Aktakuza nga hetimet për raportin e Dick Martyt

Krerë të lartë të ish-UÇK-së, të cilët tash udhëheqin politikën e Kosovës, shumë shpejt mund të përfundojnë si të kërkuar nga drejtësia ndërkombëtare.

Ata dhe disa të tjerë po hetohen për trafikim organesh, krime të tjera kundër njerëzimit, trafikim droge, nafte dhe armësh, dyshime që u bënë publike në raportin e senatorit të Këshillit të Evropës, Dick Marty në vitin 2011.

Ish-senatori zviceran pati akuzuar kryeministrin e Kosovës Hashim Thaçi se, si udhëheqës i Grupit të Drenicës, është përgjegjës për krimet e lartpërmendura.

Disa nga udhëheqësit e tjerë të grupit, sipas Martyt, janë Kadri Veseli, tash zëvendëskryetar i PDK-së, Xhavit Haliti, Fatmir Limaj e Shaip Muja. Hetimi trevjeçar i prokurorit amerikan, Clint Williamson, do të përfundojë në mars ose qershor të këtij viti dhe derisa hetimet po mbyllen, informacionet e para mbi rezultatin kanë nisur të bëhen të ditura.

Gazeta Tribuna ka mësuar se do të ketë një aktakuzë për zhdukjen e disa civilëve para dhe pas fushatës së bombardimeve të NATO-s në Kosovë. Civilët, për fatin e të cilëve nuk dihet asgjë, janë nga rajoni i Prizrenit (ku përfshihet edhe Rahoveci).

Kjo është arsyeja pse javë më parë pjesëtarët e SITF, Task Forcës Speciale që po e bën hetimin, i kanë marrë të gjitha lëndët e krimeve të luftës si dhe krimeve ndëretnike të pasluftës që nga koha e UNMIK-ut në gjykatat dhe prokuroritë e këtij rajoni. / Tribuna

Lajme të ngjashme

Back to top button