Rama: Hajdutët thërrasin, kapni hajdutët

Opozita ka hedhur akuza të rënda ndaj qeverisë në lidhje me dorëheqjen e deputeteve në qarkun e Lezhës. Seanca plenare e Kuvendit ka nisur sot me debate të ashpra mes opozitës dhe mazhorancës, sa i përket dorëheqjes së deputeteve femra në qarkun e Lezhës.

Kryeministri Edi Rama ka hedhur poshtë akuzat e opozitës në lidhje me dorëheqjen e grave deputete të Lezhës. Rama gjithashtu i cilësoi si gënjeshtra akuzat e opozitës, për vjedhjen e serverit të tatimeve dhe projektit për devijimin e lumit Radika. Shefi i qeverisë theksoi se opozita kërkon ta kalojë lumin e vjedhjeve pa u lagur, duke u çjerrë dhe duke bërtitur kundër mazhorancës.

” Opozita është bërë njësh me baltën e rrenave dhe e njëjta gjë që dinë të bëjnë, është të bëjnë pis çdo gjë që prekin, kudo që shfaqen e sa herë që flasin. Janë katandisur në burimin më toksik të mbetjeve të politikës së vjetër komuniste të luftës me tjetrin, jo me idetë e tij, të denigrimit të njeriut dhe jo të ballafaqimit njerëzor me të. E marrin këtë popull për budalla dhe politikën e dinë mjet për të budallallëpsur njerëzit që vuajnë mjerimin, për shkak të katrahurës që këta lanë pas. Janë të bërë njësh me ata që janë arratisur nga tatimet, duke marrë me vete edhe milionat në favor të tyre. Hajduti thotë kapeni hajdutin”, tha Rama.

Rama gjithashtu ka ripërsëritur se nuk ka asnjë projekt për devijimin e lumit Radika, ndërsa ka shtuar se është opozita ajo që kur ishte në pushtet dha një pjesë së detit. “Shqiptarët më kollaj besojnë se, Saliu është më komik se mister Bean, sesa të besojnë se Saliu është patriot më i mirë se Ali Ahmeti. Si nuk u vjen turp që fusin xixa mes shqiptarëve, ndërkohë që shqiptarët e Maqedonisë e kanë përsëritur se projekti nuk ka asnjë shans të përparojë në dëm të shqiptarëve të Dibrës. Na dinë si veten e tyre kur nuk deshën t’ia dinë për asgjë kur falën detin si të ishte një copë bakllava. Nuk ka asnjë projekt, pasi projekt nuk quhet ide e një qeverie, por një projekt zbatimi që e ka në tryezë edhe qeveria jonë, por as ne nuk e kemi, as qeveria maqedonase nuk e ka, e as BB-ja nuk e ka financuar një të tillë, e asgjë nuk financohet pa miratimin e qeverisë së Shqipërisë në respekt të marrëveshjes e traktateve ndërkombëtare. Ta vënë vath në vesh këta, e kushdo tjetër, shqiptar, fqinj e i huaj, se me ikjen e këtyre nga qeveria vdiq koha kur qeveria e këtij vendi e tradhtonte Shqipërinë, e bënte pazar me interesat publike e private të shqiptarëve. Iku koha e kontrabandës së naftës nga qeveria me armiqtë, iku koha e talljes nacionaliste për të marrë vota, duke hapur sherre e probleme me fqinjët, kjo është një kohë kur Shqipëria ka zot, kur populli sovran ka marre përsipër me votë të bëhet zot i fateve të veta, kur vendi ka qeveri që nuk ka rrugë veçse të jetë mishërimi i vullnetit të popullit sovran”, shtoi Rama.

Berisha: Sot atentati i dytë, pas atij të Azem Hajdarit 

Pasi rifilloi sërish seanca kuvendore, fjalën e mori deputeti i PD-së, Sali Berisha, i cili lexoi një intervistë të deputetes Mejreme Delishi. Berisha theksoi se deputetja priste me dëshirë të fokusohej te detyra e deputetes. Sipas Berishës, kërkesa për lënia mandati dëshmoi qartë terrorin që e majta po u bën grave që të mos hyjnë në deputet. 

“Një tritol shpërtheu sot në Durrës, një tjetër në parlament, ne jemi dëshmitarë të mafies, ndaj opozitarëve në veçanti, ne jemi dëshmitarë të një politike terrori, tritoli, granatash, të arrestimeve brutale, akuzave familjare ndaj eksponentëve të opozitës, të pritave shtetërore ndaj të burgosurve të liruar. Unë nuk kursej, ne forcuam dënimet, por ai që dënohet nga shteti, ai nuk preket, nuk vritet, ai nuk ekzekutohet, kjo qeveri, është një ekstension i krimit, i bandave, kryekreu i saj ka lidhje të fuqishme me të gjitha bandat. Pra dhe vijmë sot në seancën më të turpshme, në historinë e Parlamentit, ku pas atentatit ndaj Azem Hajdarit, në këtë sallë është atentati i dytë më i madh i demokracisë”.

