Maqedonia dhe Kroacia nënshkruan marrëveshje për mbrojtjen e vizitorëve

Byrotë kombëtare për sigurim të Republikës së Maqedonisë dhe Republikës së Kroacisë në Shkup nënshkruan marrëveshje për mbrojtjen e vizitorëve, e cila në rast aksidenti të komunikacionit do t’u mundësojë shoferëve të të dyja shteteve të marrin informacione dhe kompensime më efikase për dëmin eventual të shkaktuar, raporton Anadolu Agency (AA).

Marrëveshja u nënshkrua nga drejtori i përgjithshëm i Byrosë së Maqedonisë, Trajçe Latinovski dhe drejtori i Byrosë kroate, Hërvoje Paukoviq. Drejtori i Byrosë së Maqedonisë, Latinovski theksoi se marrëveshja është projektuar për t’u ofruar shteteve jashtë Bashkimit Evropian mundësi të sigurojnë mbrojtje plotësuese dhe ndihmë ndaj qytetarëve të cilët me automjete motorike udhëtojë në një shtet tjetër.

“Me këtë marrëveshje të dy Byrotë për sigurim zhvillojnë bashkëpunimin e tyre, i cili deri më tani ishte në nivel të lartë. Njëjtë me këtë arrihet një efekt më i lartë në drejtim të asaj që kur qytetarët tanë udhëtojnë në Kroaci, nëse u ndodh ndonjë aksident komunikacioni ku shkaktari dhe fajtori është automjeti i Kroacisë, në një mënyrë të thjeshtë, pas kthimit në Maqedoni do të mund t’i sigurohen të gjitha dokumentet në bashkëpunim me byronë kroate. Me këtë qytetarit të Maqedonisë do t’i kompensohen të gjitha dëmet nga ana e kompanisë ku është i siguruar qytetari kroat që shkaktoi dëmin“, deklaroi Latinovski.

Ai shtoi se marrëveshja mbështetet në dispozitat e direktivës 4 dhe 5 të automjeteve motorike të Bashkimit Evropian, që kryesisht është e përkushtuar në mbrojtjen e personave të tretë të dëmtuar.

Ndërkaq, drejtori i Byrosë kroate, Paukoviq tha se kjo marrëveshje paraqet një hap përpara të Byrosë kombëtare dhe rrugës evropiane të Maqedonisë. Ai duke uruar sukses, shtoi se ky është një hap në drejtimin e duhur.

“Ajo që ne zyrtarisht u dakorduam është se do t’i lehtësojmë qytetarët e Maqedonisë që dëmtohen në Kroaci, si dhe qytetarëve kroatë që dëmtohen në Maqedoni. Ne do të ndihmojmë në kompensimin më të shpejtë të dëmit, ushtrimin e të drejtave të tyre, si dhe që të arrijnë më lehtë në informacionet e nevojshme”, u shpreh Paukoviq.

Byroja kombëtare për sigurim e Republikës së Maqedonisë deri më tani marrëveshje të tilla ka nënshkruar me Serbinë, Turqinë, Greqinë, Slloveninë, Bosnjë e Hercegovinën, Zvicrën, Luksemburgun dhe Malin e Zi.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button