Komuna hesht, projekti për “Bit Pazarin” i lajmëruar me aq pompozitet mbetet vetëm në letër!

Pothuajse në çdo fushatë zgjedhore të Bashkimit Demokratik për Integrim është premtuar realizimi i projektit të Bit Pazarit, Çair. Më e fundit ishte në Platformën promovuese të Bashkimit Demokratik për Integrim, zgjedhjet 2014, në fushën e infrastrukturës moderne dhe mjedisit të pastër në nivel komunal u premtua po i njejti projekt. Si afati i fundit për realizim ishte dhënë viti 2015. Deri më tani (27.10.2016), realizimi i projektit për Bit Pazarin, Çair nuk është realizuar.

Projekti u prezantua më 12 mars 2013, nga Kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti dhe drejtori i Ndërmarrjes ‘Skopski Pazar’, Sasho Davitkovski. Më 11.01.2014, Kryetari i Komunës së Çairit vazhdoi me arsyetime se po pritet plani urbanistik dhe se ky projekt mundë të fillojë në pranverë.

Më 28.07.2015, Këshilli i Komunës së Çairit miratoi projekt Planin e detajuar urbanistik (PDU për Kuartatin e qytetit CS 02 Blloku 4) për rikonstruktim dhe mbindërtim të tërësishëm të Bit Pazarit.

Në gusht të vitit 2015, u hap debati publik i Bit Pazarit, ku menjëherë pas, pritej realizimi i projektit.

Afati i fundit për realizim (2015) të projektit kaloi, ndërsa në terren nuk kishte ndonjë punë konkrete të realizuar. Nga Komuna e Çairit, vonesat i arsyetonin me procedurat administrative dhe miratime që duhen të merren nga shumë institucione për nisjen e këtij projekti, i cili premtohet që nga 2013-ta.

Nga Kompania “Skopski Pazar”, për redaksinë e Portalb.mk bëjnë të ditur se nga Komuna e Çairit pritet të njoftohet se kur do të fillojnë punimet.

“Nga ana jonë janë përfunduar procedurat tani pritet vetëm Komuna e Çairit të jep dritë jeshile dhe të fillojnë punimet”, thonë për Portalb nga kjo kompani.

Gjithashtu edhe Qyteti i Shkupit drejton gishtin drejt Komunës së Çairit, lidhur me fillimin e ndërtimit dhe rinovimit të “Bit Pazarit”.

“Projekti është i Komunës së Çairit, Qyteti i Shkupit është kompetent për të dhënë mendim dhe korrigjon planet urbanistike që janë dhënë nga komuna, kurse të gjitha aktivitetet e mëtejme i kryen komuna”, thanë për Portalb, nga sektori për informim pranë Qytetit Shkupit.

Kurse udhëheqësi i sektorit për urbanizëm pranë Komunës së Çairit, Xhengis Hani assesi nuk bëhet i gjallë që të jap deklaratë lidhur me atë se deri ku është procesi për këtë projekt.

Portalb.mk tentoi gjatë tërë ditën të kontaktojë me të njëjtin, por ai nuk u përgjigjej thirrjeve.

Portalb.mk gjithashtu realizoi edhe një anketë me shitësit në Pazar, të cilët ishin skeptik sa i përket këtij projekti.

“Nuk di çfarë të them, nuk e di e sata herë është që promovojnë të njëjtin projekt, më kam ndaluar se numëruari. Nuk ma merr menja që do të fillojnë punimet se shpejti, punët do të zvarriten se ende po punohet për projektin ‘Shkupi 2014’, ende nuk ka arrit që të fillojë ndonjë projekt nga ana ku banojnë në shumë shqiptarë”, tha T.M., shitës.

“Gënjeshtra parazgjedhore janë të gjitha. Na lodhën, po i njëjti premtim u bë edhe para dy viteve, e çka u bë, asgjë. Si nuk kanë turp të gënjejnë për të ruajtur kolltukun. S’ju ka ngel më fytyrë gënjeshtarëve”, tha R.T., shitës.

“Gjendja është kaotike, kështu është tani më një periudhë të gjatë dhe me të vërtetë ka nevojë për investime, por ja jemi në pritje. Na ka ngelë vetëm të shpresojmë që se shpejti do të rregullohen kushtet, se ne asgjë nuk kemi në dorë”, tha I.T.,shitës.

Kurse sipas planit, objekti i ri modern që parashihet të ndërtohet do të ketë një sipërfaqe prej 15 mijë metrash katrorë dhe do të kushtojë afër 10 milionë euro.

LEXO MË SHUMË:

Do të modernizohet Bit Pazari i Shkupit

Bit Pazari në gjendje të mjerueshme, projekti askund (FOTO)

Arkë e zbrazur për Bit Pazarin, projekti mbetet vetëm në letër?

Mexhiti prezantoi pamjen e re të Bit Pazarit (FOTO)

10 milion euro për modernizimin e Bit Pazarit

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button