Ukrainë, opozita skeptike për daljen nga kriza

Protestuesit në Ukrainë shprehen skeptikë për një rezultat pozitiv nga bisedimet mes udhëheqësve të opozitës dhe presidentit Viktor Janukovic.

Turma bërtiti “Turp!” kur njëri prej udhëheqësve opozitarë, Oleg Tyagnybok iu drejtua asaj për të qetësuar gjakrat. Ai tha se bisedimet do të reduktonin viktimat e tjera të mundshme.

Ndërkohë, Vitali Klitschko tha se në takimin e parë me presidentin Janukovic, ky i fundit nuk ishte tërhequr asnjë hap nga qëndrimi i tij.

“Orë të tëra bisedime u shpërdoruan për hiçgjë. Nuk ka kuptim që të ulemi në tavolinën e bisedimeve me një person që ka vendosur tashmë t’u gënjejë ju. Sinqerisht uroj që të mos ketë më gjakderdhje, që njerëzit të mos vriten më. Unë do të mbijetoj, por kam frikë se do të ketë vdekje. Kjo më tremb”, tha ai për agjencinë e lajmeve Reuters në fund të takimit.

Ish-boksieri i shndërruar në politikan në zgjedhjet e fundit të përgjithshme në vend si kryetar i partisë “Grushti” tha se atmosfera është e tensionuar dhe se rezultati i bisedimeve, që ishte zhgënjyes për protestuesit, mund të nxisë akoma më shumë përlplasjet.

Ndërsa kreu tjetër i opozitës, Tyagnybok tha se gjatë bisedimeve autoritetet kishin premtuar lirimin e të arrestuarve në protesta. Ai kërkoi ‘mandatimin’ nga turma për vazhdimin e bisedimeve duke ngritur duart, por mori një përgjigje negative.

Korrespondentët e huaj thonë se është e paqartë nëse do të ketë një tjetër takim mes opozitës dhe presidentit Janukovic, ndërkohë që protestat tashmë kanë dalë jashtë Kievit duke u shtrirë në të paktën pesë qytete të tjera në perëndim të vendit.

Të mërkurën opozita lëshoi një ultimatum prej 24 orësh ndaj presidenti Janukovic ku i kërkonte atij mbajtjen e zgjedhjeve të parlamentare të parakohëshme.

Dy është numri i personave që kanë gjetur vdekjen në përplasjet e së mërkurës. Hetuesit pohuan se viktimat janë qëlluar me armë, ndërsa aktivistët opozitarë denoncuan raste të tjera të sjelljes barbare të forcave të sigurisë që kanë rrahur dhe zhveshur në temperatura disa gradë nën zero dhjetra protestues. / Top Channel

Lajme të ngjashme

Back to top button