Vazhdon procesi i legalizimit, Çairi i Shkupit i stërmbushur me objekte pa leje!

Procesi për legalizimin e objekteve pa leje vazhdon të zhvillohet dhe afati i përfundimit të tij është shtyrë për katër vite, në ndërkohë nuk ndalet avazi i ndërtimit të objekteve të reja të cilat nuk kanë dokumentacione të mjaftueshme për të qenë legale, njofton Portalb.mk.

Përgjegjësi i sektorit juridik pranë Komunës së Çairit, Rami Qerimi thotë për Portalb.mk  se afati i këtij procesi është shtyrë për shkak se u vlerësua se nuk mjafton periudha kohore prej 2011 deri në 2016 për të përfunduar, prandaj u shty deri në vitin 2020.

“Kërkesa për legalizim ka shumë dhe prandaj është shtyrë afati i përfundimit të këtij procesi. Kujtojmë banorët që kanë hapur lëndë të dorëzojnë elaborate për legalizim të ndërtimeve pa leje të përgatitura firmat gjeodezike deri në dhjetor të këtij viti pasi që nëse nuk sjellin të njëjtat, lëndët mbyllën dhe më nuk hapen”, tha Qerimi.

Ndërtesa në Serovë
Ndërtesa në Serovë

Përderisa ndërtimet e objekteve nuk kanë të ndalur në Komunën e Çairit, Qerimi shtoi se të gjitha ato objekte të cilat kanë shkelur ligjin nuk do të legalizohen dhe ndaj të njëjtave do të ndërmerren masa.

“Legalizimi bëhet në bazë të asaj se a është zbatuar ligji, dhe a krijon ndonjë pengesë, apo rrezik ai objekt. Nëse ndodh që nuk plotëson kushtet dhe kundërshton ligjet, atëherë ai objekt nuk do të legalizohet por ndaj të njëjtit do të merren masa. Ka objekte që plotësojnë kushtet për legalizim por edhe që nuk i plotësojnë ato”,shtoi Qerimi.

Ndërkaq banorët e kësaj komune shprehen skeptik sa i përket kësaj. Ata thonë që politika shkatërroi planin urbanistik dhe se të gjitha ndërtesat që bëhen kanë probleme me proceset e legalizimit, njofton Portalb.mk.

“Kjo ndodh vetëm tek ne, kush të dojë mund të bëjë ndërtesë, normal vetëm nëse e ka mirë me ata të komunës. Po a nuk e shohin që për faj të tyre është shkatërruar lagjja, janë ngushtuar rrugët, janë ndërtuar objekte pa leje. Për disa muaj ngeli ndërtesa pa rrymë shkaku i mos pajisjes me leje ndërtimi dhe fletëpronësi. Po askund në botë nuk ka kështu vetëm në Çair”, tha S.I.,banor.

Ish higjiena komunale Çair
Ish higjiena komunale Çair

“Të gjithë jemi dëshmitarë që çfarë po ndodh në Çair. Disa persona të fortë të komunës dhe familjarët e tyre po ndërtojnë objekte sikur me qenë kjo komunë toka e tyre personale private. Me thoni ju si mundet që të plotësojë kushtet për leje ndërtimi një ndërtesë mbi 10 kate, pa parking në një lagje të stërngarkuar siç është Serova? Jo zotëri, ajo është e ndonjë ‘të forti’ komunal sepse po të ishte e dikujt tjerr menjëherë do të rrënohej”, tha Arben T., banor.

“Banorët bëjnë çfarë të duan komuna nuk reagon, madje edhe jo bën çfarë të do. Si komuna ashtu edhe banorët e papërgjegjshëm e shkatërruan këtë komunë duke e shndërruar në kaos, po të kaloni në të gjitha lagjet e Çairit, pa përjashtim, do të shihni plot ndërtesa në vendbanime të pa përshtatshme, rrugë pa trotuare, makina të parkuara në rrugë që bllokojnë qarkullimin. Këto pamje nuk i gjeni dot në Aerodrom, Karposh e në lagjet maqedonase, sepse atje ka rregull qe respektohet, kurse te ne ka para qe vidhen”, tha Orhan Bajrami, banor.

Shkatërrimi i zonës së gjelbër në Çair
Shkatërrimi i zonës së gjelbër në Çair

“Premtime dëgjojmë shumë por asgjë nuk po realizohet, gjendja e komunës tonë po bëhet gjithnjë më e mjerueshme. Asnjë investim përveç banesave, asnjë parking me kate në komunën tonë, asnjë rregull komunikacioni. Nuk di çfarë të them, asgjë pozitive nuk ka”, tha Arta M. banore.

Ndryshe në fund të vitit skadon edhe afati për dorëzimin e elaborateve për legalizimin e objekteve infrastrukturore deri te Komunat. Bartësit e objekteve infrastrukturore, gjithashtu, duhet në kohë të kërkojnë përgatitje të elaborateve, duke pas parasysh se duhet të maten qindra mijëra kilometra infrastrukturë, njofton Portalb.mk.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button