Nikolla Gruevski kërkon 63 deputetë në zgjedhjet e dhjetorit

Kryetari i VMRO – DPMNE-së, Nikolla Gruevski, në tubimin e djeshëm partiak kërkoi shumicë parlamentare prej 63 deputetëve në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të parapara që të mbahen më 11 dhjetor të këtij viti, njofton Portalb.

“Opozita do që filmi i Zaevave dhe Verushevave të bëhet realitet, por më 11 dhjetor çdokush nga ne duhet të tregojë se në çfarë Maqedonie do të jetojë. Pas dy vjetëve agoni, ndokush prej juve e ka të qartë rëndësinë e këtyre zgjedhjeve, nuk na është e nevojshme fitorja, por na nevojiten 63 deputetë për fitore stabile dhe të fuqishme, për Maqedoni të fuqishme. 63 deputetët do të jenë fitore për VMRO – DPMNE-në dhe për koalicionin”, porositi Gruevski në fjalimin e gjatë të tij.

Duke folur për LSDM-në, ai tha se ata janë të gatshëm që t’i shesin interesat e shtetit dhe siç tha ai, të bëjnë federalizim. Ai akuzoi se opozita, sipas tij, destruktive do ta shesë Maqedoninë, ndërkaq pas zgjedhjeve t’u jep fund ndarjeve.

“Në periudhën deri në zgjedhjet nga opozita dhe mbështetësit e tyre nuk mund të presim asgjë tjetër, përveç kaosit, destruktivitetit, tentimit për provokim, PSP-së, të dalin në rrugë, por fuqinë ua pamë dhe u argumentua se nuk kanë mbështetje”, tha kryetari i VMRO – DPMNE-së, Nikolla Gruevksi, përpara të pranishmëve në sallën sportive “Boris Trajkovski” në Shkup, transmeton Portalb.

Gruevski gjithashtu tha se zgjedhjet e ardhshme do të jenë referendum për Maqedoninë.

“Këto zgjedhje do të jenë referendum kundër asaj që opozita e bëri, referendum për kthimin e temave pozitive, projekteve dhe zhvillimit, që janë pjesë e problemeve të përditshme që tangojnë njerëzit.  Zgjedhjet do të jenë referendum për Maqedoninë siç e duam të gjithë… Erdhi koha për zgjedhje dhe koha që ta dëgjojnë zërin e popullit. Zëri që gjatë kohë e injoruan, nënçmuan, përqeshën. Populli që mban mend, është i mençur dhe di mirë se çfarë në të vërtetë ka ndodhur dhe cili është qëllimi i fundit. Erdhëm deri në atë që gjatë kohë prisnin qytetarët e Maqedonisë, tek qëllimi i dëshiruar, që do të thotë fundi i fillimit të përfundimit të krizës, erdhi koha për përgjigjen që qytetarët ua përgatisin veçmë dy vite. Koha është për përfundimin e krizës”, tha mes tjerash Gruevski. /Portalb

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button