Ja porosia e plotë e komisarit Han dërguar politikanëve të Maqedonisë

Euro-komisari për zgjerim, Johanes Han tha para mediave se mbajtja e zgjedhjeve do ta kthejë Maqedoninë drejt euro-integrimit. Mbajtja e zgjedhjeve, sipas tij, është po aq e rëndësishme sa dhe përmbushja e kushteve për mbajtjen e tyre, në mënyrë që rezultatet të jenë të pranuara nga të gjitha palët, njofton Portalb.mk.

“Zgjedhjet janë shumë të rëndësishme, por më duhet ta them se zgjedhjet nuk janë gjithçka. Zgjedhjet janë një themel shumë i rëndësishëm për kthimin e vendit në rrugën e euro-integrimit por po kaq e rëndësishme është të punohet në reformat urgjente prioritare, të implementohen të gjitha elementet për të cilët është marrë vesh në Marrëveshjen e Përzhinos. Kjo ishte arsyeja pse vendosa ta shfrytëzoj këtë mision për të folur me të gjithë lojtarët kryesor në vend për zgjedhjet, por gjithashtu të bëj të qartë se zgjedhjet janë hap i rëndësishëm” theksoi Han.

“Është e rëndësishme se zgjedhjet janë përgatitur dhe janë përmbushur të gjitha kushtet, që më vonë askush të mos mund të kritikojë përgatitjen e zgjedhjeve. OSBE-ODIHR dhe shumë institucione tjera do të jenë këtu, për të monitoruar gjithçka dhe të japin pastaj raporte” shtoi.

Sipas Hanit, zgjedhjet janë veçanërisht të rëndësishme pasi destabiliteti politik, i cili zgjati më se dy vite kishte ndikuar keq edhe në ekonominë e vendit, andaj tha “Është e rëndësishme të fokusohemi në atë që është e nevojshme. E nevojshme është të punojmë për njerëzit, për qytetarët në vend, të rrisim zhvillimin ekonomik, të ofrojmë mundësi për punë.”

Han shprehu gëzimin e tij që në vend është bërë progres në përmbushjen e kushteve, si në çështjen e mediave, së cilave sipas tij, iu është dhënë më shumë neutralitet dhe njëanshmëri ashtu edhe në punën profesionale të Komisionit Shtetëror Zgjedhor, në pastrimin e listës zgjedhore. Ai këshilloi që të respektohen afatet, në mënyrë që të implementohen të gjitha reformat.

Han poashtu porositi të gjithë ta ndihmojnë PSP-në, të mos e pengojnë a keqpërdorin këtë institucion që sipas tij, po bart mbi vete sfidë të veçantë dhe të vështirë.

“Sigurisht ka pasur diskutime për Prokurorinë Speciale, kërkova që të gjitha palët të kujdesen që PSP ta bëj punën e saj në mënyrë adekuate, që jemi mësuar ta shohim tek prokurorët nëpër Evropë. Është e rëndësishme për të gjithë ta respektojnë Sundimin e ligjit.” tha.

I pyetur rreth formimit të departamentit special në Gjykatë dhe propozim-ligjet e refuzuara të PSP-së, Han deklaroi “Ka ide të ndryshme. Por dua të ju them se është e rëndësishme të garantohet se të gjitha pjesët e gjyqësisë në përgjithësi dhe PSP në veçanti të punojë në mënyrë të pavarur, profesionale. Takova prokuroren speciale sot, jam shumë i bindur për të. Tani është e rëndësishme që ajo ti shfrytëzojë të gjitha mundësitë që ka në dispozicion dhe në fund të vijë rezultat nga puna që po bën. Gjithashtu të mos keqpërdoret ajo. Është sfidë e veçantë për të, nuk është e lehtë. Është e rëndësishme që të gjithë të kontribuojnë që ajo ta bëj punën e saj.”

Sipas tij, takimi i sotëm me liderët politik ishte shumë më konstruktiv sesa takimet e mëparshme.

“Kërkova nga partitë politike të gjejnë zgjidhje për njësitë zgjedhore. Është po aq e rëndësishme që e gjithë kampanja të kryhet nga lojtarë të ndryshëm, të mos nxitet ndonjë konflikt ndër-entik. Dhe pas zgjedhjeve njerëzit të punojnë së bashku. Të punuarit së bashku nuk nënkupton që të bashkëpunohet vetëm në qeveri, por edhe në Parlament.” tha Han, duke kujtuar se në shumicën e vendeve në botë 70-80% e vendimeve merren me votat e opozitës.

Ai këshilloi për debat konstruktiv politik në Parlament. Gjithashtu, pavarësisht se Han nuk do të jetë fizikisht në Maqedoni, ai u zotua se ekipi i tij do ta vëzhgojë situatën politike në vazhdimësi.

Han falënderoi të gjithë palët që kontribuuan në proces. Në fund ai përcjelli mesazh deri tek të rinjtë që të dalin të votojnë, duke theksuar “Shko, mirr pjesë, merr një vendim!” dhe deri tek liderët që të flasin dhe të veprojnë në mënyrë konstruktive./Portalb.mk

Johanes Han, 14.10.2016
Johanes Han, 14.10.2016

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button