Për gratë që ishin vajza dikur

Në ditë si kjo, gjithnjë e pyeste veten se pse vallë klinikat spitalore, në vend të dritave të neonit, nuk vendosnin llamba me drita të zbutura? Se ishin pikërisht këto drita neoni që të bënin gjunjët të dridhen posa të hyje brenda në ordinancë. Madje, kishte menduar edhe per ndonjë tingull muzikor në prapavijë, thjeshtë sa për t’a bërë pak më të përballueshme krejt përvojën. Sipas udhëzimeve, kishte veshur këmishën njëlloj të jeshiltë si dhe ngjyra dominuese e pajisjeve.  Dhe si një vajzë e vogël, e ndrojtur, po ngrehte poshtë këmishën, ani që pjesa e prapme ishte e ndarë në dysh, duke zbuluar kështu prapanicën tërësisht. Por ama fytyrën kishte përpara, dhe në atë çast më e përshtatshme do të ishte që të kishte këmishë për fytyrë dhe jo për të tjera gjëra. 

Ishte shtrirë pa bërë zë në karrigen për kontroll, dhe gjunët po i dridheshin akoma më shumë tani. E prapë, nuk lëshonte këmishën nga shtrëngimi i duarve. Me një të shtypur të butonit, mjeku zbuloi gjithçka. Nuk ishte hera e parë e saj në kontroll gjinekologjik, megjithatë, përjetimi ishte po i njëjti. Një zbulim i pavullnetshëm por i domosdoshëm, dhe jo vetëm i gjërave që shihen po edhe atyre që nuk i sheh dot. Instrumente të numërta, që në mënyrë sistematike, futeshin e çfuteshin, me një orkestrim të përkryer të mjekut, ndërkohë që zhurma shurdhuese e bipeve të pajisjes së ultrazërit mbyste tërësisht edhe bëzatjet e vogla të saja… ashtu e shtrirë, qesharakisht e poshtëruar, siç e kishte falë Zoti. Një pushtim i pavullnetëshëm por me leje, i integritetit të saj fizik. 

U krye shpejtë, njëjtë si herave të kaluara. As më shkurtë as më gjatë. Si rëndom, gjatë gjithë kohës kishte mbajtur sytë në dritaren e vogël që ishte aq lartë e vendosur, sa nuk shikoje gjë pos një copëze të qiellit mbi. Në përpjekje për t’a bërë sa më të përballueshme përvojën, kujtonte kohërat kur si vajzë e vogël përplasej nga biçikleta e vjetër por e vajosur mirë, që shkonte shpejtë poshtë lugut të lagjes. I thoshte mendja që atëherë gjuri i rrjepur i dhimbte më shumë po që kalonte shpejtë, sa i dilte mami përpara e i fshinte lotët ndër sy. Të paktën tani gjashtë muaj do të rrinte rehat deri në kontrollin e ardhshëm. Lëshoi frymën në lehtësim derisa po e zhvishte këmishën e neveritshme për të mbuluar trupin me rrobat e saja të dinjitetshme që me aromën e tyre i kujtonin shtëpinë- si një zonë e sigurtë larg kësaj klinike. 

U ul, në pritje të gjykimit, me mollëza të skuqura se bënte nxehtë në atë ordinancë dhe brenda saj. Ankohej për gjakderdhje të ripërsëritshme, dhe për disponim kryesisht të ultë. Po kjo e dyta s’ishte punë për gjinekolog. I erdh në mendje vërdallë dita e parë kur si 13 vjeçare kishte vërejtur njollat e para të gjakut në brekët me pika të verdha.  E dinte se çka e kishte gjetur, se fqinja në ndërtesën ngjitur i kishte treguar të gjithëve se tanimë ishte bërë grua. Më shumë se ndjenjat e pakëndshme, i kujtohej dëshpërimi se më nuk ishte vajzë e vogël. Mami, nuk kishte bërë shumë fjalë, pos që kishte lajmëruar dhe hallat për t’ju treguar se vajza është e shëndoshë dhe mirë. 

