Ballkani në sytë e SHBA-ve

Pas vitesh investimi dhe angazhimi nga Perëndimi, Ballkani Perëndimor ka arritur sukses të konsiderueshëm. Por disa sfida mbeten ende të pazgjidhura. Në një diskutim në Fakultetin për Studime të Avancuara Ndërkombëtare të Universitetit Johns Hopkins në Uashington, pjesëmarrësit shprehën mbështetje për integrimin Euro-Atlantik të rajonit, ndërkohë që u bënë thirrje vendeve të Ballkanit Perëndimor që të vazhdojnë reformat, dhe të lënë pas tensionet ndëretnike.

Pikëpamja zyrtare e Shteteve të Bashkuara është se vendet e Ballkanit Perëndimor kanë arsye të jenë krenare – me anëtarësimin e Kroacisë në Bashkimin Evropian, marrëveshjet mes Kosovës dhe Serbisë dhe tranzicionin paqësor të pushtetit në Shqipëri.  Jonathan Moore është drejtor i Marrëdhënieve për Evropën Qendrore dhe Jugore në Departamentin amerikan të Shtetit.

“Objektivi kryesor i Shteteve të Bashkuara për rajonin është integrimi i tij Euro-Atlantik. Siç kanë thënë shumë administrata  amerikane qofshin – demokrate apo republikane – ne duam një Evropë të bashkuar, të lirë dhe në paqe – ky është fokusi ynë.

Por, Moore tha gjithashtu se vendet e rajonit duhet të përpiqen të zbusin tensionet etnike dhe kombëtare, të luftojnë korrupsionin dhe të përpiqen për reforma ekonomike, të shtojnë sigurinë dhe sundimin e ligjit. 

Korrupsioni dhe konsolidimi i shtetit ligjor ishin çështje që u përmendën edhe nga Sekretari amerikan i Shtetit John Kerry në konferencën për sigurinë në Munih të Gjermanisë javën e kaluar, ndërsa ai foli për “një prirje shqetësuese në shumë pjesë të Evropën Qendrore dhe Lindore, si edhe në Ballkan.

“Aspiratat e qytetarëve po merren nëpër këmbë nga korrupsioni, interesat oligarkike, interesat që përdorin para për të shtypur opozitën politike dhe zërat ndryshe, për të blerë politikanët dhe organet e medies dhe për të dobësuar pavarësinë e gjyqësorit dhe të drejtat e organizatave joqeveritare”, tha Kerry.

Ai theksoi rëndësinë e lidhjeve të Shteteve të Bashkuara dhe Evropës dhe tha se këto lidhje janë forcuar që nga rënia e Murit të Berlinit, kur filloi zgjerimi i NATO-s dhe në 10 vjetët, kur BE-ja filloi të zgjerohej përsëri. Dhe Moore thotë se Amerika është e angazhuar që rajoni të jetë pjesë e këtyre organizatave.

“Ne jemi të angazhuar, të vendosur dhe të interesuar në një të ardhme në BE për të gjitha këto vende, dhe nëse duan edhe në NATO. Ky ka qenë qëndrimi i Shteteve të Bashkuara për vite dhe ky vazhdon të jetë qëndrimi ynë.”

Angazhimi nga jashtë është shumë i rëndësishëm thotë Edward Joseph, me Qendrën për Marrëdhëniet Transatlantike.

“Nuk ka pasur shumë raste në rajon ku problemet e vështira janë zgjidhur natyrshëm përmes shoqërisë civile apo procesit politik. Në përgjithësi është dashur ndërhyrja nga jashtë, një katalizator nga jashtë, që do të thotë Shtetet e Bashkuara dhe aleatët tanë evropianë.”

Joseph thotë se angazhimi i jashtëm pothuajse gjithmonë ka ardhur kur ka pasur kriza – duke cituar si shembull suksesin e bisedimeve që krijuan rrugën për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë – një rezultat i diplomacisë intensive nga ana e Shteteve të Bashkuara dhe BE-së.

Të dy panelistët, Moore dhe Joseph ishin të një mendjeje se Maqedonia dhe Bosnja janë dy përjashtime për sa i përket arritjeve. Maqedonia ka pengesë për anëtarësim në NATO mosmarrëveshjet me Greqinë për emrin. Dhe Bosnja vazhdon të ketë fërkime etnike.

Joseph tha se magneti tërheqës i BE-së nuk ka funksionuar për Bosnjën për shkak se Marrëveshja e Paqes e Dejtonit, e cila i tha fund luftës, nuk po funksionon.

“Sipas mendimit tim është një patologji, një problem strukturor dhe ne e dimë se origjina e tij është tek formulimi i marrëveshjes së Dejtonit. Prandaj në librin e Richard Holbrook-ut (“To End a War”) flitej për përfundimin  e luftës dhe jo për ndërtimin e një shteti.”

Zyrtari Moore i Departamentit të Shtetit është dakord se Bosnja është shumë e komplikuar për shkak të marrëveshjes së Dejtonit e cila i dha fund luftës por e la Bosnjën të ndarë etnikisht.

“Pyetja e vërtetë është: a mund ta shpërbësh strukturën e Dejtonit dhe përgjigja jonë e prerë është Jo, nuk mundesh.”

Shumë nga vendet e Ballkanit mbajnë zgjedhje në vitin 2014. Por ende nuk është e qartë se çfarë përparimi do të shënojnë ato drejt demokracisë së plotë dhe integrimit në BE. /VOA/

Lajme të ngjashme

Back to top button