e përdorin Internetin dhe atë 77% e tyre mendojnë se është më efikas për edukim, 75 % për informim si dhe 60% për zbavitje dhe komunikim. Megjithatë të rinjtë kanë dozë skepticizmi edhe për përmbajtjet që shpërndahen në internet.

Në përgjithësi të rinjtë vlerësojnë se radioja është medium më i besueshëm. 

“Korniza ligjore nuk është e përshtatshme dhe nuk mundëson të rinjtë të shprehen lirshëm. 47% e të rinjve në Maqedoni thonë se nuk ndjehen të lirë për ti shprehur qëndrimet e tyre politike nëpër media dhe nëpër internet” thotë drejtori i fondacionit Metamorfozis, Bardhyl Jashari.

Hulumtimi gjithashtu tregon se të rinjtë në Maqedoni janë shumë pak të përfaqësuar nëpër media.

“Rezultatet tona tregojnë se mediat krijojnë përmbajtje për të rinjtë vetëm në sferën e zbavitjes dhe sportit. Të rinjtë vlerësojnë se prania e tyre është me e rrallë në media për tema më serioze siç janë politika dhe ekonomia” thotë Elena Ignatova nga Fondacioni Metamorfozis. 

Dona Kosturanova, drejtoresha e Forumit arsimor rinor (FAR) thotë se ky hulumtim është kryer për herë të parë në Maqedoni si dhe në 10 vendet e tjera të Ballkanit dhe përmes tij janë fituar të dhëna interesante dhe relevante për nevojën e të rinjve sa i përket mediave tradicionale dhe atyre sociale.

“Nuk ka shumë dallim mes të rinjve në Ballkan sa i përket përdorimit të internetit dhe mediave sociale. Ajo që e dallon rininë e Maqedonisë është se ata vlerësojnë se janë më të politizuar se vendet fqinje” thotë Kosturanova.

Në konferencë marrin pjesë 20 prezantues, 10 punëtori interaktive, 2 diskutime në panel me 10 mysafirë.

Risi interesante është se pas mbarimit të konferencës do të organizohet një aheng i madh në sallën Boris Trajkovski në Shkup ku do të luajnë 5 DJ me renome.

Agjendën mund ta gjeni duke klikuar këtu. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button