Ministria e Drejtësisë fshin nacionalitetin nga vërtetimi i të dhënave të Librit Amzë

Përkatësia etnike hiqet nga vërtetimi i të dhënave personale nga libri amzë, i cili merret nga ofiqari për nevoja të ndryshme.

Qytetarët ankohen se ofiqarët më nuk do ta shkruajnë përkatësin etnike në këto vërtetime për shkak të një urdhri që kanë marrë nga Ministria e Drejtësisë.

“Isha për të marrë vërtetim me të dhënat e mija personale që i kam në librin amzë, të gjitha mi dhanë përveç rubrikës së nacionalitetit. Kur pyeta se pse nuk ma shkruajnë edhe atë më thanë që është ndaluar nga Ministria e Drejtësisë që të shkruhet përkatësia etnike. Unë kërkova të dhënat e mija personale në të cilat bën pjesë edhe nacionaliteti. Ky është diskriminim, të mos me shkruhen të dhënat personale është skandal”, tha H. R. nga Shkupi.

Vetë Hashim Zekirovski nga Drejtoria për Menaxhimin e Librave Amzë pranon se është kërkuar nga ofiqarët që mos të jepet ky informacion në këtë vërtetim.

“Ne kemi kërkuar nga ofiqarët që mos të jepen vërtetime kombësie sepse është në kundërshtim më ligjin. Kurse vërtetime për të dhënat personale mund të marrin”, tha Zekirovski. 

Megjithatë nëse një qytetar e ka të shkruar kombësinë në librin amzë, juristi Osman Kadriu vlerëson se ajo e dhënë duhet të shkruhet në këtë vërtetim.

Kërkesa për marrjen e të dhënave nga libri amzë nuk duhet t’i mohohet askujt. Aty shkruan nacionaliteti dhe secili ka të drejtë të bëjë një kërkesë dhe të merr këto të dhëna. Nëse kjo gjë i mohohet atëherë shkelen të drejtat e njeriut”, tha për Portalb, Kadriu.

Portalb.mk posedon një vërtetim të ofiqarit në të cilin nuk jepet asnjë informacion më shumë se emir, mbiemri, emri dhe mbiemri i prindërve si dhe data e lindjes me numrin amzë, por për shkak të të dhënave personale, ky dokument nuk mund te publikohet.

Lajme të ngjashme

Back to top button