Vetëm Refeti guxoi…

Sa herë që ka zgjedhje më kujtohet Refeti dhe guximi i tij.

Edhepse i rrethuar me njerëz të afërt që merren me politikë, mua sikur nuk më shkon kjo punë. Për herë të parë merrja pjesë në një tubim partiak, ku do të merrte pjesë edhe “lideri ynë”, më i madhi, i pari, njëshi, shefi, madje baba, – si i thonë disa.

Në funksion të fotografit duhej të bëja disa fotografi me porosi për t’u përdorur për fushatën e mëtutjeshme të njërit prej kandidatëve.

Në tubim kishte shumë simpatizant, kishte nga ata që janë, siç u thonë militant, që e ndjekin liderin pas, kudo që shkon ai, kishte edhe pjesëmarrës të rastit që nga kureshtja dëshironin të ndëgjonin se çka do të flitet aty e çka do të tregohet.

Dhe pas një pritjeje të gjatë prej dy orësh, dikush tha: – Po vijnë, po vijnë. Të gjithë u çuan në këmbë, duartrokitjet filluan të përhapen në korridorin e ngushtë të shkollës. Lideri ngriti duartë në shenjë përshëndetjeje dhe përmes rrugës që i kishin hapur “body gardat” e tij u afrua te rreshti i parë ku i ishte rezervuar karikja speciale për të. Pasi i përshëndeti ata të rreshtit të parë u ulë në karrike. Zhurma e muzikës së nxehtë patriotike vazhdonte të përhapej në sallën e mbushur me tymin e duhanit. Pasi qëndruam ashtu disa çaste, pasi përfundoi kënga, dhe bëmë fotografitë e nevojshme, udhëheqësi i tubimit u afrua te mikrofoni dhe filloi me përshëndetjet, në fillim përshëndeti disa funksionar të vegjël, ku pas çdo përshëndetjeje militantët duartrokisnin. Por, “tërmet” i vërtetë ndodhi atëherë kur u përshëndet lideri, të gjithë u çuan në këmbë.U deshën të kalojnë disa minuta që publiku të lodhet dhe të ndërpresë duartrokitjen.

-Për shkak se nuk kemi shumë kohë, lideri është shumë i zënë, fjalën menjëherë po ia japim liderit tonë, – tha udhëheqësi i tubimit. Përsëri duartrokitje…

 Lideri e mori fjalën në stilin e tij, Pasi i bëri një “rekapitullim” situatës së përgjithshme politike në rajon dhe në botë (si ma i ditshmi që është), foli shumëçka…, ne vetëm ndëgjonim, edhe miza sikur të fluturonte do të mund ta ndëgjonim, ishim bërë sy e vesh si thonë.

Pasi përfundoi fjalimin, sigurisht, patë brohoritje dhe duartrokitje frenetike. Kur publiku u qetësua udhëheqësi i tubimit, e falenderoi liderin për elaborimin e tij të hollësishëm që i bëri situatës politike në vend dhe në botë dhe pyeti të pranishmit: a ka dikush ndonjë pyetje për liderin? 

Për disa çaste, heshtje…,  askush nuk guxonte ta pyes asgjë liderin… se kush e di a do ti pëlqejë pyetja, mos bie në sy për të keq, se pastaj…?!

Më vonë kuptova se më parë ishin marrë vesh që të mos ketë pyetje, se pyetjet nëpër këto tubime u bëhekan me të porositur, ti do ta pyesësh për këtë gjë, ai tjetri për atë. Pra, edhe pyetjet janë të organizuara, pyetje që i don kryetari, i cili vetë gjoja nuk donë t’i tregoj, “por mbasi pyetët”, po ju tregoj (këtu zakonisht bëhet fjalë për pyetje pak më personale, ose si thonë, kur dëshiron ta hedh ndonjë gurrë për ta mat pulsin e anëtarëve dhe simpatizantëve!) dhe pastaj në formë batute përgjigjet lideri. Të tjerët duartrokasin e lideri buzëqesh, krijohet atmosfera ma miqësore.

Heshtja u prish, kur nga mesi i sallës u ndëgjua një zë: – Unë kam një pyetje! Njerëzit kthyen kokën andej nga erdh zëri, panë se ishte Refeti, dhe filluan të shikojnë njëri – tjetrin, Disa militant të afërt me struktrurën e partisë u zunë ngusht dhe filluan të skuqen, sepse e njihnin Refetin…

E, Refeti, si Refeti më, kur se pret ia krisën. Njëri aty afër tha: Kushedi se çka du shkretoje ky tash?!…  Akoma pa marrë miratimin nga udhëheqësi i tubimit Refeti nisi të flas.

– O kryetar, ti e paske pat zërin pushkë bre, po si nuk të ndëgjohet njëherë zëri atje ku duhet bre, ta dhamë votën e ke ardhë neve na bërtetë këtu, se ne i paskemi fajet, a keni ardhë të na tregoni se çka duhet të bëni apo çka  keni bërë? Mos na tregoni pallavra! Na kallxo be shoç, a du bashkona më me Shipninë a jo?… Juve ju kemi zgjedhur, ne ju kemi votuar, shkoni në parlament vetëm të reklamoheni, të merrni rroga të mira, unë nuk kam bukë të ha, skam pare për ilaçet që i marr. Ju kini limuzina moderne, audia, mercedesa, te unë nuk ka ujë për pije. Për këto na jepni përgjigje, jo se xhi bëhet nëpër botë, bota i ka punët në rregull, ne i kemi katastrofë, për këtë ju duhet të përgjigjeni.-tha Refeti me nervozizëm dhe duke mërmëritur diçka nëpër dhëmbë u ulë në karike.

Ndërkohë që Refeti i bënte këto komente u krijua një situatë e pakëndshme. Aktivistët e partisë filluan të ndërhyjnë që t’ia ndërpresin diskutimin Refetit. Dikush që ishte afër liderit i tha, “mos ia zinë për të madhe, nuk është mirë me menden ky!”. Disa të tjerë filluan të zgërdhihen nga fjalët e tij.

Një tjetër nën zë tha: Refetin për kryetar!

Mes duartrokitjeve të mëdha për liderin dhe këngëve patriotike të Ilir Shaqirit, tubimi përfundoi dhe me te edhe diskutimi i Refetit u tretë në hapësirën e ngushtë të koridorit të shkollës.

Dikush do të thoshte se vetëm të çmendurit e flasin ate që të tjerët nuk guxojnë! Nuk jam i bindur për këtë, nuk e di sa është e vërtetë kjo?! Sepse, diskutimi i Refetit (të cilin disa njerëz edhe e konsiderojnë se nganjëherë nuk është “tamam”), nuk mu dukë si i një njeriut që nuk është “tamam”, përkundrazi…

Refeti, shpesh herë e tregon një batutë, se si dikur, para disa vitesh një aktivist partiak i paskësh thënë një ish lideri partiak shqiptarë: -Si na shitët bre zotëri kryetar?! O, zotëri unë ju kisha shitur, por nuk ju blenë kush se!”- i qenka përgjigjur ai.

Thonë se guximi është fillimi i fitores, por atë natë, përveç liderit askush nuk foli, vetëm Refeti guxoi…

Kushtrim Jashari, student i Informatikës në USHT

Lajme të ngjashme

Back to top button