Saliu: Maqedonasit dhe shqiptarët duhet të jetojnë me njëri-tjetrin

Nënkryetarja e parlamentit të Maqedonisë, Suzana Saliu në një intervistë për emisionin Ditari të Zërit të Amerikës thotë se çështjet ndëretnike janë më të ndjeshmet në vend.

Ajo pranon faktin se edhe pse partia e saj BDI dhe partneri i koalicionit VMRO DPMNE vite me radhë udhëheqin Maqedoninë ende nuk kanë gjetur politikat për afrimin e bashkësive etnike.

“Që jo vetëm të jetojnë por të pranë njëri tjetrit, por ndoshta duhet edhe të jetojnë me njeri tjetrin. Në Republikën e Maqedonisë, përbërja e popullatës është e përzier, e pranueshme kjo me kushtetutë. Shqiptarët janë pjesë kushtetuese e vendit, mirëpo fatkeqësisht vërehet ndarja etnike sidomos tek të rinjtë” thotë Saliu.

Sipas saj, të rinjtë janë fajtorë dhe viktima të incidenteve ndëretnike sepse “ata me shumë guxim promovojnë këto lloj ndasish dhe përfshihen në incidente”

“Disi në Republikën e Maqedonisë është bërë një trend i rrezikshëm që marrëdhëniet etnike, secilin etnitet ta çojnë drejt patriotizmit apo kombëtares, mirëpo këtu kërkohet një qasje dhe politika më serioze. Të gjithë duhet të përqendrohemi tek mënjanimi i dhunës dhe ofrimi për të rinjtë sidomos maqedonas dhe shqiptarë. Shtrohet pyetja se kush i edukon këta të rinj, kush i organizon ata dhe pastaj se si funksionon shteti juridik nëse këta përfshihen në vepra agresive ndaj njëri tjetrit. Shteti juridik, politikat ndëshkimore e sanksionuese duhet të jenë pjesë e proceseve” thotë Saliu.

Në vazhdim një pjesë e intervistës ku Saliu tregon pse ajo që nga viti 2011 nuk mund të drejtojë seancat parlamentare në gjuhën shqipe. 

VOA: Partitë opozitare shqiptare ju kanë kritikuar se nuk keni përdorur gjuhën shqipe kur keni pasur mundësinë t’i drejtoni seancat. Ju e mbani këtë post qysh nga viti 2011. Si ju përgjigjeni këtyre kritikave? 
Suzana Saliu: Është e vërtetë se gjuha shqipe me kushtetutën e Republikës së Maqedonisë është definuar si gjuhë e dytë zyrtare. Në Parlamentin e vendit gjuha shqipe përdoret në të gjitha forumet parlamentare: në shqip drejtohet edhe kryetari i komisionit parlamentar, të gjithë deputetët shqiptarë dhe ministrat shqiptarë në këto forume parlamentare. Mirëpo, fatkeqësisht ende nënkryetari i Parlamentit, në këtë rast unë, nuk e ka gjetur mirëkuptimin që të dalë dhe të drejtojë seancat parlamentare në gjuhën shqipe. Sepse, nëse seancat parlamentare do të udhëhiqen në shqip, kjo do të jetë një histori e re për Parlamentin e Republikës së Maqedonisë. Pra ky do të ishte një promovim, për së pari herë, që në kryesimin e seancave parlamentare të flitet gjuha shqipe.

VOA: Përderisa e lejon kushtetuta?
Suzana Saliu: Fatkeqësisht, ajo që është përcaktuar me kushtetutë, ka një tendencë… Nuk mund ta fshehim këtë sepse është e dukshme. Ka një tendencë që të drejtat e shqiptarëve që janë të përcaktuara me kushtetutë janë të garantuara edhe me ligje, që ato të pengohen me mungesën e vullnetit politik. Mirëpo mendojmë se gjuha shqipe është e pranishme në Republikën e Maqedonisë; është gjuhë zyrtare dhe mendojmë se në një të ardhme të afërt edhe seancat plenare të Parlamentit të Maqedonisë do të drejtohen në gjuhën shqipe.

Lajme të ngjashme

Back to top button