Saraçini: “Fusha e Lukovës” ide e hedhur në letër, por jo edhe projekt konkret

Ministri i Ekonomisë Valon Saraçini dhe  Ministri i Ambientit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Abdilaqim Ademi, sot qëndruan për vizitë në Tiranë ku realizuan takim me kryeministrin e Republikës së Shqipërisë Edi Rama i shoqëruar nga ministri i jashtë Ditmir Bushati, ai i mjedisit jetësor Lefter Koka dhe ministri i energjetikës dhe industrisë, Damjan Gjiknuri.

Temë kryesore në këtë takim ishte projekt ideja për realizimin  e mundshëm të ujëmbledhësit në Fushë Lukovë, dhe im pakti që i njëjti mund të ketë në dy vendet fqinje. Dy ministrat, Saraçini dhe Ademi sqaruan se nuk do të lejojnë realizimin e këtij projekti nëse gjatë studimit konstatohet ai mund të jetë në kundërshtim të konventave ndërkombëtare për ujërat ndërshtetërorë dhe i njëjti mund të ketë ndikim negativ në ambientin jetësor. 

Ministri Saraçini përsëriti qëndrim se projekti nuk realizohet pa marrë miratimin e vendeve fqinje por edhe të banorëve të këtij rajoni.

“Jemi këtu për të diskutuar për një projekt ide dhe për të diskutuar për atë që në të ardhmen planifikohet të bëhet. Bëhet fjalë për një ide të hedhur në letër, për një projekt ideor, por jo projekt final dhe që pritet të përfundojë deri në muajin qershor. Pasi të përfundojë projekti studimi do të ketë debate publike ku do jenë të kyçur gjithë institucionet relevante dhe përfaqësues të Dibrës”, thotë Valon Saraçini.

Sipas Saraçinit, në momentin kur projekti të jetë final dhe ne si qeveri do e kemi të gatshëm atëherë do thirret qeveria shqiptare nëse do japë pëlqimin e saj. 

“Nëse qeveria shqiptare nuk jep pëlqim deri në fund të muajit qershor, atëherë nuk do të miratohet. Rastet e çështjeve ujore diskutohen dhe nuk bëhen në formë arbitrare por diskutohen mes shtetesh. Pra kemi një projekt në letër por po që se dibrani i fundit është kundër këtij projekti, ky projekt nuk do të realizohet”, tha Saraçini.

Ministri i Mjedisit e Planifikimit Hapësinor, Abdilaqim Ademi u shpreh se nuk ka një projekt për lumin Radika. Sipas tij vazhdimësinë e projekt-idesë që nuk është hedhur në letër do e përcaktojë një studim paraprak që do të bëhet për ndikimin që mund të ketë një projekt i tillë në mjedis.

“Kjo ide e vjetër në letër nuk ka një projekt të caktuar dhe një studim të përcaktuar për ndikimin në ambientit mjedisor dhe si e tillë nuk mund të ketë shqetësime për publikun. Në bazë të konventave ndërkombëtare në rast të projekteve të tilla në një fazë të caktuar qeveria ka për detyrë të informojë opinionin. Nuk do marrim asnjë vendim pa u konsultuar me vendet fqinje dhe pa ndjekur procedurat që parasheh realizimi i një projekti”, tha Abdilaqim Ademi.  

Sipas tij, studimi që duhet të përfundojë për ndikimin në mjedisin jetësor do jetë bazë për realizimin apo jo të projektit dhe ky studim është duke u përgatitur. Nuk ka nevojë për shqetësime. Jemi në bashkëpunim me institucionet e vendit në Maqedoni dhe me vendet fqinje . Nuk ka nevojë për shqetësim dhe vendimmarrja do jetë transparente.

Saraçini dhe Ademi të shoqëruar nga homologët e tyre dhe në prani të numrit një të diplomacisë shqiptare qëndrimet e tyre i paraqitën para medias shqiptare e cila gjatë javëve të kaluara ka treguar interes të theksuar për këtë çështje. 

Lajme të ngjashme

Back to top button