Turqia forcon kontrollin e internetit

Parlamenti turk ka aprovuar një projekt/ligj që parashikon forcimin e kontrollit të qeverisë ndaj internetit. Ligji do t’i mundësojë autoritetit turk të telekomunikacionit që të bllokojë faqet e internetit pa kërkuar më parë një vendim gjykate.

Ai gjithashtu do të detyrojë ofruesit e internetit që të regjistrojnë të dhënat mbi aktivitetet e përdoruesve për dy vjet dhe t’ua aksesojë ato autoriteteve.

Opozita e ka kritikuar lëvizjen në fjalë duke e cilësuar si një lëvizje kundër lirisë së shprehjes. Aksesi tek interneti në Turqi është prej kohësh i kufizuar dhe mijëra faqe janë të bllokuara.

Kryeministri turk Recep Tayip Erdogan është shfaqur hapur kundër internetit, duke e cilësuar Twitter një “kamzhik” dhe rrjetet e tjera sociale si “kërcënimin më të rrezikshëm për shoqërinë”.

Si Twitter ashtu edhe Facebook u përdorën gjerësisht nga protestuesit anti-qeveritarë për të përhapur zërat për protestat e vitit të kaluar.

Masat e reja u miratuan pas një debati të gjatë në Parlament, ku partia e zotit Erdogan, Drejtësi dhe Zhvillim, kontrollon 319 mandate nga 550. Në fillim të debatit, deputeti i opozitës Hasan Oren e krahasoi zotin Erdogan me Adolf Hitler.

“Kur ju erdhët në pushtet folët për zgjerimin e demokracisë në Turqi, por tani ju po përpiqeni të implementoni fashizmin. Mos harroni se Adolf Hitler përdori të njëjtat metoda kur erdhi në pushtet”, deklaroi Oren.

Megjithatë, zëvendëskryeministri Bulent Arinc deklaroi se nuk bëhet fjalë për diçka të tillë dhe as për çensurimin e internetit në Turqi. “Ne jemi të lirë krahasuar me shumë vende të tjera dhe kemi po ashtu liri të theksuar shtypi”, tha ai. / Top Channel

Lajme të ngjashme

Back to top button