Dhe mendimet në çast i’a ndali mjeku, që zu të fliste derisa rregullonte syzet mbi hundën e trashë dhe pushonte duartë mbi bark. Ajo i vërejti gishtat e gjatë me thonj të rregulltë e të prerë deri në mish. Me gjasë e kërkonte puna.  “Lajmi i mirë”, i tha, “ është se nuk ka asgjë për t’u brengosur. Nuk ka kurrfarë patologjie. Thjeshtë, pas moshës 35 vjeqare trupi, fillon të ndryshojë!” Derisa akoma ishte duke e përtypur pjesën e parë, përnjëherë lajmi i mirë u bë më i keqi që do të mund të përballonte në atë rrethanë dhe moment. I buzëqeshi… sikur donte t’i thoshte që mos rastësisht është punë infeksioni, se megjithatë të jesh 36 vjeçe nuk është se je në moshë të shtyrë…  
Nuk kishte hequr dorë akoma nga të qenit e re. E mbante veten për një grua të mbajtur mirë, dhe sa herë shikonte veten në pasqyrë, i pëlqente imazhi që reflektohej. Kishte ca ta thinjura andej këndej, por i konsideronte mëlmesa që e bënin edhe më të shijshme. Me peshë mbahej mirë, ani që dy shtatëzanitë, i kishin shtuar “hijeshinë” kryesisht në mesin edhe ashtu jo kushedi se sa të hollë. Por ja që, parukierja nuk mund t’i bënte gjë brendisë së saj. As edhe makiazhi jo. U ndje e dëshpëruar thellë. Më tutje, mjeku e këshillonte për kontraceptivë më të qëndrueshëm në rast se kishte vendosur të mos lindte më fëmijë. Posa u bë gati të përgjigjej se kishte kohë më që kishte vendosur se dy fëmijë mjaftojnë, u ndal për një çast dhe morri frymë thellë. Sikur vendimi për të mos bërë më fëmijë ishte edhe nënshkrimi për kapitullim. Sikur vjetët e saja fëmijë-bërëse të kishin përfunduar. Si një flamur i bardhë valëvitës midis një kalaje që dikur qëndronte krenare, i dukej trupi i saj tani. 

Ndjeu një marramendje të lehtë dhe vrullshëm i tha: “Jo, akoma nuk kam vendosur nëse dua më fëmijë ose jo. Prandaj, kontraceptivët për mua nuk janë zgjidhje e duhur”. Me gjasë ndjehej të kishte shpëtuar veten nga mosha në atë moment. “Unë vendos se kur plakem dhe jo një mjek në një ordinancë koti diku, që sheh gratë si numër për t’u evidentuar në sistem dhe jo si jetëra të tëra, me plane, dhe ëndrra akoma” kishte thënë me vete. Si kur ishte vajzë e vogël, dhe arrinte të vendoste vetë se kur do të flinte gjumë dhe vjedhte edhe një orë para televizorit. I tillë ishte triumfi i saj. Por ama, nga ajo klinikë nuk kishte dalë si vajzë e vogël.  Kishte mësuar më shumë nga ai kontroll gjinekologjik sesa nga qirinjtë në tortë. Që kalendari i ishte varur në qafë, në mitër dhe në sy. 

Instinktivisht, kishte marrë telefonin dhe kishte thirrur mikeshat për një gotë verë. Dhe derisa po pinte gllënjkat e para të Cuve-së, I rrapëlloi që jo gjithçka kishte marrë fund. Çdo vit e më shumë, si vera përpara saj, që të len shije të fortë varësisht nga vitet që rri nën tapë, edhe asaj po i shtohej shija.  Kishte shumë për të treguar nga përvoja e saj jetësore, kishte shumë për t’i mësuar të tjerët, dhe shumë dashuri për të dhënë akoma. E në atë, çast, në derë i’a behën mikeshat e shumëpritura. Nuk ju tha asgjë nga kontrolli që kishte pasur. Falë vjetëve të kaluara bashkë, njiheshin aq mirë sa nuk ishte nevoja për shpalosje detajesh. Thjeshtë, cakërruan gotat dhe zunë të llafosnin për kotësira. Edhe kur mbeti vetëm kamarieri në kafene, dëgjohej aty këtu cakërrimë gotash dhe e qeshur e madhe… jo si ato të qeshurat e vajzave të vogla me zë të holluar, por tamam e qeshur, që i ka hije një gruaje të madhe!

Lajme të ngjashme

Shiko edhe
Close
Back to top button