Neymar gati për duelin me Cityn

Lajme të mira vijnë nga infermieria për Barcelonën. Rikuperimi i Neymarit është në rrugën e duhur dhe braziliani mund të rikthehet në fushë në sfidën e 15 shkurtit në “Camp Nou” ndaj Rayo Valecanos.

Lajmi i mirë konsiston në faktin që rikuperimi i sulmuesit nuk është vetëm në planin fizik, por edhe atë psikologjik, pas tërmetit që shkaktoi dalja në dritë e fakteve të papublikuara të transferimit të tij nga Santos tek Barcelona. Neymar u dëmtua tri javë më parë në sfidën e kupës ndaj Getafes, duke humbur deri tani 5 ndeshje midis kampionatit dhe kupës. 22-vjeçari po ndjek një program personal riaftësimi dhe në këto momente ka nisur punën me topin, teksa bashkimi i tij me grupin pritet të ndodhë fundjavën e ardhshme.

Objektivi i mjekëve të skuadrës është që Nejmar të jetë i gatshëm për trajnerin Tata Martino më 18 shkurt në sfidën e parë të 1/8 finaleve në “Champions League” ndaj Manchester Cityt, sfidë e cila do të luhet në Angli. Në këtë mënyrë, mendohet që braziliani të marrë disa minuta në këmbë në sfidën e 15 shkurtit ndaj Rayos në kampionat, në mënyrë që ndaj Cityt të jetë ambientuar me topin dhe fushën.

Lajme të ngjashme

Back to top button