I menjëhershëm ishte reagimi i ministrit të Punëve të Brendshme, Saimir Tahiri reagoi ndaj akuzave të ish-kryeministrit Sali Berisha.  Tahiri tha se, opozita aktuale apo ish-qeveritarët i druhen ringritjes së policisë, pasi janë vetë shkelësit më të mëdhenj të ligjit. 

“Sot po ristrukturohet Policia e Shtetit, e cila do i përmbahet ligjit dhe vetëm ligjit, dhe kjo frikëson më shumë nga të gjithë opozitën, e cila është vetë pjesë e spërkatjeve korruptive”, nënvizoi Tahiri. 

“Sali Berisha nuk ka pasur, kurrë kurajën të punojë për Policinë e Shtetit, pasi familjarët e tij dhe sekserët e pushtetit nuk dëshironin një gjë të tillë. Ky grup kriminelësh duan vetëm të bëjnë pazare nga më të ndyrat në kurriz tonë dhe popullit, por kjo kohë ka përfunduar, prandaj janë dhe shumë të shqetësuar për forcimin e Policisë së Shtetit”.

Berishën  në replikë me Tahirin, e quajti ministrin “ekstension të krimit në Parlament”. “Kriminelët kanë dalë nga pushteti me 23 qershor, kanë dalë nga policia, tani janë derdhur rrugëve t’i binden këtij banditi që derdh vrer për akuza kriminale. Ky është një nga ta që nuk do të shpëtojë dot kurrë. Edhe nëse do i shpëtojë drejtësisë nuk do i shpëtojë dot mallkimit të shqiptarëve”, tha Berisha. 

Në orën 12:25 deputetët e PD-së largohen nga salla. “Grupi PD vendos të dalë nga Parlamenti. Kjo që keni bërë përbën aktin më të rëndë pas atentatit që u organizua ndaj deputetit Azem Hajdari”,- tha Berisha nga foltorja dhe më pas deputetët e PD-së u larguan.

Debatet mes mazhorancës dhe opozitës

Deputetët e opozitës kanë deklaruar se, deputetet e qarkut të Lezhës janë dorëhequr, pasi janë kërcënuar nga mafia.

 “Unë i ftoj të gjitha gratë që ndodhen këtu të ndërmarrim aksione konkrete. Të mos pranojmë këtë që ka ndodhur dhe kryeministri sot duhet të shprehet. Sot ju nuk mund të heshtni. Ju nuk mund të heshtni, ku dhunohen ditën për diell gratë”, theksoi deputetja e PD-së Mesila Doda.

Menjëherë ka reaguar edhe deputeti demokrat Sali Berisha, i cili ka kërkuar fjalën por nuk i është dhënë nga kryetari i Parlamentit, Ilir Meta.

“Ju lutem zoti Berisha keni kohë për të folur pasi kemi shumë çështje për të diskutuar. Keni edhe kohën e diskutimeve në fund. Ju lutem shumë mos e shfrytëzoni tolerancën për veprime jo konstruktive. Shqetësimet tuaja të drejta ose jo, keni të drejtë t`i ngrini sipas rregullores”, tha Meta.

Deputetja e PD-së, Mesila Doda, e mori sërish fjalën dhe kërkoi reagimin e Kuvendit dhe të kryeministrit Edi Rama, për lënien e mandatit nga ana e tri grave, sipas saj të detyruara, të bëjnë një veprim të tillë.

“Janë tri gra që po i mohohet prania në këtë Kuvend, nuk mjafton që të vini e të miratoni ligje për të drejtat e grave, sot duhet të dilni në krahë të tyre. Mos u bëni pale e dhunuesve. Gratë të marrin aksione konkrete, Rama duhet të shprehet, jemi votuar nga burrat e gratë, e duhet të dilni garant i të drejtave të grave, nuk bëhet vend më i mirë nëse gratë dhunohen ditën për diell”, tha Doda.

I menjëhershëm ka qenë edhe reagimi deputetes së PD-së, Jozefina Topalli, e cila ka hedhur akuza ndaj qeverisë, duke thënë se po ushtron presion duke shkelur të drejtat e grave. 

“Çohuni zotërinj deputetë, dilni zot të së ardhmes së fëmijëve tuaj, ajo që po ndodh sot është jashtëzakonisht e rëndë, të gjithë këtu po heshtim. Mesila kjo nuk është çështje grash, unë e refuzoj. Të thërrasim zonjat, nuk janë të sëmura, por u kanë marrë peng vëllezërit. Kodi i heshtjes është kodi i mafies ky që përdorin këta”. 

Kreu i Kuvendit disa herë u ka kërkuar deputetëve të opozitës që akuzat e tyre t’i depozitojnë në Prokurori, sepse në të kundërt ato mbeten thjesht spekulime dhe dezinformojnë publikun.

Ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli theksoi se zonja nga Lezha që lë mandatin është e sëmurë me dializë dhe akuzat janë të pabaza. 

