Përmbyten rrjetet sociale, të gjithë shqiptarët nderojnë këngetarën e madhe Vaçe Zela

Miq, kolegë, politikanë, zyrtarë të lartë dhe mijëra qytetarë të thjeshtë kanë shprehur vlerësimet dhe dhimbjen për ikjen e Vaçe Zelës, ikonës së muzikës shqiptare, e cila u nda sot nga jeta në moshën 75-vjeçare, në Zvicër ku dhe jetonte prej vitesh.

Presidenti Bujar Nishani: “Në këto çaste dhimbjeje, kur mbarë kombi ynë po përjeton me hidhërim të thellë humbjen e këngëtares së papërsëritshme Vaçe Zela, dëshiroj të shpreh, edhe në emër të shtetit shqiptar, ngushëllimet më të ndiera e të sinqerta. Vaçe Zela ishte magjia e madhe që e bëri kombin shqiptar të gëzojë dhe të jetë optimist për jetën, edhe kur jeta premtonte shumë pak mirësi…Vaçen tonë do ta mbajmë mend përjetë me admirim dhe mirënjohje për kontributin e saj të paarritshëm artistik, që e kurorëzoi me plot të drejtë si ‘Mbretëreshën e këngës shqiptare…Familja, të afërmit, miqtë dhe dashamirët e panumërt do ta vuajnë mungesën e saj të pazëvendësueshme, por shpresoj që forcën për ta përballuar këtë humbje kaq të madhe do ta gjejnë tek shpirti i saj i pavdekshëm prej artisteje mbarëkombëtare, që do t’i shoqërojë e do t’i bekojë përjetë me ngrohtësinë e zërit melodioz, interpretimet e paharrueshme dhe vlerat e saj të rralla njerëzore”.

Kryeministri Edi Rama: “Në një kohë e vend tjetër Vaçja do ishte yll i ndezur në qiellin e botës, iku duke lënë përjetë ndezur yllin e vetë në qiellin e Shqipërisë”.

Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro: “Valsi i lumturisë kthehet sot në requiem të pazevendësueshëm për thesarin e kombit që quhet thjesht Vaçe!”.

Një minutë heshtje në Kuvend

Kuvendi i Shqipërisë mbajti një minutë heshtje në nderim të artistes Vaçe Zela. “Vaçe Zela ishte një zë i mrekullueshëm që ka zbukuruar dhe lumturuar jetën e gjeneratave të tëra në kohë më të vështira. Mbas pothuajse 20 vjetësh mungese në skenë por gjithmonë e pranishme në kujtesën tonë Vaçja e madhe, “Nderi i Kombit”  është ende kulmi i papërsëritshëm i këngës shqiptare. Ajo është shkëlqimi i zërit të shpirtit dhe padyshim mbretëresha e kurorëzuar e muzikës së lehtë dhe popullore shqiptare. Ajo ishte njeriu që i dha emrin një epoke, ishte fëmija e shkëlqyer dhe i papërsëritshëm i këngës dhe i muzikës shqiptare”,- tha kryeparlamentari Meta.

Kreu i PD-së Lulzim Basha: “Për të gjithë ne që u rritëm me zërin e saj unik, sa më shume që koha kalon aq më e dashur dhe e veçantë është figura e saj. Vaçe Zela do te mbetet përjetë mes nesh”.

Ish-kryeministri Sali Berisha: “Dhimbje dhe zi per per boten tone kulturore dhe mbare kombin tone! Sot u nda nga jeta, kengetarja e madhe, zeri i shekullit te kenges sone, Vaçe Zela. Me zerin melodioz e te paperseritshem, me kenget dhe interpretimet e saj, Vaçe Zela dhuroi gezim, kenaqesi dhe krenari ne zemrat dhe votrat tona. Vaçe Zela jeton e do jetoje ne gjuhen me te bukur, me magjepse, ne kengen e saj, kengen e kombit tone”.

Ambasada Amerikane në vendin tonë ka shprehur ngushëllimet sëbashku me vlerësimet për Vaçe Zelën, duke e cilësuar një legjendë të muzikës shqiptare.

“Sot, Shqipëria humbi një nga këngëtaret e saj më të mëdha. Vaçe Zela ishte një artiste e madhe dhe kushdo që e ka dëgjuar atë të këndojë, mund të dëshmojë për bukurinë e zërit dhe talentin e saj të pafund. Me këngët që interpretoi, ajo u kthye në një legjendë të muzikës shqiptare – jo vetëm për brezin e saj, po për të gjithë shqiptarët e çdo moshe. Mendimet dhe lutjet tona shkojnë për familjen dhe të dashurit e saj. U prehte në paqe!”,- shkruan Ambasada Amerikane në Tiranë në faqen e saj zyrtare në Facebook.

