Së shpejti mund të dërgoni aroma nëpërmjet smartfonëve

Imagjinoni sikur të mund të publikonit foto ushqimesh në Instagram së bashku me aromën e tyre.

Kjo ka qenë ideja kryesore e disa studentëve të Harvard-it të cilët janë duke punuar për zhvillimin e një metode që do të mundësojë dërgimin e aromave nëpërmjet smartfonëve.

Është raportuar nga ITProPortal se studentët po punojnë nën mbikqyrjen e Le Laboratoire për krijimin e një aksesori smartfonësh që do të lejojë përdoruesit të dërgojnë mesazhe që mund të nuhaten në kohë reale. Ato do mund të dërgohen po aq lehtë sa dërgohen edhe mesazhet tekst apo ato zanore.

Aromat do të gjenerohen nga një pajisje e vogël e ashtuquajtur Ophone që mund të emetojë tipe të ndryshme aromash bazuar në komandat që merr nga një aplikacion i caktuar në smartfon. David Edwards, themelues i Le Laboratoire, e përshkruan këtë projekt si një metodë “që përveç se do të riprodhojë një mënyrë ekzistuese të komunikimit, do të krijojë edhe një gjuhë të re”.

“Ne dëshironim të zbulonim një mënyrë që do të përhapte aromat ashtu si duhet dhe njëkohësisht donim t’i lidhnim këto aroma me imazhet e duhura. Kanë qenë pikërisht këto dy ide që kanë hedhur bazën e krijimit të Ophone” – shpjegoi ai.

Pajisja jo vetëm që mundëson marrjen dhe dërgimin e aromave, por gjithashtu i kombinon ato me imazhe në ekranin e një pajisjeje Android.

Lajme të ngjashme

Back to top button