“Zonja Topalli nuk mund të ketë qenë aleancë e grave, e më vjen keq se në emër të grave nuk mund të abuzohet për gratë, unë si deputete e qarkut të Lezhës, si përfaqësuese e forcës politike, kam dhënë dorëheqjen. Zonja e mandatit, është në proces dialize 3 herë në javë, ajo hyri në listë për shkak të figurës që përfaqëson në atë rreth, në një kohë që bazuar në kodin tonë të respektuar zgjedhor, në mënyrë që kuotat të respektohen, përndryshe partitë politike gjobiten. Unë mendoj që t’i japim fund këtij shou që nuk është i denjë për gratë shqiptare”. 

Berisha: Mimikofidentja po përdoret si antigrua. Kodheli: Jetën e babait tim ta kam borxh, po CV-në e kam pa vrasje

Një tjetër përplasje ka ndodhur mes përfaqësuesit të së djathtëve, Sali Berisha dhe deputetes së PS-së, Mimi Kodheli. 

Berisha akuzoi maxhorancën se po zëvendëson deputetet gra me përfaqësues të mafies. “Po dhunohen në mënyrën më brutale, nënat, motrat, gratë. Sot në Parlament i nënshtrohemi mafies, tentakulave dhe kompromisit ndër më të turpshmit në histori, për të përzënë nga Parlamenti dy zonja dhe për të zëvendësuar me të fortë e përfaqësues të mafies. Por këtë bëjnë këta, përdorin një grua që të sulmojë një grua. Kur bruaja bëhet antigrua dhe mbron të drejtat e grave. Përdori një grua për të sulmuar gratë. Ja ku po ja them, po përzihen nga puna 2 gra, moj zonja e 20%. Sa i përket kësaj konfidentes që ka për borxh të thotë kryekreu, i them këtu që ajo deputete mund të kujdeset për shëndetin e vet si deputete tre herë më mirë sesa jo deputete. Ajo deputete që ka një problem në veshka mund t`i shërbej vetes në pozitat e deputetes disa herë më mirë . Ky parlament ka rregullat e veta dhe ka trajtimin e vetë ndaj deputetëve të sëmurë. Ka solidaritetin e vet ndaj deputetëve të sëmurë, por jo flakjen. Ka një kufi për mimikofidenten. Unë të them ty se atij që i bën avokatin, jo një herë po me dhjetëra herë të ka sharë ty, sepse kishte xhelozi se merrje me shumë se ai”, iu drejtua Berisha ministres Kodheli.

Ndërsa nga ana tjetër Kodheli iu kundërpërgjigj Berishës duke i thënë: “Sali Berisha ne të dy njihemi shumë herët. Unë kam burrninë të them: Jetën e babait tim ta kam borxh dy herë, jo një herë, për të tjerat me mua nuk krahasohesh, sepse në CV-në time nuk ka pasur as vrasje dhe as vjedhje”,- tha Kodheli.

Kuvendi mriaton reformën administrativo-territoriale

Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar me 75 vota pro ngritjen e komisionit parlamentar për reformën administrativo-territoriale.

 Opozita nuk mori pjesë në votim pasi braktisi sallën e Kuvendit, pas debateve për dorëheqjen e dy  deputeteve femra të qarkut të Lezhës.

Kreu i Kuvendit, Ilir Meta, ka zbardhur sot vendimin për ngritjen e komisionit parlamentar për reformën  administrative-territoriale.

Ndërsa, ka shprehur keqardhjen për mos dhënien e konsensusit nga opozita, Meta theksoi se vendimi i jep opozitës të drejtën e përfaqësimit në mënyrë të barabartë me mazhorancën.

Sipas Metës, komisioni i posaçëm ka për objekt i veprimtarisë së tij, përcaktimin e kritereve për ndarjen e re administrativo-territoriale, hartimin dhe përcaktimin e kalendarit të zbatimit të reformës administrative-territoriale dhe përgatitjen e projektit për ndarjen e re territoriale.

Meta theksoi më tej se komisioni i posaçëm ngrihet mbi bazën e barazisë pozitë-opozitë, ku në përbërje të tij do të ketë 16 anëtarë, nga të cilët 8 janë përfaqësues të pozitës (6 PS dhe 2 LSI) dhe 8 përfaqësues të opozitës ( 6 PD, 1 PR dhe 1 PDIU).

“Komisioni i posaçëm do të kryesohet nga dy bashkëkryetarë, një nga pozita, Partia Socialiste dhe një nga opozita Partia Demokratike. Komisioni do të zhvillojë veprimtarinë e saj në një afat 3 mujor nga data 20 janar 2014 deri në 20 prill 2014. Në rast nevoje me kërkesën e bashkëkryetarëve të tij për zgjatjen e afatit të ushtrimit të veprimtarisë së tij”, tha Meta.

 Gjithashtu Kuvendi ka miratuar vetëm me votat e mazhorancës edhe aktin normativ për ndryshimin e buxhetit për 2013-ën./Shekulli

Lajme të ngjashme

Back to top button