“Gjeneva 2” nis me tensione

Konferenca paqësore ndërkombëtare për Sirinë ka nisur në Zvicër me përplasje të ashpra ndërmjet palëve negociuese në lidhje me të ardhmen e presidentit sirian, Bashar al-Assad.

Qeveria dhe opozita e Sirisë, të takuara sy më sy për herë të parë në një konferencë paqësore të ndërmjetësuar nga Organizata e Kombeve të Bashkuara, kanë shprehur armiqësinë dhe urrejtjen ndaj njëra-tjetrës të mërkurën, teksa edhe fuqitë e botës gjithashtu kanë ritheksuar qëndrimet e tyre kundërta për të ardhmen e presidentit Bashar al-Assad, ka bërë të ditur Reuters.

Udhëheqësi opozitar sirian, Ahmed Jarba, e ka akuzuar Al-Assadin për krime lufte që rikujtojnë barbarizmat e Gjermanisë naziste, dhe i ka kërkuar delegacionit të qeverisë siriane në takimin dyditor në Zvicër që të pranojë menjëherë një plan ndërkombëtar për një transicion të pushtetit.

Ministri i Jashtëm sirian, Walid al-Moualem, ka këmbëngulur se Al-Assad nuk do të dorëzohet para kërkesave të jashtme dhe ka folur për krime “terroriste” të kryengritësve, të ndihmuara nga shtetet arabe dhe perëndimore, të cilat mbështesin opozitën dhe ishin të pranishme në mbledhje.

Shtetet e Bashkuara dhe Rusia, bashkëorganizatore të konferencës paqësore, që zyrtarët e OKB-së shpresojnë se do t’i paraprijë negociatave të mëtejshme në Gjenevë, gjithashtu kanë zbuluar qëndrimet e tyre të kundërta për Al-Assadin në fjalimet e tyre në një ditë prezantimesh formale.

Sekretari i OKB-së, Ban Ki-moon, i cili ka shkëmbyer fjalë të ashpra me Al-Moualemin kur ministri sirian ka folur trefish më shumë se limiti 10-minutësh që Ban e kishte caktuar, i ka hapur punimet në Montro, buzë liqenit Gjeneva, duke bërë thirrje për qasje të menjëhershme në ndihma humanitare për zonat nën rrethim. “Pas tre vjetëve të dhimbshëm të konfliktit dhe vuajtjeve në Siri, sot është një ditë e shpresës së brishtë, por të vërtetë”, ka thënë Ban, duke i nxitur që të dyja palët të arrijnë një marrëveshje gjithëpërfshirëse të bazuar në Planin e Gjenevës të 2012-s, i cili parasheh një qeveri transitore për të mbikëqyrur ndryshimet në Sirinë e dërrmuar nga lufta civile. “Na presin sfida të mëdha përpara, por ato nuk janë të pakalueshme”, ka shtuar shefi i OKB-së.

Fuqitë perëndimore dhe Rusia janë munduar të lënë mënjanë dallimet e mëdha rreth asaj se a duhet Al-Assad të detyrohet të lërë pushtetin në duart e një administrate të përkohshme, dhe e kanë mbështetur konferencën si një mënyrë për të ndalur përhapjen e dhunës sektare në rajon.

Por, Moska dhe Uashingtoni kanë qëndrime të kundërta rreth asaj nëse plani i 2012-s nënkupton që Al-Assad duhet të largohet menjëherë. Fuqitë perëndimorë argumentojnë se ai parasheh këtë.

Konferenca e së mërkurës, e ashtuquajtur “Gjeneva 2”, nuk ka ngjallur pritshmëri të mëdha, veçanërisht në mesin e kryengritësve islamikë, të cilët i kanë cilësuar udhëheqësit opozitarë të mbështetur nga Perëndimi si tradhtarë që kanë pranuar të diskutojnë me delegatët e Al-Assadit.

Pas bisedimeve dyditore në Montro, palët pritet të zhvendosen në Gjenevë për atë që ministri i Jashtëm francez e ka quajtur “konferencë të vërtetë. Po dështoi ajo, do të kemi krizë të vërtetë”.(Tribuna)

Lajme të ngjashme

Back to top button