Jozefina Topalli, deputete demokrate: “E dashura e shqiptarëve! Iku Vaçe Zela, mbeti zeri i Saj! I kendoi me dashuri pa kufi vendit te saj si askush tjeter! I gezoi jetet e shqiptareve me magjine e zerit te saj, kur nuk kishte asnje gezim per to! Ajo ishte e dashura e shqiptareve!”.

Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri: “Perulem me nderim per Vace Zelen. Iku per te mbetur ne perjetesi, ne zemrat dhe shpirtin e çdo shqiptari”.

Ndërsa ministri i Energjisë Arben Ahmetaj shkruan se vdekja e këngëtares është një ditë e trishtuar për artin shqiptar dhe jo vetëm.

“Një ditë e trishtuar për artin shqiptar dhe jo vetëm. Humbja e Vaçe Zelës është një humbje e ndjerë thellë në zemrat e të gjithë shqiptarëve, zemra të cilat Vaçja diti t’i ngrejë peshë me forcën e një vokali që i kapërcen caqet e kohës, me zërin dhe talentin e saj unik dhe të papërsëritshëm. U preftë në paqe!”,- shkruan Ahmetaj.

Ndërsa Ministri i Mjedisit Lefter Koka tha se Vaçe Zela me zërin e saj i solli dritë vendit në momente të errëta. “Shuhet ikona e këngës shqiptare, e madhja Vaçe Zela. Zëri i saj solli dritë në momentet më të errëta të këtij vendi. I pavdekshëm kujtimi i saj në zemrën e çdo shqiptari. Lefter Koka”,- shkruan Koka.

Kastriot Islami: “Mbretëresha e këngës shqiptare, do të mbetet në mendjen e çdo shqiptari kudo në botë. Vaçe Zela, këngëtarja më e madhe e të gjithë kohërave, padyshim meriton të vendoset në krye të Panteonit të Këngës Shqiptare”.

Bota e artit dhe e televizonit, mesazhe ngushëllimi për Vaçe Zelën:

Këngëtarja Aurela Gaçe: “Të dua shumë teta Vaçe dhe emri yt e zëri yt do të jetojë në memorjen e të gjithëve ne, vajzës sime do t’ia mësoj emrin dhe këngët e tua, që edhe ajo e brezat e tjerë ta dinë se çfarë thesari ka pasur Shqipëria”.

Bleona Qereti: “Vaçe Zela, mbreteresha e kenges shqipe. Ikona, frymëzimi i skenes sone. Madheshtine tende nuk e zbeh ky largim. Shqiptaret te kane dashur dhe do te te duan gjithmone per pasurine kulturore e shpirterore qe i dhurove, ti,, vula origjinale e melodise shqiptare”.

Virgjil Kule: “Ah, Vaçja, u shua! Ja, para syve tanë u shua…por nuk do shuhet kurrë ne kujtesën e kombit”.

Fatmir Toçi: “Për 60 vjet pushtoi skenen muzikore shqiptare duke mbetur edhe sot këngëtarja më e dashur dhe më e vlerësuar. Veshtire do te jete per nje kohe te gjate qe te ngjitet ne skene nje dive e muzikes me dimensionet e Vaçe Zelës”.

Dritëro Agolli: “Unë mund të them pa asnjë lëkundje se Vaçe Zela, si artiste e madhe, hapi një epokë të re në të kënduarin e këngës shqiptare dhe u bë nismëtare e një kulture moderne në këtë fushë”.

Zhani Ciko: Në këtë ditë të trishtë ku duket sikur dhe natyra ka marrë pjesë në të. Vacja, artiste shumëdimensionale. Figura e Vaces do të mbetet e paharruar dhe do të vlerësohet nga populli

Sidrit Bejleri: Nderroi jete nje nder figurat me te medha te artit skenik shqiptar… Iku pertej artistja e madhe, ajo te ciles te gjithe i referohen kur flitet per majat e vokalit shqiptar… Iku Vaçja… Paqja e Zotit qofte me te!

Irma Libohova: Jam tepër e hidhëruar. Jam këngëtare e brezit të saj dhe për mua ka qenë shkollë. Ajo ka qenë autoritare, e vendosur, në biseda që kemi pasur bashkë më tregonte shumë mbi muzikën. Për mua ka qenë mike, shoqe, dhe ngushëlloj familjen. Nuk e di, por kjo ditë e trishto. Vacja nuk ka vdekur. Për mua ka qenë krenari që krahasonin zërin tim me të sajin

Manjola Nallbani: Këngë, interpretime, emocione që shqiptarëve ju kanë shërbyer në momente të ndryshme u kanë ngritur moralin lart, dhe kjo është arritja më e madhe e një artisti që me zërin tënd tu japësh emocion, që të të këndojnë. Vacja këtë e bëri dhe gjithkush nga ne është mirënjohës për atë që dha me zërin dhe shpirtin e saj.

