Kosovë, parandalimi i hershëm e rrit suksesin në luftimin e kancerit të gjirit

Me rastin e Muajit tetor- si muaj i vetëdijesimit kundër kancerit të gjirit, Ministria e Shëndetësisë, në bashkëpunim me Bordin Nacional për Kontroll të Kancerit (BNKK) organizuan sot një konferencë për media kushtuar Muajit të vetëdijesimit kundër kancerit të gjirit, në të cilën u fol për të arriturat e Kosovës në vetëdijesimin ndaj kësaj sëmundjeve, punën e BNKK dhe u prezantuan të dhëna nga Klinika e Onkologjisë (QKUK) lidhur më këtë çështje.

Ministri i Shëndetësisë Imet Rrahmani tha se qëllimi i kësaj konference është që qytetarëve të vendit t’u bëhen të ditura mundësitë që janë krijuar për diagnostikimin dhe trajtimin me kohë të kancerit të gjirit si përmes fuqizimit të kapaciteteve diagnostiko e terapeutike, ashtu edhe përmes zhvillimit të projekteve që kanë dhënë rezultate inkurajuese.

Në këtë aspekt, ministri tha se Bordi Nacional ka filluar zbatimin e Programit për Kontroll të kancerit,  duke zhvilluar projekte të skriningut, siç është ai për kancerin e gjirit përmes mamografisë mobile, krahas mamografisë që ofrohet në institucione shëndetësore dhe rritjes së kapaciteteve edhe në trajtim, si në Klinikën e Onkologjisë dhe shërbimet e tjera.

Duke folur për mamografinë mobile, Rrahmani theksoi faktin se që nga shkurti i vitit 2015 kur ka filluar projekti, rreth 5000 gra në Kosovë i janë nënshtruar këtij ekzaminimi dhe janë zbuluar edhe raste të kancerit të gjirit, derisa MSh është e angazhuar që bashkë me Klinikën e Radiologjisë të zhvillojë edhe një qendre diagnostike të kancerit të gjirit apo “Mamo 2” -Projekti, ndërkohë që theksoi se në kuadër të aktiviteteve të shumta që janë zhvilluar gjatë këtij muaji, do të përkrahen edhe aktivitetet për “Ecjen kundër kancerit 2016” dhe shoqata “Jeta-Vita” në realizimin e saj.

Suzana Manxhuka, dekane e Fakultetit të Mjekësisë dhe njëherësh kryesuese e Bordit Nacional për Kontroll të Kanceri (BNKK), tha se përmes zhvillimit të aktiviteteve që dalin nga ky program, pacientët në Kosovë janë duke u ndihmuar në diagnostikimin dhe trajtimin e kancerit të gjirit, gjithnjë duke përditësuar programin në përputhje me tendencat dhe zhvillimet e reja në këtë fushë.  Duke spikatur parandalimin edhe përmes vetëdijesimit si mënyrën më të mirë për të trajtuar këtë çështje, kryesuesja e BNKK tha se nga sot në media fillon emetimi i spotit vetëdijesues, derisa do të vazhdohet me skrining programe dhe rritje të kapaciteteve për të siguruar një qasje sa më gjithëpërfshirëse në luftën kundër kancerit të gjirit dhe për të prezantuar të dhënat nga Kosova edhe në institucione të BE-së, ku tashmë përfaqësuesit nga Kosova janë të ftuar për të prezantuar të dhënat e Kosovës në këtë fushë.

Drejtori i Klinikës së Onkologjisë – QKUK, Ekrem Hyseni, për veç numërimit të aktiviteteve të zhvilluara gjatë këtij muaji, përfshirë edhe ato të drejtpërdrejta me qytetarët në të gjitha regjionet e Kosovës, tha se numri i rasteve të reja me kancer të gjirit sivjet është prej 250-270, që është më i madh se vitin paraprak, por që, sipas tij, ky numër nuk prezanton rritje reale të rasteve, pasi që ka shtim të raportimit dhe përmirësim dukshëm të tij.

“Bazuar në të dhëna shkencore dhe faktike, mund të ju themi se Kosova ka për katër herë më pak raste të kancerit të gjirit se sa vendet e rajonit, dhe një prej shpjegimeve është mosha e re e popullatës në Kosovë, rastet nën 30 vjeç të kancerit të gjirit janë sporadike dhe përmirësimi i raportimit”, tha Hyseni, duke theksuar se gjatë këtij viti, janë regjistruar edhe rastet ( e qytetarëve) kosovarë që janë diagnostikuar jashtë Kosovës. Ai tërhoqi vëmendjen për kujdes, përveç femrave të moshës së rrezikuar edhe tek meshkujt, me që kanceri i gjirit, në 1 për qind të rasteve prek edhe meshkujt.

Në këtë konferencë u bë e ditur gjithashtu se më 27 tetor do të mbahet edhe Kongresi i Onkologjisë me temë kryesore metastazat e kancerit të gjirit, që organizohet nga Shoqata e Onkologëve të Kosovës

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button