‘Të rinjtë dhe mediat’ me të dhëna interesante për rininë

Edhe pse të rinjtë në Maqedoni çdo ditë informohen nga media të ndryshme dhe janë të ekspozuar ndaj shumë përmbajtjeve, ata me rezerva pranojnë informacionet e servuara dhe vlerësojnë se mediat në Maqedoni shumë rrallë raportojnë në mënyrë objektive. Është ky një ndër konkluzionet e hulumtimit disamujor për të rinjtë dhe mediat në Maqedoni, të kryer nga Fondacioni Metamorfozis dhe Forumit arsimor rinor (FAR).

Rezultatet e plota të hulumtimit që përpos Maqedonisë janë përfshirë edhe 10 vende të Evropës Juglindore do të shpallen të premten në Konferencën e nëntë me radhë “e-Shoqëri” me temë “Të rinjtë dhe mediat”.

“Të rinjtë i shfrytëzojnë më shumë mediat sociale për të gjitha aktivitetet, por sërish i vlerësojnë edhe mediat tradicionale si relevante në disa fusha.  Sipas të rinjve përmbajtje më të mirë kanë emisionet dokumentare, që i theksojnë para emisioneve zbavitëse dhe emisioneve për të rinjtë ndërsa më pak janë vlerësuar filmat serial, dhe emisionet religjioze. Të rinjtë vlerësojnë se ato më shumë janë të përfaqësuar në përmbajtjet zbavitëse, modë dhe sport, por se prania e tyre është me e rrallë në tema më serioze siç janë politika dhe ekonomia” thotë Elena Ignatova nga Fondacioni Metamorfozis. 

Më 7 dhe 8 shkurt në Qendrën kulturore për të rinj në Shkup do të mblidhen në këtë konferencë ekspertë dhe aktivistë të njohur nga mbarë bota për të diskutuar dhe këmbyer ide në lidhje me aspektet e ndikimit të mediave te të rinjtë.

Në konferencë do të ketë 20 prezantues, 10 punëtori interaktive, 2 diskutime në panel me 10 mysafirë.
Risi interesante është se pas mbarimit të konferencë do të organizohet një aheng i madh në sallën Boris Trajkovski në Shkup ku do të luajnë 5 DJ me renome.

Agjendën mund ta gjeni duke klikuar këtu.

Sipas statistikave të fundit mbi 50 % e popullatës në Maqedoni përdor internetin, prej të cilëve mbi 95 % janë në Fejsbuk, kjo paraqet shkak të mjaftueshëm që t’i qasemi kësaj dukurie në mënyrë më sistematike, thotë për Portalb, organizatori Bardhyl Jashari.

“Prandaj në konferencë do të prezantohen edhe rezultatet e një hulumtimi që kemi bë në 11 vende të regjionit për atë se si të rinjtë e përdorin internetin dhe cili është raporti i tyre ndaj mediave tradicionale dhe atyre në internet. Kjo bëhet aq edhe më e rëndësishme kur kihet parasysh se të rinjtë janë përdoruesit më të shumtë të internetit por njëkohësisht edhe më të prekur nga keqinformimi dhe dukuritë e tjera negative në internet” shprehet ai. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button