Qemal Kërtusha: Ajo është një medalje e madhe e muzikës, një trashëgimi e madhe, një meteor, që zbret 1 herë në 100 vjet në tokë, ashtu ishte zëri i Vace Zelës. Kur është kënduar, fëmija i parë, duke shëtitur, njerëzit na habiteshin me fjalët më të mira, duke thënë cfarë kange të bukur keni kënduar. Para se të dilte në skenë, ajo më thoshte Qemal, kam emocion, ma ver dorën tek gjoksi. Asaj sikur do i delte zemra nga vendi, por kur shkonte tek mikrofoni, e ngrinte sallën peshë. Të jepte emocion të jashtëzakonshëm.

Myfarete Laze: Këngëtare komplekse për të gjitha zhanret. Kam pasur fatin që të këndoj këngë në festival, kompozime me të. Vaçja një talent i rrallë…

“Sot e dje mëngjeset nisën trishtueshëm largohen nga jeta dy artistë të mëdhenj, u prefsh në paqe Vaçe Zela,”-shkruan këngëtarja Rosela Gjylbegu në rrjete sociale.

Alket Islami: “Lajm i zi!!!!!!!!!! Vaçe Zela!!!!!!! Nuk do jetë më Zëri i Shqipes!”.

Erion Kristo: “U shua dhe një yll tjetër i plejadës më të ndritur të artit shqiptar. Të qoftë e lehtë rruga Vaçe Zela. Erdhe në këtë botën tonë kaotike dhe na nënshtrove me artin tënd. Jo vetëm brezin e prindërve tanë, po edhe brezin tonë dhe brezin e fëmijëve tanë. Mbi të gjitha jam i kënaqur që ti ike duke e ditur se ne të çmonim dhe ta kemi treguar përherë dashurinë

tonë, në skenë dhe jashtë saj. Unë e di pse të adhuroj, po nuk e di pse ka njerëz të tjerë që adhurohen, edhe pse nuk të afrohen ty as te maja e gishtit. Ti ja ngrite lart stekën artit tonë, për të treguar qartë kush janë gjigantet dhe kush janë liliputët. Ne s’do të të harrojmë”.

Rudina Magjistari: “Shuhet fizikisht, por madhështia e saj e tejkalon konceptin kohë! U prehsh në paqe, Vaçe Zela!”.

Beatrix Ramosaj: ”U prefsh ne paqe, e madhja Vaçe Zela! Zeri jot do te jetoje gjithmone ne zemrat tona!”.

Ngushëllime nga liderët e vendeve të rajonit për Vaçe Zelën:

Gjithashtu edhe kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi ka komentuar vdekjen e Vaçe Zelës duke e quajtur ikonë e muzikës shqiptare.

“Me pikëllim mora lajmin për ndarjen nga jeta të këngëtares dhe artistes së shquar Vaçe Zela. Vaçe Zela ka qenë dhe mbete ikonë e muzikës së lehtë dhe asaj popullore, një zë origjinal, i papërsëritshëm dhe unikat në muzikën shqiptare. Zëri i mrekullueshëm dhe këngët e saj për Atdheun janë perla të përhershme të trashëgimisë sonë muzikore. Ngushllime familjes dhe dashamirëve të shumtë. // H.TH.”,- shkruan Thaçi.

Qytetarët e përcjellin me këngë

Humbjen e Vaçe Zelës e kanë përcjellë edhe qytetarë të thjeshtë, të cilët në rrjete sociale posotojnë këngë të saj si për të kujtuar se një këngëtare e madhe përcillet me këngë dhe jo më lot.

“Artiste si Vaçe Zela e kanë fituar betejën me jetën. Këngëtarja më e madhe me të cilën identifikohet vendi ynë. Do të mbetet mit i këngës shqipe”.

“Vdiq Vace Zela, por la gjurme historike ne muziken shqiptare. Faleminderit qe ju perkushtove publikut! U prefsh ne paqe!”.

“Shqiparet te jane mirenjohes per zerin dhe kenget qe ju ua lat trashegimi brezave qe vijne”.

“Vdiq Vace Zela, por la gjurme historike ne muziken shqiptare. Faleminderit qe ju perkushtove publikut! U prefsh ne paqe!”.

“Kombi humbi nje ikone, u prefsh ne paqe e madhja Vace Zela!”.

“Shqiperia humbi nje nga zerat me te bukur, ?#?Vace_Zela. Ngushellime te sinqerta!”./Gezeta Idea

Lajme të ngjashme

Back to top button