Kryeministri Edi Rama darkë me kreun e FRD-së, Bamir Topin

Kryeministri Edi Rama ka darkuar mbrëmë me kreun e Frymës së Re Demokratike, Bamir Topi, në një prej restoranteve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, pranë selisë së Kuvendit të Shqipërisë.

Kreu i Qeverisë ka shkuar në restorant i shoqëruar nga zëvendëskryeministri Niko Peleshi, ndërsa kreu i FRD-së, shoqërohej nga Sali Shehu dhe Daut Gumeni. Diskutimet në takim janë mbajtur larg vëmendjes së medias edhe pse duket se kjo darkë është në vijim të një bashkëpunimi të mundshëm mes palëve. Përpara zgjedhjeve të qershorit ishte përfolur për një bashkëpunim mes Partisë Socialiste dhe Frymës së Re Demokratike. Megjithatë partia e ish – presidentit doli e vetme në garën zgjedhore. Pas zgjedhjeve, mes socialistëve dhe FRD-së pati bashkëpunim në zgjedhjet e pjesshme të Korçës, për zëvendësimin e Niko Peleshit si kryebashkiak.

Pas kundërshtimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për të përfshirë në garë kandidaten e FRD-së, Fryma e Re Demokratike doli hapur në mbështetje të kandidatit të majtë, Sotiraq Filo dhe për më tepër, tre ditë para zgjedhjeve numri dy Gazmend Oketa ka qenë përkrah zëvendëskryeministrit, Niko Peleshi në fushatë, në qytetin e Korçës. Ndërkohë që pas kësaj, një nga zyrtarët e FRDsë, Bedri Blloshmi u emërua nga qeveria e majtë si drejtor i Institutit të ish – të përndjekurve politikë. Qëndrime të njëjta mes FRD-së dhe PS-së ishin dy ditë më parë dhe për çështjen e 21 janarit. Kryetari i Frymës së Re Demokratike, Bamir Topi akuzoi rëndë ish-kryeministrin Sali Berisha dhe kërkoi vënien para drejtësisë të përgjegjësve realë për ngjarjen e 21 janarit.

“Njeriu më i ekspozuar është ai që nuk i vuri fre gojës dhe është ende me gojë të hapur duke akuzuar të tjerët. Dhe sa kohë do ketë njerëz të emëruar politikisht në sistemin e drejtësisë, kryesisht në gjyqësor, ai dhe të tjerë të implikuar do vazhdojnë të flasin pa i ardhur turp për atë që kanë bërë, që kanë fshirë edhe serverin”, – deklaroi Topi./ Shekulli

Lajme të ngjashme

Back to top button