Larg Olimpiadës, afër Putinit

Lojërat dimërore olimpike të cilat fillojnë sot në Soçi e pasqyrojnë gjendjen aktuale të Federatës Ruse në disa aspekte, andaj edhe trajtohen për dimensionet e shumta që nuk i takojnë fushave sportive. 

Së pari, vlerësohet që kostoja e organizimit të lojërave do të tejkalojë 50 miliardë dollarë – trefish  më tepër se Olimpiada e fundit në Britaninë e Madhe, duke e bërë Rusinë kampion sipas shpenzimeve për organizimin e ngjarjeve që shfrytëzohen kryesisht për imazh shteti ose udhëheqësish, ndërsa shumë pak për promovimin e frymës së mirëfilltë sportive dhe miqësore mes popujve. 

Kuptohet, ka shumë arsye për koston e jashtëzakonshme, që flet edhe më tepër për problemin e keqmenaxhimit shoqëror dhe financiar. Ndërkohë që mediet perëndimore dhe grupet opozitare në Rusi spekulojnë se një e treta – ose madje gjysma e buxhetit olimpik – është vjelë për korrupsion, ka të paktën dy arsye tjera objektive të cilat e kontestojnë vendndodhjen e lojërave të organizuara. 

Soçi, lokacioni i përzgjedhur radhitet mes zonave më të ngrohta të shtetit më të madh në botë, me klimë  subtropike që nuk ofron kushte për sportet e motit të ftohtë. Mbi të gjitha argumentet e natyrës gjeografike, mbizotëron fakti që rajoni i pazhvilluar i Soçit gjendet fare pranë Kaukazit jostabil, të kapluar me konflikte dhe luftë të vazhdueshme pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik, që natyrshëm e imponon nevojën e sigurimit të rreptë me mbi 100,000 efektivë. 

Është pikërisht ringjallja e mitit të Bashkimit Sovjetik, që supozohet të jetë arsyeja për shpenzimet pa karar, pavarësisht pasojave financiare dhe rrezikut për sulme terroriste. Duke qenë afër Çeçenisë dhe Dagestanit të lodhur nga lufta që përfundoi në vitin 2005, duket se nuk ka vend më të mirë se Soçi afër Evropës, për ta dëshmuar forcën e Rusisë kundrejt perëndimit. 

Nëse gjithçka zhvillohet sipas planit, kjo mund t’i japë shtytje turizmit të shkatërruar nga konfliktet, menaxhimit të keq dhe mungesës kronike të investimeve. Ngjashëm si Gjermania Perëndimore (1972) dhe Kina (2008), nuk është risi që lojërat olimpike shfrytëzohen si vegël për promovim shtetëror dhe ndryshim të imazhit në botë. Por, jo gjithmonë gjërat ecin sipas planit dhe kjo më së miri dëshmohet me rastin e Kinës, ku nuk janë shënuar avancime të dukshme në respektimin e të drejtave të njeriut. Gjermania Perëndimore, nga ana tjetër, ka një rrëfim më të dhembshëm, meqë plani për rietablim pas Luftës së Dytë Botërore u shëmtua me vrasjen e atletëve izraelitë.   

Me gjasë, përfitimi më i madh nga mbarëvajtja e Olimpiadës do t’i adresohet Kryetarit rus, Vladimir Putin, imazhi i të cilit është dëmtuar nga mungesa e sundimit demokratik në vend dhe veçanërisht ndërhyrjes në krizën aktuale ukrainase. Duke qenë në pushtet për pothuajse pesëmbëdhjetë vite, është logjike që kritikat kryesore për burgosjen e aktivistëve opozitarë, mosrespektimin e të drejtave të njeriut, si dhe korrupsionin e paskajshëm, t’i drejtohen personit që ka kontroll të plotëfuqishëm. 

Të paktën për një moment, në vendin e fshatrave të Potemkinit, suksesi i lojërave do ta shesë idenë që Rusia është në rrugë të mirë, pa çka se 75% e ekonomisë bazohet vetëm në shitjen e gazit dhe naftës, duke e importuar gjysmën e prodhimeve të konsumit. Sipas revistës prestigjioze The Economist,  40% e popullatës ruse varet nga shteti, që është punëdhënësi më i madh në një vend me sistem të rrënuar shkollimi dhe shëndetësie.

Në mungesë të pranisë së fuqishme sportive në Soçi, Maqedonia i afrohet Rusisë sipas parametrave të cekur, si pasojë e centralizimit të pushtetit, mungesës së shtetit ligjor dhe dominimit të oligarkëve. Maqedonia dallohet me pjesëmarrjen e paralajmëruar të Kryetarit Gjorge Ivanov, i cili shpreson ta takojë homologun rus, prej të cilit udhëheqësit kyçë perëndimorë distancohen për arsye të krizës ukrainase dhe problemeve me të drejtat e njeriut. 

Tipari që spikat fuqishëm, është modeli i fshehjes së dështimeve shtetërore përmes investimeve të shfrenuara, ku mjerimi i popullatës maskohet me investime larg nevojave reale. Andaj, lidhja mes Olimpiadës ruse dhe Shkupit shkon përtej frymës sportive. Krahasimi mes projektit Skopje 2014 dhe investimeve të pakontrolluara në Soçi bazohet në formulën e njëjtë: vendim-marrja e centralizuar për ta mahnitur botën me magji çasti, ku shpenzimet e dyshimta ngrisin luks në disa kilometra të kufizuar katrorë, ndërsa dinjiteti dhe të drejtat e qytetarëve janë detaj i vogël që nuk zë vend në raportet televizive për ringritjen e famshme të shtetit.  

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Back to top button