Programi i Ministrisë së Kulturës: një asgjë për shqiptarët!

Para disa ditëve një portal Maqedonas botoi programin e Ministrisë së Kulturës të Maqedonisë për vitin 2014. Ata që e kanë lexuar e kanë vërejtur që përmbajtja ishte shumë e begatshme  me premiera teatrore, përkthime të veprave nga autorë të huaj, monografi, publikime me vizatime komike, ekspozita retrospektive etj. Më pas kishte njoftim që do të ketë prezantime të trupave teatrore nga Maqedonia në shtetet si Kina, Letonia, Kanadaja etj … Mbresëlënëse apo jo? Në program nuk kishte si të mungonin rindërtimet, rregullimet, mbrojtjet e kishave dhe manastireve të ndryshme si psh. konservimi i kishës së Shën Gjorgjit në Kurbinovo, rimëkëmbja e kompleksit me kisha Vodoçki në fshatit Vodoça dhe të manastirit Shën Bogorodica Eleusa në Velusa…e shumë e shumë të tjera.  Jam unë gabim apo Maqedonia është shtet multietnik dhe multifetarë? Temë e konsumuar kjo apo? Ti kthehemi kulturës …   

Për një moment fillova të bëj kërkime tek faktorë të ndryshëm shqiptar të shoh se si ata e kanë publikuar/transmetuar programin e Ministrisë së Kulturës, dhe gjithë atë që gjeta ishte ASGJË.  Për diskriminimin e hapur që i bëhet në vazhdimësi kulturës shqiptare në Maqedoni të gjithë HESHTIN. Mediumet HESHTIN. Artistët HESHTIN. Populli HESHTË. Përfaqësuesit shqiptarë në Ministrin e Kulturës HESHTIN. Gjithë HESHTIM e diskriminimi vazhdon të lëshoj rrënjë më të thella se kurrë.
 
Si ka mundësi të jemi një popull më ndërgjegje kaq të qetë kundrejt diskriminimeve dhe padrejtësive të mëdha që na bëhen në këtë shtet që është i yni po aq sa dhe i etniteteve tjera?

Filozofi i madh Albert Kamus ka thënë që kultura është britma e njerëzve në fytyrën e fatin të tyre.  E çfarë fati ka kultura shqiptare në Maqedoni? Me çfarë e prezantojmë kulturën ne, me çfarë e ushqejmë kulturën shqiptare për gjeneratat e ardhshme në Maqedoni? Kush duhet të mbaj përgjegjësi për këto padrejtësi që i përjetojmë çdo ditë? Para disa javëve u bë inaugurimi i fillimeve të punimeve për teatrin e ri shqiptarë në Shkup dhe s’besoj të ekzistoj shqiptarë në Maqedoni të mos jetë ndjej krenar me një gjë të tillë. Por unë gjithsesi dua të pyes Tetovarët, si Tetovare që jam, se si ndjehemi gjithë ne sa herë që shkojmë në Teatrin e Tetovës dhe ngrimë nga i ftohuri që vjen nga premtimet e një pas njëshme të gjithë kryetarëve të komunave që kanë kaluar me radhë, e pushtetarëve tonë që gënjejnë tash sa kohë se problemi i nxehjes në Teatrin Tetovarë do të zgjidhet këtë vit? E keni vërejtur që çdoherë është “këtë vit”?… Nuk dua ti numëroj qytetet tjera me shumicë shqiptare që përballen me probleme të njëjta që sapo i përmenda, apo të numëroj gjithë ato probleme tjera që kultura shqiptare ka, dhe që askush nuk ndërmerr asnjë hap konkret që të paktën të ngrejë zërin kundër kësaj padrejtësie dhe të kërkoj përgjegjësi nga njerëzit që ne, me votën tonë, i kemi zgjedhur ti mbrojnë dhe përfaqësojnë interesat tona kombëtare, e në këtë rast kulturore . 

E dini ju lexues të nderuar që Shqiptarët në Ministrinë e Kulturës nuk kanë përfaqësues të vetin, nuk kanë të paktën një zv.Ministër që ti përfaqësoj interesat kulturore të shqiptarëve? E dijë, kuptoj, jo që zv.Ministrat tjerë të ministrive tjera janë duke bërë punën e tyre siç duhet, dhe ja një shembull konkret:  para disa ditëve lexova që një redaksi e një mediumi Shqiptarë ka kërkuar shpjegim prej Ministrisë së Arsimit, respektivisht zv.ministrit z.Safet Neziri të tregoj përgjegjësi para qytetarëve se pse ueb faqet zyrtare të Ministrisë së Arsimit dhe Byrosë për Zhvillim të Arsimit janë vetëm në gjuhën Maqedonase? Shpjegimi ka qenë HESHTJE.

Për të mos devijuar nga tema e të kthehemi tek kultura, sepse tema të këtilla të ngjashme ka pafund, në Ministrinë e Kulturës vërejta që Sekretari Shtetërorë për Kulturë në Maqedoni është Prof.Dr. Muzafer Bislimi, shqiptarë d.m.th. E pyes veten, çfarë bënë gjithë ditën në Ministri i nderuari profesor doktorë? Me çfarë merret? Ndihmon në fryrjen e kulturës Maqedonase duke anashkaluar komplet kulturën e tij, kulturën Shqiptare? E dijë që nëse kërkoj përgjigje konkrete, ajo do të jetë HESHTJE.

Po mendoja për një kohë të mirë se çfarë përfundimi ti jap këtij shkrimi. E vërteta është që populli shqiptarë përballet me aq probleme të mjerueshëm saqë asgjëje nuk i dihet përfundimi, e më së paku këtij shkrimi. Populli ynë ka shumë vlera kulturore që nuk arrin ti kultivoj mjaftueshëm që ti përcjell më pas me shumë krenari e fanatizëm tek gjeneratat e ardhshme, dhe e gjitha kjo ndodh për shkak të disa njerëzve të paaftë apo grupe interesi të caktuar të cilët ndihmojnë që të na mohojnë atë kulture që shteti ynë, Ministria e Kulturës në Maqedoni duhet dhe e ka për detyrë të investoj. Të reagojmë sa jemi në kohë, nesër do të jetë tepër vonë. 

Lajme të ngjashme

Back to top button