Konferenca ‘Të rinjtë dhe mediat’ tubon në një vend ekspertët vendas dhe botëror

Ekspertë dhe aktivistë të njohur nga mbarë bota do të mblidhen në Shkup, më  7 dhe 8 shkurt në Qendrën kulturore për të rinj për të diskutuar dhe këmbyer ide në lidhje me aspektet e ndikimit të mediave te të rinjtë.

Konferenca e nëntë me radhë “e-Shoqëri” me temë “Të rinjtë dhe mediat” organizohet nga Fondacioni Metamorfozis dhe Forumit arsimor rinor (FAR). Konferenca ka tendencë të vë në spikamë ndikimet që ka teknologjia e informacionit në jetën e njerëzve, konkretisht të të rinjve. 

Në konferencë do të prezantohen edhe rezultatet e hulumtimit disamujor për të rinjtë dhe mediat në 11 vende të Evropës Juglindore.

“Arsyeja pse e kemi zgjedh këtë temë rrjedh nga ndikimi që ka interneti në mënyrën se si informohen të rinjtë dhe rolin të cilin e ka ai e sidomos rrjetet sociale në informimin e tyre. Sipas statistikave të fundit mbi 50 % e popullatës në Maqedoni përdor internetin, prej të cilëve mbi 95 % janë në Fejsbuk, kjo paraqet shkak të mjaftueshëm që t’i qasemi kësaj dukurie në mënyrë më sistematike. Prandaj në konferencë do të prezantohen edhe rezultatet e një hulumtimi që kemi bë në 11 vende të regjionit për atë se si të rinjtë e përdorin internetin dhe cili është raporti i tyre ndaj mediave tradicionale dhe atyre në internet. Kjo bëhet aq edhe më e rëndësishme kur kihet parasysh se të rinjtë janë përdoruesit më të shumtë të internetit por njëkohësisht edhe më të prekur nga keqinformimi dhe dukuritë e tjera negative në internet.” thotë për Portalb, organizatori Bardhyl Jashari.

Vendet e përfshira në hulumtim janë: Maqedonia, Shqipëria, Kosova, Greqia, Bullgaria, Serbia, Turqia, Bosnja, Mali i Zi, Sllovenia dhe Kroacia.

Në konferencë do të ketë 20 prezantues, 10 punëtori interaktive, 2 diskutime në panel me 10 mysafirë, 4 shfaqje filmash dhe 5 DJ me renome mundësojnë agjendë dyditore për çdo të ri, aktivist, gazetar dhe qytetar.

Konferenca për e-Shoqëri: Të rinjtë dhe mediat i sfidon pikëpamjet tradicionale të të rinjve dhe mediave, dhe ka për qëllim të ofrojë njohuri dhe inspirim për të gjithë pjesëmarrësit.

Regjistrimi është i hapur deri në më 3 shkurt. Më shumë informata në http://e-society.mk/ .

Lajme të ngjashme

Back to top button