Hoxhaj: Protestat po politizohen

Ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj ka thënë se protestat e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” po politizohen përmes agjendave të caktuara të partive politike. Hoxhaj, i cili në mandatin e parë qeverisës ka qenë ministër i Arsimit, ka thënë se situata e fundit në Universitetin e Prishtinës duhet të kuptohet në dy dimensione.

“Dimensioni i parë është që çdo profesor dhe çdo student pa dyshim ka të drejtë të shqetësohet për cilësinë e arsimit, ka të drejtë të shqetësohet për mënyrën e dhënies së gradave shkencore, marrjen e titujve të ndryshëm akademikë. Dhe unë mendoj që Universiteti i Prishtinës në këtë drejtim duhet të bëjë një punë shumë të madhe prej asaj se si dikush ka arritur që të doktorojë, ka arritur që të marrë titullin e profesorit, ka të bëjë direkt me cilësinë e mësimdhënies dhe me cilësinë e hulumtimit, prej të cilit varet mandej. Dimensioni i dytë është që ka disa agjentë të partive politike, të cilët bëjnë përpjekje që gjoja ta depolitizojnë universitetin përmes një agjende të partive të caktuara politike”, ka thënë Hoxhaj në një intervistë për VOA.

Ai ka thënë se Universiteti i Prishtinës ka një numër të madh studentësh, dhe një numër i vogël protestuesish, pa dyshim, që nuk e përfaqëson opinionin e shumicës së studentëve.

“Ajo që ka ndodhur rreth thirrjeve të rektorit, për mendimin tim mënyra më e mirë se si të adresohet një çështje e tillë nuk është dhuna, por është ndjekja e rrugëve ligjore. Është themeluar një komision në Universitetin e Prishtinës, i cili duhet të hetojë se çfarë ka ndodhur me publikimin e këtyre punimeve nga ana e rektorit Gashi në disa revista, që sipas asaj që kam lexuar në media, mund të jenë të rrejshme. Dua të them që mendimi im personal është që komisioni që është themeluar duhet të bëjë punën e tij dhe Universiteti i Prishtinës, përtej debatit rreth thirrjeve akademike të rektorit, duhet të jetë shumë i shqetësuar për thirrjet akademike të shumë profesorëve, të cilët në 20 vjetët e fundit për mendimin tim nuk kanë ndjekur procedurat ligjore, nuk kanë bërë botime të mirëfillta shkencore, dhe kredibiliteti i tyre akademik është në pikëpyetje. Por kjo çështje nuk i takon ministrit të Jashtëm që të japë mendime, por i takon universitetit”, është shprehur Hoxhaj.

Ai ka thënë se vendet e ndryshme, që janë ballafaquar me situata të tilla të njëjta, kanë angazhuar agjenci ndërkombëtare të akreditimit, të cilat janë marrë me verifikimin e çdo thirrje shkencore, çdo thirrje akademike të profesorit në një universitet të caktuar. “Përveç kësaj, unë mendoj se ne duhet ta shtrijmë debatin për cilësinë në arsimin e lartë përtej asaj që po ndodh në Universitetin e Prishtinës”, ka deklaruar Hoxhaj.

Lajme të ngjashme

Back to top button