Të paktën ndajeni si duhet!

Nisur nga rezultatet e hulumtimit të Qëndrës Maqedonase për Bashkëpunim Ndërkombëtar të cilat treguan se në Maqedoni është zgjeruar hendeku mes qëndrimit të dy etnive më të mëdha për çështjen e kursit që duhet të ndjekë vendi, kompromisit për emrin e shtetit kundrejt integrimeve euroatlantike, është e qartë se politika e kësaj qeverie është jo uniteti por ndarja e plotë e dy etnive të mëdha. Pas ndarjes së popullit, radhën e ka shteti!

Ti marrim me rradhë punët e mëdha që ka bërë kjo qeveri për të arritur këtë rezultat kaq të errët, pikërisht në pikën më të dobët të shoqërisë maqedonase, që në fakt duhej të ishte (dhe mund të ishte bërë) pika e saj më e fortë: unitetin popullor. Kjo pikë, është bregu dhe spiranca e këtij shteti; pa unitetin e popullit s’ka shtet sepse shtetin e bëjnë njerëzit e gjallë, jo monumentet e të vdekurve. 

Së pari, njeriu. Drejtuesit e këtij vendi ia kujtuan cilitdo qytetari të kësaj republike, edhe më indiferentit, se para se të jetë qytetar i ndershëm duhet të tregohet partiak i devotshëm dhe të sillet si nacionalist fanatik për të mundur të ruajë një vend në shoqëri. Diskurset që burojnë nga qeveritarët e këtij shteti janë dukshëm të pasinqertë, provokativë dhe arrogantë. Me vetëm një diskurs të tillë, në çdo vend tjeter normal, secili prej portofolistëve tanë do duhej të kish dhënë dorëheqjen. Por në vend normal është e qartë se “vret një, dhe quhesh vrasës” ndërsa këtu “vret shumë dhe quhesh sfidant”. Prandaj, skandal pas skandali, këtu edhe pushtetarët u bënë ekspertë për këto diskurse, edhe njerëzit u mësuan me ta. Arroganca, pafytyrësia, drejtimi mafioz i institucioneve këtu arriti të bëhet model për tu ndjekur. Sot, secila etni ka modelin e vet të drejtimit të institucioneve!  

2. Mënyra si qeveritarët maqedonas dhe shqiptarë hedhin e presin me njeri-tjetrin nëpër shfaqje mediatike tregon për një bashkë (veç) qeverisje të dhimbshme dhe destruktive duke u bërë modeli më i keq për bashkëjetesë dinjitoze në këtë vend. Ata lënë përshtypjen e një çifti që nuk duan të jetojnë bashkë, por ndajnë të njëjtën çati sepse nuk kanë tjetër strehë. Po ku ka çati më të sigurt se qeveria! Prandaj edhe pse dukshëm nuk bashkë-qeverisin për shkak të pozicionit superior-inferior, dhe pajtohen vetëm për hir të hises së kulaçit dhe thërrimeve. 

3. Pas ndarjes së pabarabartë të buxhetit në çdo sektor, rezultatet e këtyre viteve janë të dukshme: Shkupi dhe rajone me shumicë maqedonase ndërtohen me paratë e të gjithëve që paguajnë taksa në Maqedoni, ndërsa ne që jetojmë në rajone me shumicë shqiptare nuk marrim dot në buxhet as parate tona, as për të riparuar atë çka veçse shkatërrohet. Shembull? Asnjë rrugë e re në Maqedoninë perëndimore prej vitesh nuk është ndërtuar, madje as gropat e rrugës nga Tetova në Gostivar nuk riparohen, as mbrojtëset e rrugëve nuk janë të sigurta megjithëse ne që paguajme më së shumti për frekuentimin e rrugës jemi shqiptarë. 
E megjithatë (vini re mirë) muajt e fundit pothuajse të gjithë punonjësit e pagesoreve janë maqedonas. Dorën në zemër, nëse kanë fituar ndonjë konkurs. Janë të sjellshëm, thonë “dobar den dhe dobar pat” megjithëse unë u them “mirëdita”, por çështja është: ku është ekuilibri etnik në këtë sektor? A paguhen nga buxheti dhe a nuk duhej të kishte një balancë etnike në këto punësime? Për ta përfunduar çështjen e buxhetit për investime, kush ka sy mund të shohë se Shkupi lulëzon (megjithëse qesharak) pra, duket që ka para në qarkullim ndërsa në anët tona duket që paratë janë me pikatore madje një gazetar i huaj, para disa kohësh më tha për Tetovën: “natyrë e bukur shumë por duket si një vend i sapo dalë nga lufta…”.

