Ambasadori Timonie për vizitë në Kumanovë

Ambasadori i Francës në Maqedoni, Kristian Timonie sot e vizitoi komunën e Kumanovës ku u takua me kryetarin e komunës, Zoran Damjanovski, ndërsa në takim morën pjesë edhe zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane, Arbër Ademi dhe ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski.

Katër bashkëbiseduesit në deklaratat për mediat u përqendruan në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të cilat do të mbahen më 11 dhjetor të këtij viti. Ambasadori Timonie theksoi se e ardhmja e vendit është në Evropë.

Ai theksoi se liderët e katër partive politike kanë bërë një hap të guximshëm duke e nënshkruar marrëveshjen e Përzhinës, me të cilën, tha se kanë krijuar kushte për organizimin e zgjedhjeve më 11 dhjetor. Shtoi se është shumë e rëndësishme zgjedhjet të mbahen në kushte më të mira. Theksoi se Ministria e Punëve të Brendshme do ta luajë rolin më të rëndësishëm në zgjedhje, se është e rëndësishme që komisionet zgjedhore kudo të funksionojnë mirë, pasi që, theksoi, presin rezultate të cilat do t’i mundësojnë Maqedonisë që përsëri të hapërojë përmes rrugës së Bashkimit Evropian. Prandaj, shtoi, nevojitet aleancë nga numri më i madh i partive politike që të arrihet dhe të zbatohet kjo agjendë.

“Ju presin një numër i madh i reformave dhe sfidave, të cilat do të jenë të rëndësishme për jetën e përditshme të gjithsecilit. Me të vërtetë duhet të shkojmë përpara, ndërsa zgjedhjet e mira më 11 dhjetor do të jenë fillimi dhe jo fundi. Kjo do të jetë dëshmi se ky është vend normal dhe me të vërtetë ne me padurim e presim këtë dëshmi të kthimit të gjërave në normale”, tha ambasadori Timonie.

Zëvendëskryeministri i obliguar për Çështje Evropiane, Ademi theksoi se në takim është folur për tema të ndryshme, para së gjithash, për gjendjen aktuale politike.

“Zgjedhjet parlamentare janë me rëndësi të madhe për të ardhmen e shtetit tonë, për të ardhmen e shoqërisë tonë. Gjithsesi, detyrë e jona është të tregojmë dhe të dëshmojmë se kemi kapacitet, përkushtim të organizojmë zgjedhje të cilat i plotësojnë standardet ndërkombëtare, zgjedhje rezultati i së cilave do të pranohet gjerësisht prej të gjitha partive politike dhe prej të gjithë miqve tanë të bashkësisë ndërkombëtare, zgjedhje të cilat në mënyrë shtesë do të japin argumente se Maqedonia e meriton perspektivën evropiane”, tha Ademi.

Ai shtoi se beson se të gjitha partitë politike, faktorët politik dhe shoqërorë, do të japin kontribut në periudhën e ardhshme të vazhdojmë me procesin eurointegrues, pasi që, theksoi, anëtarësimi ynë në BE është përcaktim strategjik i shtetit tonë për të cilin nuk kemi argument tjetër. Shfaqi besim se të gjithë faktorët politik dhe shoqëror do të sillen me përgjegjësi dhe me kredibilitet në periudhën e ardhshme.

Ministri Spasovski potencoi se na pret një periudhë sensitive për Republikën e Maqedonisë, në të cilën të gjithë ne, shtoi, jo vetëm në mënyrë deklarative, por edhe në mënyrë esenciale duhet të punojmë për vendosjen e kushteve për zgjedhje korrekte dhe demokratike dhe t’u mundësohet qytetarëve të Republikës së Maqedonisë në mënyrë të pavarur, siç theksoi, pa presione të sjellin vendim në zgjedhjet e ardhshme.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button