Ukrainë, opozita ultimatum 24-orësh

Protestuesit ukrainas do të “hidhen në sulm”, nëse presidenti Viktor Yanukovych nuk ofron me shpejtësi lëshime, paralajmëroi lideri i opozitës Vitali Klitschko.

Pas përplasjeve të ashpra të mërkurën, Klitschko u tha dhjetra protestuesve të mbledhur në sheshin “Pavarësia” të Kievit, se Yanukovych duhet ta zgjidhë këtë situatë pa gjakderdhje, duke mbajtur zgjedhje të parakohshme.

“Nëse Yanukovych nuk bën lëshime, atëherë nga nesër (të enjten) ne do të hidhemi në sulm”, u zotua Klitschko, transmeton TCH.

Komentet e tij erdhën pasi të paktën 3 demonstrues u vranë gjatë së mërkurës, pas një vale dhune të shpërthyer me mësymjen e policisë ndaj barrikadave të një kampi protestuesish në qendër të Kievit.

Beteja për ngritjen e kampeve u ashpërsuan në qendër të kryeqytetit ukrainas, teksa protestuesit hodhën gurë dhe bomba molotov ndaj policisë, ndërkohë që forcat e sigurisë u përgjigjën me gaz lotsjellës, granata tymuese dhe plumba gome.

Kryeministri i Ukrainës ka mbajtur një linjë të ashpër ndaj demonstruesve që po shkelin ligjet anti-protesta, duke thënë se “terroristët” kanë zbritur në rrugët e Kievit. “Po deklaroj zyrtarisht se këta janë kriminelë, të cilët duhet të përgjigjen për veprimet e tyre”, tha Mykola Azarov.

Trazirat në Ukrainë kanë nisur që pas refuzimit të presidentit Yanukovych për të nënshkruar dy marrëveshje të rëndësishme me BE-në, atë të tregtisë së lirë dhe atë të MSA-së, ndërkohë që zgjodhi të firmoste një marrëveshje bashkëpunimi tregtare me Rusinë.

Lajme të ngjashme

Back to top button