Shkëndija dhe Shkupi kërkojnë fitore në Tetovë

Edhe pse e mërkura duhej të jetë ditë e zakonshme e stërvitjeve të rregullta të të gjitha ekipeve, ndeshja e mbetur e javës së tretë, do të luhet nesër në mes Shkëndijës dhe Shkupit.

Skuadra e Shkupit ka lënë shumë shpejt pas vete ndeshjen me Rabotniçkin, ku pësoi disfatë me rezultat 3:1 edhe pse në bazë të lojës, rezultati nuk ishte pasqyrë reale.

Por sigurisht që trajneri Ganiu është munduar që në mënyrë sa më të shpejt të punojë me futbollistët e tij, që në ndeshjen e të mërkurës kur do të përballet ndaj Shkëndijës, futbollistë të jenë të gatshëm për një sfidë shumë të rëndësishme.

“Unë besoj se kemi një ekip që e ka dëshmuar në shumë ndeshje që nuk njohim kundërshtarë që nuk mundë ti mposhtim. Do të flas shumë pak për ndeshjen e fundit ndaj Rabotniçkit ku për 45 minuta lirisht mundë të them se ishim kundërshtarë që krijuam më shumë raste, por që nuk i realizuam, ndërsa pjesa e dytë ishte krejtësisht diçka tjetër, që nga kundërsulmet kur ne kërkonim të barazojmë edhe u ndëshkuam. Me Shkëndijën na pret një ndeshje mjaft e vështirë, duke e ditur edhe kualitetin e tyre, por në asnjë mënyrë nuk shkojmë për tu dorëzuar, por e them se më së paku çka kërkojmë është barazimi në këtë përballje. E di se kemi pasur pak kohë për rikuperim, por besoj se futbollistët kanë mjaft forcë për të dalë në këto dy përballje që na presin të njëpasnjëshme me ekipin tetovar, që të marrim rezultat pozitiv”.

Nga ana tjetër nga radhët e Shkëndijës thonë se disfata me Vardarin padyshim se dhemb, por ekipet me karakter dinë të ngrihen pikërisht në raste të këtilla. “Është një betejë e humbur, por lufta e quajtur kampionat ka edhe shumë për tu luajtur dhe Shkëndija ka hapësirën e nevojshme për të dalë edhe më e fortë nga kjo situatë, me titullin e kampionit që mbetet objektiv i pakontestueshëm i klubit.

Nevojitet seri e re e fitoreve dhe në këtë drejtim barriera e parë quhet Shkupi. Ekipi nga Çairi gëzon respekt maksimal nga Shkëndija, mirëpo objektivi i ekipit mbeten tre pikët. Skuadra ka punuar të hënën dhe të martën pikërisht për këtë duel dhe futbollistët janë gati për të treguar se e diela ishte një ditë e keqe dhe se reagimin e parë do ta sjellin që të mërkurën”, thuhet në tekstin e publikuar në faqen zyrtare të KF Shkëndija.

Të përkujtojmë se ndeshja Shkëndija – Shkupi, është përballja nga java e tretë, por shkaku i shtyrjes së kësaj ndeshje ndodhi për shkak se Shkëndija luante në fazën e kualifikimeve të Ligës së Evropës, dhe Shkupi kishte pranuar që kjo ndeshje të mos e pengojë ekipin tetovar në ecurinë e kësaj gare.

Shkupi në duelin ndaj Shkëndijës do të jetë e kompletuar, pasi nuk ka futbollist të lënduar (përveç Husein Demirit), ndërsa nuk ka të ndëshkuar asnjë futbollist me karton. Ndeshja Shkëndija – Shkupi luhet të mërkurën në qytetin e Tetovës me fillim në orën 14:30. /Portalb.mk/

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button