Opozita pro zgjedhjeve të parakohshme

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), kërkon zgjedhje të shpejta parlamentare, për këtë thotë se edhe po përgatitet. Por, për ngritjen e mocionit të mosbesimit të Qeverisë ka hezitim. Ismet Beqiri sekretar i përgjithshëm i LDK-së, thotë se zgjedhjet mund të mbahen edhe para qershorit, por duhet parë se si po rrjedh reforma zgjedhore.

Ndërsa Rexhep Selimi, nga Lëvizja Vetëvendosje thekson se opozitës i mungon uniteti për ta rrëzuar Qeverinë Thaçi.

Derisa është përmendur qershori si mundësi për zgjedhjet e parakohshme parlamentare, Lidhja Demokratike e Kosovës po përgatitet që kërkojë zgjedhje para qershorit. Sekretari i përgjithshëm i kësaj partie Ismet Beqiri, thotë se duhet që sa më shpejt ky Kuvend të shpërbëhet dhe vendi të shkojë në zgjedhje parlamentare.

“Kjo nuk do të thotë në asnjë rrethanë që mund të jetë vetëm qershori apo shtatori, kjo mund të ndodhë edhe më herët, por mbetet të shihet në ditët në vijim se si do të rrjedhin gjërat sa i përket reformës zgjedhore”, tha Beqiri për Radio Kosovën.

Edhe nënkryetari i AAK-së, Ahmet Isufi thotë se vendi duhet të shkojë në zgjedhje të parakohshme.

“Duke pas parasysh funksionimin e kësaj qeverie që është me pengesa dhe hendikepe, atëherë më mirë do të ishte që të mbaheshin zgjedhjet”, tha Isufi.

Por, opozita mbetet e rezervuar sa i përket mocionit të mosbesimit të Qeverisë. Sidomos për shkak të mungesës së unitetit të partive opozitare. Lëvizja Vetëvendosje ka kërkuar çdoherë rrëzimin e Qeverisë Thaçi. Por, sipas deputetit të kësaj lëvizje, Rexhep Selimi, gjithnjë ka pasur ftesa për unitet vetëm për çështjet që kanë qenë në dëm të vendit.

“Ne jemi ftuar jo për të mirë, jemi ftuar për të keq dhe kjo është e mira që nuk kemi unitet. Është e keqja që nuk kemi unitet për ta rrezuar Qeverinë Thaçi”, tha Selimi.

Sekretari i përgjithshëm i LDK-së, Ismet Beqiri i frikësohet mundësisë që në rast të ngritjes së mocionit, opozita nuk do t’i ketë votat e mjaftueshme për ta rrëzuar Qeverinë. E këtë ia kujton edhe Lëvizjes Vetëvendosje.

“Le ta dijë edhe VV-ja që ky do të ishte një legjitimim edhe njëherë i Qeverisë nëse nuk kalon mocioni, prandaj ajo është çështje edhe serioze dhe që duhet të përgatitet duke parë rrethanat dhe momentin dhe jo vetëm të bëhet sipas inercionit, e pse jo edhe një lloj marketingu”, tha Beqiri.

Ndryshe, zgjedhjet nacionale varen edhe nga reforma zgjedhore, e cila pritet të përfundojë së shpejti, pasi që javën e kaluar Kuvendi këtë çështje e barti nga komisioni ‘ad hoc’ tek Komisioni parlamentar për legjislacion.(RTK) 

Lajme të ngjashme

Back to top button