Skandal në portin e Durrësit, bllokohet transporti i mallrave prej një jave

Që nga viti 1997, kur anijet e transportit u dogjën ose u mbytën, nuk kish ndodhur që anijet me mallra për biznesin vendas të prisnin gjatë e më pas të ktheheshin mbrapsht nga porti i Durrësit.

Rasti konkret është i anijes “Aziatik Liberty”, e ngarkuar me kontenierë, anije e cila qëndroi prej datës 6 tetor deri në më 9 tetor në radë, duke pritur për të hyrë në portin e Durrësit, për të shkarkuar mallin. Por, anija u kthye mbrapsht dhe pritet që dorëzimi i mallit të biznesit të bëhet nga Mali i Zi ose Greqia.

Situata e rëndë ka prevaluar që prej të hënës së javës së shkuar, kur kompania koncensionare “Durrës konteiner Terminal” nuk ka vinça në funksion, për të shkarkuar dhe ngarkuar kontenierët.

Anija MSC Augusta e linjës së dytë më të madhe në botë të transportit me konteinerë, mori vetëm një pjesë të sasisë në portin e Durrësit, ndërsa Anija CMA -CDM, e linjës së tretë më të madhe botërore të transportit me kontenierë, qëndroi prej datës 5 në pritje deri më 7 tetor.

Nga data 7 deri tani, kjo anije qëndron në pritje, për të shkarkuar mallin që kërkojnë bizneset në Shqipëri, Kosovë e Maqedoni, shkruan BalkanWeb.

Në terminalin e kontenierëve janë makinat e kompanive të transportit rrugor që presin mallin ta dërgojnë në destinacion, por kontenierët nuk mund të shkarkohen nga mungesa e vinçave.

Terminali i kontenierëve është koncesion i “Durrës Konteinier Termial” i cili ka detyrim ligjor që të ketë mjetet në dispozicion 24 orë në ditë, sipas kontratës së firmosur me Ministrinë e Transporteve.

Autoriteti Portual i Durrësit reagoi, duke e konsideruar situatën kritike. Artjan Qirici, nëndrejtori ekzekutiv në një intervistë për News24, tha se dëmi më i madh po i bëhet kompanive të biznesit, të cilave çdo vonesë iu rrit koston, ndërsa kostoja rritet edhe nëpërmjet transportit nga një port në tjetrin. Përveç kësaj, edhe imazhi i portit të Durrësit, ka rënë. Nëndrejtori i Portit paralajmëroi gjithashtu, se do të ketë penalitete për koncesionarin për dëmin që po i shkakton biznesit dhe portit, si dhe për mosrepsektimin e kontratës.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button