4. Edhe pas marrjes së padrejtë të gjithçkaje të krijuar nga njeriu, babëzia e kësaj qeverie nuk u ngop. Tani është turrur të zaptoje edhe atë çka Natyra e krijoi dhe e dhuroi në skajin perëndimor të këtij shteti. Dikur impianti i përpunimit të gipsit: mijëra tonelata gips të një cilësie të lartë dalin çdo vit nga Dibra por për ironi, qytetarët dibranë në shumicë shqiptare, minimalisht kanë qasje në kompaninë që menaxhon pasuritë e tokës së tyre. Zyrat e asaj kompanie janë në Shkup e jo në Dibër, që do të thotë se për gipsin e Dibrës, rrogë marrin shkupjanët. Tani, pas gurëve të bardhë, Dibrës duan ti marrin edhe ujin e lumit Radika dhe ta lënë këtë rajon të vdesë ngadalë në heshtje, pa asnjë burim jetese. Ku është logjika e këtij projekti kur banoret e zonës e kundërshtojnë fuqishëm ? Apo, ç’rëndësi ka zëri i tyre kur nuk janë në hartën e së ardhmes…

5. Politika që kjo qeveri ka ndjekur kundrejt palës shqiptare është perfekte për të arritur qëllimet e saj për të ardhmen e vet! Nga pala shqiptare, kjo qeveri nuk ka kërkuar kritere për titullarët e emëruar në poste të rëndësishme. Kjo duket në faktin që ka pranuar në poste drejtuese shtetërore njerëz të pa- kualifikuar dhe pa eksperiencë edhe pse ata dëmtojnë gjithë qytetarët e këtij shteti. Këtë sakrificë, kjo mazhorancë në qeveri e bën sepse vetëm me këta shqiptarë të paaftë mundej të arrinte qëllimet e saj, vetëm disa prej të cilave të përmendura më sipër por më e rëndesishmja, të mundej të arrinte qëllimin final, që sipas të gjitha shënjave është ndarja e Maqedonisë sipas oreksit të vet. Vetëm një plan për ndarje mund të justifikojë gjithë këto punë të mbrapshta në kurriz të njerës palë dhe në dobi të palës tjetër, vetëm e vetëm që ditën e ndarjes njëra palë të dalë sa më e fortë e tjetra sa më e dobësuar nga shtëpia e përbashkët. 

6.  Nëse do bëhen zgjedhje të parakohshme, dhe përsëri i fiton ky krah politik (në shtetet diktatoriale gjithmonë zgjedhjet i fiton udhëheqësi) atëherë ndarja do jetë më e shpejtë dhe në dobi të këtij krahu nacionalist. 
 
E fundit, me të cilën nis dhe mbaron kjo historia e re e Maqedonisë, emri dhe integrimet: Drejtuesit e vërtetë të këtij shteti, nuk duan të bëjnë ndonjë kompromis për të ndryshuar emrin sepse nuk duan të kenë marrëdhënie të ngushta me Europën, kanë plane ta ndajnë Maqedoninë prandaj e zvarrisin çështjen e emrit dhe proceset integruese, deri sa të përgatisin një ndarje të mirë, të favorshme për ta dhe që mbi të gjitha do ti nxjerrë duarplot e pa gjemb në këmbë nga ky shtet i përbashkët me shqiptarët. E ndërsa ata kanë projekte të vërteta dhe punojnë për to, ne shqiptarët shohim ëndrra 100D!

Lajme të ngjashme

Back to top button