Mbahet “Maratona e Tiranës 2016”

Nën kujdesin e Bashkisë së Tiranës dhe Federatës Shqiptare të Atletikës, më shumë se 1200 pjesëmarrës vrapuan sot në kryeqytetin e Shqipërisë, në Maratonën e Tiranës, e cila ndahej në 4 kategori, përfshirë edhe 1 kilometër vrap për fëmijë, raporton Anadolu Agency (AA).

Në një njoftim zyrtar nga Bashkia e Tiranës bëhet e ditur se fituesi i garës së 21 kilometrave për meshkuj doli Ilir Këllezi, nga Korça, ndërsa në kategorinë për femra, fituese u shpall rekordmenia shqiptare, Luiza Gega, ndërsa vendin e tretë e zuri kryetarja e Komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari-Lila. Në garën e 10 kilometrave për meshkuj fitues u shpall, Bledar Mesi, i cili vinte si përfaqësues i Forcave të Armatosura, ndërsa për femra në këtë kategori u shpall fituese Deborah Keçi.

Ndërkohë edhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, vrapoi dhe e mbaroi garën në kategorinë e 10 kilometrave, po ashtu edhe shumë personalitete të tjera të politikës dhe sportit.

Në fjalën e tij, në mbyllje të kësaj maratone, kryebashkiaku Veliaj e konsideroi atë si një sukses për Tiranën, por edhe një moment historik, pasi sipas tij, sot me qytetarinë dhe sportivitetin e treguar provoi se di të jetë edhe europiane.

“Sot qyteti është realisht europian. Të gjithë të huajt që morën pjesë thanë se një gjë të tillë nuk e kemi parë në asnjë vend të Ballkanit dhe të rajonit. Besoj se e kaluam testin. Mezi presim që në datën 13 tetor, javën tjetër, të marrim një datë zyrtare për t’u futur në kalendarin e maratonave të certifikuara në të gjithë Evropën dhe vitin tjetër ta bëjmë akoma më të madhe, edhe më të bukur, më europiane Maratonën e Tiranës”, u shpreh Veliaj.

Ai falënderoi qytetarët që i’u përgjigjën thirrjes së bashkisë për të respektuar sot vrapuesit, duke lënë rrugët e qytetit të lira.

Një aktivitet i tillë u organizua për herë të parë në Tiranë dhe me anë të tij synohet që të përfshihet kryeqyteti i Shqipërisë në hartën e maratonave që organizohen në shumë qytete të botës.

Për mbarëvajtjen e kësaj maratone Bashkia e Tiranës angazhoi në terren mbi 750 punonjës të saj dhe vullnetarë, duke filluar nga ndërmarrjet e punëve publike, Agjencia e Parqeve dhe zjarrfikëset. Ndërsa, Policia Bashkiake, në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, morën disa masa për mbarëvajtjen e maratonës.

Mbahet “Maratona e Tiranës 2016”
Mbahet “Maratona e Tiranës 2016”

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button